BREAKING NEWS

Mbi 2 mijë testime! Zbardhen të dhënat e fundit, ja sa raste të reja me COVID u regjistruan në 24 orët e fundit në Shqipëri, zbulohen zonat më 'të nxehta'

Mbi 2 mijë testime! Zbardhen të dhënat e fundit, ja sa raste
x

Sport

Polikron Koroveshi: Mundja sport me adrenalinë, sot i ka humbur popullariteti i dikurshëm

Polikron Koroveshi: Mundja sport me adrenalinë, sot i ka humbur

Mundja është një sport popullor në Shqipëri dhe pavarësisht rënies së numrit të sportistëve gjatë viteve të fundit, si pasojë e migrimit masiv gjatë këtyre 30 vjetëve, sërish kjo disiplinë ruan një farë pozicioni elitar në fushën e sportit në Shqipëri. Aq më tepër mundja e lirë, e cila është në “gjak” të shqiptarëve. Mundja ka njohur kulminacionet e saj në periudha të ndryshme, e sot është momenti të kujtojmë mundjen dinamovite, e cila njohu progresin e saj të madh në vitet 70-të të shekullit të kaluar. Në mundjen e lirë, Dinamo pati përfaqësues të spikatur, një ndër ta, Polikron Koroveshin, kampion i shumëfishtë kombëtar e një nga emrat më të mëdhenj të mundjes së lirë në rang vendi. Në këtë rubrikë të fundjavës, gazeta “SOT”, sjell intervistën me këtë kampion të madh të mundjes shqiptare, 7 herë kampion kombëtar, por edhe arbitër i spikatur ndërkombëtar. Mbajtës i shumë titujve e medaljeve, Koroveshi sjell emocionet e karrierës së tij, rivaliteti në familje me vëllain (Anestin), një tjetër kampion dinamovit, si dhe përshtypjet e tij për mundjen sot.

Kush është Polikron Koroveshi?

Datëlindja: 01.03.1951

Vendlindja: Tiranë

Shkolluar: Instituti i Fizkulturës, Tiranë.

Nisi sportin me Dinamon në vitin 1967.

Stili: Mundje e Lirë.

4 vjet kampion me të rinjtë e Dinamos (1967-1970).

Kampion në takimet kombëtare të të rinjve 1968-1970.

7 vjet kampion kombëtar me të rriturit (1969, 1970, 1973, 1974, 1975, 1976, 1977).

Mundësi më i mirë në katër kampionate.

Kampion në dy spartakiada të Ushtrisë (1971-72).

Fitues i 4 Kupave të Republikës me të rritur.

Trajner e gjyqtar

Trajner i të rinjve të Dinamos (1987).

Arbitër kombëtar (1993).

Arbitër ndërkombëtar (1997).

Vlerësimet

“Mjeshtër Sporti” (1973).

“Mjeshtër i Merituar i sportit” (1977).

“Naim Frashëri”, klasi III, me rastin e 20-vjetorit të Dinamos (1970).

“Naim Frashëri”, klasi II, në 30-vjetorin e Dinamos (1980).

“Medalja e Punës”, nga Kuvendi Popullor.

“Medalje e artë” për merita në sport (2000).

“Nderi i Mundjes Shqiptare”, dhënë nga federate e mundjes (2011).

“Nderi i Sportit Shqiptar”, dhënë nga MTKRS.        

Propozuar nga FSHM-ja për “Mjeshtër i Madh”, vlerësim që jepet nga Presidenti i Republikës.

- Duket e habitshme që një djalë i lindur në Tiranë të futej në sportin e mundjes së lirë, kur zona të tjera të vendit e kishin traditë këtë disiplinë. Si ndodhi lidhja juaj me mundjen?

Unë isha nxënës tek shkolla “Hasan Tahsin”, mësues fizkulture kisha Pal Mirashin. Atje iu futa gjimnastikës, në kampionatet që zhvilloheshin mes shkollave. Pastaj u futa në pallat të pionierëve, po në gjimnastikë, ishin vitet 1960-1965. Si ndodhi që i hyra mundjes? Ndodhesha tek liqeni, me një shok të vëllait, Agim Kalaja, ish-mundës. Ai më shtynte poshtë unë e ngrija lart. Ai zbuloi tek unë talentin për mundjen. “Hajde tek mundja, se qenke i fortë”, - më tha. Shkova tek Dinamo në vitin 1967, me ekipin e të rinjve, ku trajner ishte Neshat Aledini. Stërvitja e parë nuk shkoi aq mirë, pasi kishte ushtrime të vështira, sidomos “urat”, pas të cilave më merreshin mendtë. Një moment mendova të tërhiqem, u thashë nuk qenka për mua, nuk vij. Por kur bëmë gara dola mirë dhe vendosa të qëndroj.

- Kur e keni bërë garën e parë?

Në Kukës, në vitin 1967, garova në peshën e parë, 49 kg. Fitova dhe dola kampion me të rinjtë. Ishte kënaqësi e madhe, sigurisht, dhe prej atij momenti nuk u shkëputa më nga mundja e lirë. Në vitin 1968 përsërita sërish suksesin, duke dalë kampion me të rinjtë, këtë herë në Lushnjë. Në vitin 1969 garova në peshën 57 kg, po me të rinjtë në Durrës, dola kampion. Në kategorinë e të rinjve e mbylla si kampion në vitin 1970, në kampionatin e zhvilluar në Tiranë. Në këtë aktivitet pati një surprizë për mua, sepse nuk isha i vetëm nga familja.

- Pse, çfarë ndodhi konkretisht?

Në garën që zhvilluam në Tiranë merrte pjesë edhe vëllai im, Anesti Koroveshi. Ishte emocion i madh, pasi të dy garonim për titull, natyrisht në pesha të ndryshme. Mendova për një çast më mirë të humbas unë e të fitojë vëllai. Por gjërat shkuan mirë për ne dhe ai fitoi ndeshjen e tij e unë timen, duke dalë të dy kampionë. Në atë aktivitet unë garova në peshën 62 kg, kurse vëllai në 57 kg. Nuk ka më bukur se dy vëllezër kampionë në një ditë.

- Kur hytë në skuadrën e të rriturve dhe si vijoi më pas karriera juaj? Sa vite keni garuar për Dinamon?

Me rregullore tek të rriturit futeshe kur mbushje 18 vjeç. Unë iu ngjita skuadrës së të rriturve të Dinamos në vitin 1969, kur isha 18 vjeç. Dola kampion me të rriturit po atë vit. U shpalla mundësi më i mirë i aktivitetit, edhe pse garoja për herë të parë në kategorinë e të rriturve.  Unë kam garuar për Dinamon nga viti 1967 deri në vitin 1986, pra për 19 vjet. Por duhet të shtoj këtu se pas vitit 1977 kam garuar vetëm në shërbim të skuadrës. Gjatë këtyre viteve me Dinamon kam dalë 4 herë kampion me të rinjtë, 7 herë kampion me të rriturit, 5 Kupa të Republikës, dhe jam shpallur 4 herë mundësi më i mirë i kampionatit.

- Kë cilësoni si kulmin e karrierës tuaj?

Më 1969-1970 kanë qenë vitet më të arta për mua. Në vitin 1972 u lirova nga ushtria dhe në vitin 1973 garova e dola kampion kombëtar. Aty plotësova normën për “Mjeshtër Sporti”. Rezultatet më të mira erdhën në vitet 1973-1977, ku unë dola 5 herë radhazi kampion, duke plotësuar kështu normën që kërkonte rregullorja për të marrë “Mjeshtër i Merituar Sporti”.

- Si ishte trajtimi i sportistëve tek Dinamo e atyre viteve?

Kënaqësia më e madhe e jona në ato vite ishte kompaktësia e grupit. Kishte harmoni mes elementëve më të rinj dhe atyre të rritur. Kushtet nuk kanë qenë aq të mira tek Dinamo. Palestra nuk kishim, as dushe sikurse kishte Partizani apo Tirana. Rivalët e këtyre ekipeve na thonin “me kushtet tuaja ne nuk bëjmë dot sport”, por ja që ne dinamovitët ia dilnim. Kurse trajtimi në tërësi, si ai ushqimor dhe ai njerëzor ka qenë i mirë.

- Kush ishin rivalët tuaj më të mëdhenj në tapet?

Në rang ekipor rivalët më të mëdhenj ishin Kukësi, Vllaznia dhe 17 Nëntori, kurse në aspektin individual, rivali im më i madh ishte Reis Avdija, nga Peshkopia. Në vitin 1976 në kupën që u zhvillua në Peshkopi më mundi Reisi, i cili fitoi Kupën dhe u shpall sportisti më i mirë i aktivitetit. Në aktivitetin pasardhës, në Shkodër, fitova unë ndaj Reisit dhe mora titullin kampion, si dhe u shpalla mundësi më i mirë. Rival tjetër i fortë ishte Kujtim Ismaili i 17 Nëntorit, i cili më mundi në vitin 1978. Por në atë periudhë unë isha i sapomartuar dhe kisha tre muaj pa u stërvitur. Unë atë e kam mundur 3-4 herë. Pas vitit 1978, kampion doli Lutfi Meçka i Kukësit. Pas këtij viti, unë kam zënë vend të dytë e të tretë, deri sa u tërhoqa në vitin 1986.

- Si paraqitej cilësia në sportin e mundjes gjatë atyre viteve?

Cilësia ka qenë shumë e mirë, por edhe pjesëmarrja shumë e gjerë. Kishte 13 ekipe me nga 10 pjesëmarrës. Garat zhvilloheshin në tri ditë. Por ekipi ynë i Dinamos ka qenë i veçantë. Me të rinjtë Besnik Gusmari, Përparim Zelka, Kujtim Çuçoli e Ilir Tafaj, me të cilët kemi dalë 4 herë kampion si ekip me të rinjtë e Dinamos. Kurse në ekipin e të rriturve kemi pasur mundës të mëdhenj si Ndue Dodaj, Pëllumb Qosja, Jak Marku, Kujtim Lamani, Maks Bufi, Vasillaq Soto, Arben Lejlaj etj.

- Cili është sekreti i suksesit tuaj dhe Dinamos në tërësi në ato vite?

Sporti i atyre viteve ishte diçka shumë e mirë. Çdo ditë në stërvitje, aq sa mendoja shpesh “ore po si do të kalojë dita nëse nuk stërvitem”. Dhe nuk ishte stërvitje dosido, por me program ditor, javor, mujor e vjetor. Kemi pasur dhe një trajner të shkëlqyer si Riza Lofca, i cili ishte specializuar në Bullgari dhe kishte një metodikë fantastike për përgatitjen e mundësve. Kishte dhunti dhe takt që e bënin teknik të veçantë.

- Në atë kohë bënit pak gara ndërkombëtare, ju keni luajtur ndonjë ndeshje?

Jo, s’më është dhënë mundësia. Erdhi një herë një ftesë për një aktivitet në Greqi, por më thanë “se kemi planifikuar”.

- Cili është mendimi juaj për mundjen shqiptare sot?

Mundja sot nuk ka shumë popullaritet, as masivitet. Më të mirët largohen, në kërkim të mundësive të karrierës. Shteti në kohën e rinisë time e kishte zgjidhur këtë problem, pasi sportistët merrnin rrogë në një institucion. 5 orë punë e 3 orë sport. Ishe i detyruar të shkoje rregullisht, pasi nuk ishte vetëm përgatitje sportive, por edhe punë. Dhe puna vlerësohej e shpërblehej me merita. Isha vetëm 19 vjeç kur mora medaljen “Naim Frashëri” të klasit të tretë, në 20 vjetorin e Dinamos. 10 vjet më vonë mora “Naim Frashëri” të klasit të dytë, që u dha me rastin e 30-vjetorit të klubit të Dinamos. Falë punës jam dekoruar më vonë nga MTKRS (ishte i pranishëm presidenti Mejdani) me medaljen e artë për merita në fushën e sportit etj. Dua të them se falë mundjes, punës dhe rezultateve tona edhe jemi shpërblyer. E gjithë kjo gamë krijonte popullaritet, gjë që i mungon mundjes në tërësi në ditët e sotme.

- A ka ende terren për zhvillimin e mundjes së lirë në Shqipëri, deri në nivelet e larta?

Sigurisht që ka, mundja e lirë ka terrenin e duhur këtu. Në veri të Shqipërisë në festime si dasma etj, mundja është pjesë e programit të festës. Atje, si në Gollobordë etj, shoqërohet me një dash për fituesin. Kjo është një traditë që tregon se mundja është sport me taban në Shqipëri. Që të kesh mundjen të zhvilluar duhet bazë materiale, duhen kushte moderne dhe investime afatgjata. Duhet edhe përkushtim dhe sedër nga sportistët. Kujtoj këtu që atë vit që më mundi Reisi (Avdija) qava si fëmijë, se ky sport ka adrenalinë. Por kjo më motivoi që të punoja më shumë për të fituar në aktivitetin e radhës në Shkodër.

- Çfarë bëtë pasi u tërhoqët nga sporti aktiv?

Nisa pak kohë detyrën e trajnerit me të rinjtë e Dinamos, pasi lashë sportin në vitin 1986. E ushtrova këtë detyrë për dy vite, pasi më pas u shkrinë ekipet e mundjes së lirë të Dinamos. Më pas, më 1993, mora licencën e arbitrit, kurse më 1977 mora licencën e arbitrit ndërkombëtar. E mora gjatë zhvillimit të një botërori për veteranët e mundjes, në Zvicër. Si gjyqtar shkoj ende në aktivitetet kombëtare të mundjes. Madje në vitin 1997, në një aktivitet që zhvillohej në Kukës, u shpalla edhe si arbitri më i mirë.

- Nga karriera juaj e gjatë në sport, cila ngjarje ju ka bërë më shumë përshtypje?

Ka shumë sigurisht, emocionet janë të mëdha. Unë e përmenda dhe më lart emocionin me tim vëlla që arritëm të dy të shpalleshim kampionë në të njëjtin aktivitet, por në pesha të ndryshme trupore, por këtu dua të kujtoj një rast tjetër, i cili më ka lënë mbresa. Në një aktivitet që zhvillohej në Kukës në vitin 1997, komentatori tha: “Diploma e arbitrit më të mirë shkon për mundësin që e njeh gjithë Kukësi, Polikron Koroveshin”. Jam ndjerë jashtëzakonisht mirë, pasi, edhe pse kishin kaluar 20 vjet, ata më mbanin ende mend si kampion dhe dëshironin të më njihnin si të tillë. Ky është një vlerësim shumë i madh dhe e çmoj shumë.