BREAKING NEWS

Nis operacioni për nxjerrjen e fëmijëve shqiptarë nga ferri i kampeve të Sirisë, Kryeministri Rama jep njoftimin e rëndësishëm, tregon çfarë pritet në fazën e dytë

Nis operacioni për nxjerrjen e fëmijëve shqiptarë nga ferri
x

Sport

Ramiz Reka: Klubi i Partizanit dashuri e madhe e rinisë time, Shqipëria ka brum të spikatur për të shkëlqyer në boks

Ramiz Reka: Klubi i Partizanit dashuri e madhe e rinisë time,

17 janari duket si një datë e zgjedhur për lindjen e boksierëve të spikatur. Më 17 janar 1942 lindi i madhi i ringut botëror Mohamed Ali, por 4 vjet më parë tij, më 17 janar 1938 lindi në Durrës Ramiz Reka, boksier i spikatur dhe personalitet i sportit shqiptar. “Mjeshtëri i Sportit” dhe mbajtësi i shumë medaljeve dhe dekoratave, Reka, ka një kontribut të çmuar edhe në fushën akademike, pasi ka botuar disa libra për boksin, duke u ardhur në ndihmë të rinjve të mësojnë bazat e boksit dhe të ngrenë një karrierë të suksesshme në këtë sport burrëror. Në këtë intervistë për gazetën “SOT”, personaliteti i boksit shqiptar, Ramiz Reka, kthen në vëmendje emocionet e boksit shqiptar në rininë e tij, ndërprerjen e këtij sporti në vitet 60-të nga një tekë e momentit të Mao Ce Dunit, por edhe qëndrimin që i kanë shprehur të huajt për potencialin e madh që ka Shqipëria në këtë sport.

Kush është Ramiz Reka?

Datëlindja: 17.01.1938

Vendlindja: Durrës

Shkollimi: ILKF “Vojo Kushi”, sot Universiteti i Sporteve

Karriera sportive

3 herë kampion me të rinjtë me Lokomotivën e Durrësit.

1957-1963 Përfaqëson Partizanin

1958-1963 Anëtar i ekipit kombëtar të boksit.

1959-1963 Pesë herë kampion i Spartakiadës së përgjithshme të Ushtrisë.

1964-1965 Gjimnastikë artistike në Kat.I. me “17 Nëntorin”.

1965-1968 Trajner i Gjimnastikës sportive të Partizanit.

Kuadër sporti

1968-1972 Mësues i edukimit fizik

1972-1981 Pedagog i gjimnastikës në Institutin e Fizkulturës.

1981-1982 Pedagog në katedrën e Teorisë dhe Metodikës së përgjithshme të edukimit fizik.

1982-1987 Jep lëndën e gjimnastikës në shkollën e futbollit “Loro Boriçi”.

1983-1984 Realizon kualifikimin pasuniversitar.

1987-1993 Pedagog i përgatitjes fizike speciale “Boks” pranë Akademisë së rendit.

1991-1992 Sekretar i përgjithshëm i Federatës së Boksit.

1991-2001 Kualifikim si gjyqtar i nivelit kombëtar.

2000-2009 Pedagog në Akademinë e Edukimit Fizik.

1992-2008 Drejtor teknik i FSHBo-së.

2002-2006 Anëtar i komisionit teknik të EABA-s.

Vlerësuar si:

-Mësues i dalluar i qytetit të Tiranës (1972).

-Personalitet i shquar i sportit nga Bashkia e Tiranës (2006).

-Medalja e Meritës në 70-vjetorin e klubit të Partizanit.

-Libri i Artë në 50-vjetorin e klubit të Partizanit.

-Medalja “25 vjet FSHBo”  për kontributin si nismëtar për kthimin e boksit.

-Mban titullin “Mjeshtër Sporti” marrë në vitin 1960.

-Ka promovuar ekspozitën “Me dhe në shërbim të sportit”.

 

-Si ka ndodhur lidhja juaj me sportin dhe me boksin në veçanti? Kur erdhi suksesi i parë?

Ne ishim një familje me tradita në sport. Unë e kam nisur në Durrës në moshën 10-vjeçare, me pionierët. Në grumbullimet që bënim ishte një trajner jugosllav që më zgjodhi. Në moshën 15-vjeçare erdhi titulli i parë. Do të përballesha me V. Grudën, ai nuk u paraqit në takim, si duket e kuptoi që nuk do t’ia dilte, dhe unë fitova në tavolinë. Këto kanë qenë hapat e parë të mi në boks, por më pas historia ime si sportist do të njihte një dimension tjetër kur u bëra pjesë e klubit të Partizanit, që ishte arritja më e madhe në atë kohë për një të ri ambicioz në sport, një klub i dashur dhe që mblidhte ajkën e sportistëve në të gjitha disiplinat, klub madhështor.

-Në çfarë kategorie ke garuar dhe si u bëtë pjesë e Partizanit?

Ishte vitit 1957, do të shkoja ushtar, por drejtuesit, duke parë cilësitë e mia, vendosën të më aktivizonin pranë Partizanit. Kam qëndruar me klubin e kuq nga viti 1957 deri më 1963 kur u vendos të mbyllej boksi. Koha kur u mbyll boksi më gjeti si trajner të të rinjve të Partizanit, kurse trajner tek të rriturit ishte Ali Kastrati. Në periudhën që kam qenë pjesë e Partizanit kam qenë 3 herë fitues i Kupës, si dhe 1 kampionat kombëtar (1962). Kam garuar në peshën pupël (57 kg). Midis 1948 dhe 1963, kam bërë 15 vjet sport aktiv, në nivele të larta për kohën.

Si bëhej boksi në atë kohë?

Ka qenë një sport me emocione të mëdha, kishim mangësi të përgatitjes taktike, por nuk vihej në diskutim përkushtimi dhe morali i lartë i sportistëve tanë. Në atë periudhë boksi luhej pa kaskë mbrojtëse. Ka pasur mjaft raste kur kisha probleme me protezat. Kemi përjetuar histori të bukura, por edhe të vështira.

-Ju keni zhvilluar shumë ndeshje, cila është më e bukura brenda vendit dhe jashtë vendit?

Dua të veçoj ndeshjen me Viktor Martinin, mendoj se është ndeshja më e bukur që kam bërë. Ishte viti 1963, fitova dhe aty e mbylla boksin, si 5-herë kampion i Ushtrisë. Ndeshja më e bukur ndërkombëtare që kam zhvilluar është ndaj Frederik Shulc, të Gjermanisë. Jemi ndeshur në Gustrov të Gjermanisë Lindore. Unë isha pjesë e ekipit kombëtar. Natyrisht, kam zhvilluar shumë takime, por kjo ka qenë nga më të veçantat, me një luftë shumë të fortë sportive.

-A ndiqej boksi në atë kohë dhe si ishte i organizuar ai?

Shumë, jashtëzakonisht shumë. Madje boksi ishte krahas futbollit një nga sportet më të ndjekura. Ndeshjet i bënim paradite që të mos pengonim futbollin pasdite. Stadiumet mbusheshin plot kur kishte ndeshje boksi. Shqiptarët e duan këtë sport. Kishte shumë pjesëmarrje, të organizuar në kategori të ndryshme. Qytetet e mëdha e kryesore ishin në kategorinë e parë, si Tirana, Shkodra, Durrësi, Korça, Vlora. Ai që dilte i fundit binte nga kategoria, kurse në kategorinë e dytë ai që dilte i pari ngjitej në kategorinë e parë. Në atë kohë formula ishte ndryshe nga sot. Për shembull, sot është me eliminim direkt, por në atë kohë kishte ndeshje në formë rrethi, ku secili boksier do të ballafaqohej me të tjerët. Fitonte vendin e parë ai që korrte më shumë fitore. Kjo kishte anën e saj të mirë, pasi një boksier i bënte llogaritë hap pas hapi, edhe po të humbte një ndeshje, ai ishte sërish në garë, madje mund të fitonte titullin.

-Në këndvështrimin tuaj, kush ishin boksierët më të mirë të asaj kohe?

Ka pasur shumë boksierë të mirë, sigurisht, por unë mund të veçoj Niko Milen (një boksier me cilësi tekniko-taktike të nivelit të lartë), Mehmet Kryeziun, Hysen Sharra, Ymer Reçi, Martin Çeta dhe padiskutim Theodhor Janku që është “mbreti” i boksit shqiptar. Janku ishte 12 herë kampion radhazi kombëtar, pa asnjë humbje. Dua të veçoj edhe Halil Petrelën, që doli kampion në vitin 1963 e që kishte trajner pikërisht Todi Jankun.

-Pse u mbyll boksi?

Ka dy variante. Në atë kohë ne kishim marrëdhënie të mira me Kinën dhe meqë e hoqi ajo e hoqëm edhe ne. Kina e hoqi në vitin 1958, por e riktheu më 1966, kurse ne e hoqëm më 1963 dhe e rikthyem pas rënies së sistemit më 1991. Shkak i heqjes në Kinë u bë një manifestim ku ishte i pranishëm udhëheqësi Mao Ce Dun. Boksierët dhanë spektakël, por pas manifestimit Mao kishte thënë “kinezi rreh kinezin”. Kaq u desh dhe e hoqën. Kurse ne e hoqëm nën shembullin kinez. Alternativa e dytë lidhet me atë që është sport i rëndë. Në fakt është një sport i vrazhdë dhe në kampionatin e fundit u bë një sherr midis Tiranës dhe Partizanit. Aty vendosën ta mbyllnin, me Todin si 12 herë kampion kombëtar.

-A kemi ne premisë për të pasur boks cilësor?

Përgjigjen time do ta jap të bazuar në përshtypjet që unë kam marrë nga specialistë ndërkombëtar. “Keni talente shumë të mira dhe një brum të mirë që me pak punë mund të arrijë nivele shumë të larta dhe të konkurrojë në nivel ndërkombëtar”, më kanë thënë specialistë të njohur të federatës europiane e botërore.

-Pse boksierët tanë shkëlqejnë vetëm jashtë?

Të jemi të sinqertë ne ende nuk e kemi kapur nivelin brenda vendit për të qenë në parametrat që kërkohen për ringun elitar, shkurt për Olimpiadën. Kjo ndodh ngaqë jashtë shtetit boksierët kanë kushte më të mira dhe bëjnë fazë parapërgatitore serioze. E dyta është se jashtë shkojnë ajka e boksierëve tanë. Një sport quhet i kompletuar kur arrin të përfaqësohet në Olimpiadë. Ne ende s’e kemi arritur. Të rrimë me këmbë në tokë, ne ende kemi vështirësi në planin taktik. Këtë dobësi e kemi pasur dhe më parë. Taktika është shkencë. Në rininë time kishte libra për boksin dhe ne mbështeteshim tek përvoja e boksit italian. Në aspektin fizik dhe përgatitjes morale sot boksi ynë është mirë, por duhet përpunim taktik. Trajnerët nuk bëjnë shumë në këtë drejtim. Boksi nuk është thjesht forcë, duhet të dish si futesh në sulm dhe si të dalësh nga sulmi. Boksi kërkon përgatitje shumëplanëshe për të pasur sukses.

-Ka ndonjë nga të rinjtë vendas që të lë mbresa?

Sigurisht që ka, dua të veçoj Xhulio Vrenozin, i cili fitoi kupën e boksierit të perspektivës dhe tani garon jashtë vendit. E morën italianët por ai ka bërë një marrëveshje që lejohet të garojë për flamurin shqiptar. Nga shqiptarët që garojnë jashtë dua të veçoj vëllezërit Keta, Ismaili në kikboks dhe Gjetani në boksin klasik, por edhe Feriti, që prezantohen shumë mirë me flamurin kuqezi në ringjet ndërkombëtare.

-Kush është boksieri më i madh sipas jush?

S’ka nevojë për koment, Mohamed Ali është boksier i kohërave. Pasi boksi u ndërpre tek ne, shkonim deri në Durrës për të parë ndeshjet e boksierëve amerikanë si Ali etj, nëpërmjet kanaleve italiane. Në atë kohë spikati treshja Ali-Frejzer-Foreman, kurse në vitet 2000 spikati treshja tjetër e madhe Tajson-Holifild-Ljuis.

-Cili është mendimi juaj për infrastrukturën sportive të boksit në Shqipëri?

Të jemi të sinqertë nuk është në nivelin bashkëkohor. Hapa të mëdhenj përpara janë bërë, sigurisht, por mbetet ende dhe shumë për t’u bërë. Mungon baza materiale e shkencore për përgatitje moderne të boksierëve. Një tjetër element ku duhet punuar është ana psikologjike dhe sjellja profesioniste. Mangësia e boksierëve tanë është se dominojnë raundin e parë dhe krijojnë vetëbesim, duke nënvlerësuar kundërshtarin. Boksi është strategji dhe nëse nuk e zbaton si duhet atëherë pëson nokdaun.

-Si e sheh të ardhmen e boksit në Shqipëri?

Që kur u rikthye në vitin 1991, boksi ka bërë hapa të mëdhenj përpara. Ndërprerja 28-vjeçare ka lënë gjurmë në nivelin tekniko-taktik, por përpjekjet për të bërë boks profesionist dhe shtimi i aktiviteteve dhe ndeshjeve ndërkombëtare do të sjellë përmirësim. Për këtë rekomandoj të lexohet më shumë, librat e boksit të vihen në dispozicion të federatës e trajnerëve. Librat janë baza për përgatitjen fizike dhe metodikën stërvitore. S’është kollaj të kualifikohesh në Lojërat Olimpike. Ka vende që kanë zhvillim të madh në sport dhe i kanë të qarta objektivat e tyre. Që të shkosh në Olimpiadë duhet të ndjekësh një strategji efikase. Caktohen 12 kategori peshash e në një kampionat të madh me vlerë kualifikuese mund të shkosh edhe me dy boksierë në një peshë. Duhet punë, mbështetje, investim që të realizosh këtë objektiv.

-A jeni i kënaqur nga karriera juaj sportive, veçmas në boks?

Sigurisht që po. Boksi më ka dhënë shumë mundësi në jetë, më së pari mundësinë e shkollimit, e më pas si kuadër. Këtë ia dedikoj klubit Partizani, i cili më mundësoi edhe të punoja në shkollën “Skenderbej”. Për punë të mirë me çuan në Institut, ku për 10 vjet isha pedagog i boksit. Në familje sporti është i rëndësishëm dhe traditën e ndoqi vajza ime, Mirela Reka, që fitoi kampionat në gjimnastikën sportive, po tek Partizani. Kam shkuar në shumë aktivitete të boksit, kam pasur rastin të takoj në Hungari rivalin që e kisha mundur në “Qemal Stafa”, George Jaçku, i cili kishte dhe fotografinë me mua. Ky sport më ka dhënë emocione të mëdha e kohëra të paharruara.

Intervistoi: Adriatik BALLA