BREAKING NEWS

Do kandidojë në Durrës përballë Bashës? Vjen reagimi i papritur i kryeministrit Rama: Mos hapni llafe kot. Ja cilin qytet kam zgjedhur

Do kandidojë në Durrës përballë Bashës? Vjen
x

Sport

Prezantohet Gega: Me Kukësin synoj të përsëris suksesin e Partizanit, dua dorë të lirë në merkato

Prezantohet Gega: Me Kukësin synoj të përsëris suksesin e

Kukësi do të ketë një trajner të ri nga sot e tutje. Ai është Skënder Gega, tekniku me përvojë dhe i spikatur gjatë viteve të fundit, qoftë në drejtimin e skuadrave kombëtare të moshave, ashtu dhe me Partizanin, ku një sezon më parë ai fitoi titullin kampion, duke e kthyer ekipin e kuq pas 26 vjetësh pritje tek trofeu. Largimi nga partizani në një mënyrë të çuditshme ngjalli shumë interes, por Gega ruajti profesionalizmin e tij dhe tani është teknik i rikthyer në Superligë, me dëshirë dhe ambicie të re, në krye të Kukësit, një skuadër që luan në Ligën e Europës dhe ka ambicie për të kaluar më shumë se një tur. Nga ana tjetër, Skënder Gega do ta drejtojë Kukësin gjatë sezonit në vijim, me shpresën se do ta kthejë skuadrën verilindore tek trofeu i titullit, trofe që Kukësi e ka fituar 3 vjet më parë. Dje Gega bëri prezantimin zyrtar në krye të skuadrës verilindore, ku dha një konferencë për shtyp nga ambientet e “Air Albania”. Në prezantimin e tij ai foli për kontratën njëvjeçare me Kukësin, dëshirën për të pasur dorë të lirë në merkato dhe natyrisht qetësinë për t’i pritur gjërat ashtu si të vijnë, në kuptimin që bashkëpunimi mund të zgjasë nëse Kukësi do të ketë sukses.

Gega: Jam gati për sfidë, do të bëjë më të mirën

Trajneri i sapoemëruar në krye të verilindorëve, Skënder Gega, doli për herë të parë para medieve sportive si trajner i Kukësit, pozicion në të cilin u zyrtarizua vetëm pak ditë më parë. Në konferencën për shtyp të zhvilluar në ambientet e “Air Albania” ish-trajneri i Partizanit shpalosi objektivat, por sigurisht duke ruajtur profilin modest, pa deklarata pompoze. “Jam gati për këtë sfidë, por nuk kam premtuar asgjë. Kontrata ime është 1-vjeçare dhe do të bëj më të mirën time. Ambiciet e klubit nuk janë sekret, dihen, ne do të bëjmë më të mirën për t’ia dalë. Akoma nuk ka nisur puna, na duhet t’i marrim gjërat një e nga një. Do kërkojmë të bëjmë paraqitje dinjitoze në Europa League e sigurisht mendojmë për kalimin e turit. Do punoj si te Partizani, pra me të njëjtin përkushtim. Jam ambicioz, do bëj të pamundurën që gjërat të shkojnë sa më mirë. Kam besim se së bashku do t’i arrijmë objektivat”, tha Gega. Më pas ai foli drejtpërdrejt për kontratën. “Është njëvjeçare. Futbolli është sfidë, por nuk kam frikë. Do të bëjmë më të mirën që dimë, nëse nuk ia dalim, do të shikojmë çfarë do të ndodhë. Për kontratën time të flasim pas një viti. Nga paraqitja e Partizanit me Mariborin kam mësuar shumë. Championsi dhe Liga e Europës të japin mësojnë shumë. Jam optimist, sepse ekipi është më i konsoliduar sesa Partizani vjet. Do të punojmë fort dhe do t’i shohim gjërat me optimizëm”, vijoi më tej Gega. Më pas ai foli për merkaton e bllokuar të klubit të Kukësit. “Merkatoja nuk është e bllokuar. Nuk kam preferenca për emrat, shoh vetëm anën teknike. Lojtarët do vijnë me miratimin tim. Kukësi ka cilësi, sfida jonë është në stërvitje, duhet parë gjithçka me optimizëm. Nuk është e thëne që meqë kam drejtuar Partizanin kërkon të afroj lojtarë nga kjo skuadër. Një gjë është e sigurt: ne nuk bisedojmë me lojtarë që janë nën kontratë dhe asnjë lojtar i Kukësit që ka kontratë nuk mund të largohet”, shtoi më tej Gega. Në fund ai foli për të rinjtë dhe stadiumin e ri “Air Albania”. “Kukësi ishte rival i Tiranës këtë sezon që u mbyll, bardheblutë dolën kampion me meritë. Sivjet kanë luajtur të rinj në disa ekipe, diçka e mirë. Është pozitive që po luajnë të rinj, kurse “Air Albania” i ka dhënë një imazh të ri futbollit shqiptar”, përfundoi trajneri Gega, i zyrtarizuar që dje në krye të skuadrës verilindore. Ai do të ketë një grup të konsoliduar, një skuadër të mirë për kushtet e kampionatit shqiptar dhe një klub që është rritur shumë vitet e fundit dhe ka ambicie titulli.