Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Socialistët e Tiranës ndezin motorët/ Veliaj merr vendime të rëndësishme, lëviz 20 drejtues, u kërkon të fokusohen në fushatë (Zbardhen EMRAT dhe pozicionet e tyre)

Socialistët e Tiranës ndezin motorët/ Veliaj merr vendime të
x

Sport

Pesë muaj nga Olimpiada, Shqipëria deri tani zyrtarisht me një sportiste të kualifikuar

Pesë muaj nga Olimpiada, Shqipëria deri tani zyrtarisht me një

Lojërat Olimpike Verore të Tokios, që do të luhen në muajin gusht, janë një shans i madh për ekipet kombëtare të vendeve anëtare të komitetit olimpik ndërkombëtar të shpalosin cilësitë e tyre sportive dhe njëherësh të reklamojnë vendin e tyre në një aktivitet që është nga më madhorët jo vetëm të sportit por në shumë plane. Megjithatë, për Shqipërinë ka vështirësi për të shkuar me një delegacion të madh sportiv në Tokio-2020. Shkak bëhet mungesa e rezultateve të larta, si dhe numri i paktë i sportistëve cilësorë që ka Shqipëria. Janë vetëm disa kokrra, në atletikë, peshëngritje e mendohet edhe në qitje e not, por në sportet e tjera nuk kemi pothuajse asnjë shans. Mundja dhe boksi e kanë ende një mundësi, pasi kanë gara para, por sportistët e tyre vështirë se do ta realizojnë këtë objektiv duke pasur parasysh mungesën e fondeve për përgatitje intensive për garat e mëdha e të rëndësishme me vlerë kualifikuese. Zyrtarisht, referuar edhe të dhënave institucionale, Shqipëria ka siguruar deri më tani vetëm një sportiste për në Olimpiadën e Tokios dhe ajo është atletja Luiza Gega. Atletja ka rezultate të shkëlqyera në disiplinën e 3000 metrave me pengesa dhe besohet se në këtë garë mund të kapë top-5 vendet e para, një rezultat që do ta bënte atë të thyente të gjitha parashikimet. Në të vërtetë, arritje e madhe për Gegën do të ishte hyrja në garën finale, sikurse ndodhi dhe në Botërorin e vitit të shkuar. Dhe rezultatet e fundit të saj janë impresionuese. Ajo vjen pas një faze përgatitore në Kenia, një rekordi kombëtar fantastik dhe njëherësh një atlete me pretendime të mëdha. Por atletika ka dhe dy sportistë që mund të surprizojnë në ditët në vijim. Së pari është atleti Izmir Smajlaj, të cilit i duhet të kapë 8.15 m që të sigurojë “biletën” për në Olimpiadë. Një objektiv i vështirë, por për një atlet gjigant si ai asgjë nuk është e pamundur. Smajlaj do ta tentojë deri në fund këtë objektiv, edhe pse vjen nga një dëmtim jo i lehtë. Sportisti tjetër është David Nikolli, i cili theu para pak ditësh rekordin kombëtar në 400 metra në salla të mbyllura, duke qenë i pazakontë. Ai dhe Franko Burraaj e kanë ende një shans, por...

Peshëngritja, shansi i madh kuqezi

Padyshim, nuk vihet në diskutim që Briken Calja do të jetë në Olimpiadë, por mbetet t’i dalë emri zyrtarisht. E vërteta është se peshëngritja këtë edicion olimpik ka mangësi të mbartura, që vijnë nga penalitetet që i janë vënë nga federata botërore dhe nuk mund të çojë në Tokio-2020 më shumë se dy sportistë. Prandaj synohet që përveç Caljes të shkojë edhe Erkand Qerimaj, pasi është afër me pikët olimpike dhe do të tentojë të marrë pjesë në turnetë e muajve të parë të këtij viti, plus Europianin, për të siguruar gjithashtu kualifikimin në Tokio-2020. Shpresohet që gjërat të shkojnë sipas parashikimeve dhe të mos ketë ndonjë pengesë që “minon” objektivin e peshëngritjes për këtë vit. Në të vërtetë, nëse Calja dhe Qerimaj ia dalin të realizojnë objektivat e tyre, mund të bëjnë surprizë në Olimpiadë. Madje për Briken Caljen ka pritshmëri të mëdha, pasi ai synon zonën e medaljeve dhe referuar asaj që ka deklaruar vazhdimisht kreu i federatës së shtangës, Theodhor Masllavica,objektivi madhor është një medalje në dygarësh në Lojërat Olimpike, që do t’i vinte për herë të parë Shqipërisë. Ndërkohë, përveç atletikës dhe peshëngritjes, sportet e tjera duken larg pritshmërive për të qenë pjesëmarrëse në Lojërat Olimpike të Japonisë. Më parë ka pasur ftesa për vendet e vogla, ku noti në vijimësi ka përfituar nga dy bileta, një për meshkuj e një për femra, por duket se ftesa të tilla janë hequr tashmë. Për pasojë, notit do t’i duhet të konkurrojë në garat ndërkombëtare. Jo vetëm kaq, por edhe qitja, një sport tradite, nuk ka deri tani ndonjë shenjë që mund t’ia dalë. Mundjes i mungojnë paratë për aktivitete, sikurse dhe boksit, pasi këto sporte kërkojnë grumbullimin e sportistëve elitarë mundësisht jashtë vendit, por buxheti i këtij viti nuk ua mundëson. Gjithsesi, të gjithë do të tentojnë të bëjnë më të mirën në këto 3 muaj në vijim për të siguruar një “biletë” për në Lojërat Olimpike “Tokio-2020”.