BREAKING NEWS

Shënohen 124 raste të reja me koronavirus në Shqipëri në 24 orët e fundit

Shënohen 124 raste të reja me koronavirus në Shqipëri
x

Sport

Ramos nderon Realin, “Los Blancos” me një dorë tek titulli kampion në Spanjë

Ramos nderon Realin, “Los Blancos” me një dorë tek titulli

Debati në Spanjë për arbitrat nuk do të ndalet deri sa të përfundojë sezoni, sidomos pas fitores së djeshme të Realit të Madridit, në transfertën e vështirë ndaj skuadrës baske të Atletikos së Madridit, ku “Los Blancos” fituan 1-0 me një penallti të dyshimtë të shndërruar në gol nga kapiteni Serxhio Ramos. Sidoqoftë, mjafton dhe një gol i tillë për ta afruar Realin me objektivin final, pasi tani skuadra e Zidanit ka prekur me një dorë titullin kampion në La Liga spanjolle. Kështu, për interpretim korrekt të ndeshjes, duhet thënë se Serxhio Ramos bëhet sërish protagonist te Reali i Madridit, pasi u ka dhënë të tijve një tjetër 3-pikësh, që tani i çon kryeqytetasit akoma më pranë titullit kampion, kur kanë mbetur edhe 4 javë për t’u luajtur. Në testin më të vështirë të javëve të fundit, transfertën baske ndaj Athletik Bilbaos, “Los Blancos” vuajtën jo pak për të marrë fitoren minimal 0-1, me golin që u shënua vetëm në minutën e 72-të nga ana e kapitenit Ramos. Pjesa e parë ishte mjaft e balancuar dhe të dy skuadrat patën raste të mira shënimi, ndërsa më pranë golit shkuan vendasit, por Inaki Uilliams gaboi përballë Thibaut Kurtua dhe gjuajti mbi kuadrat. Madrilenët u treguan më agresivë në pjesën e dytë dhe arritën që me ndihmën e VAR-it, të fitojnë një 11-metërsh me anë të brazilianit Marcelo, i cili i vodhi kohën mbrojtësit bask Garcia dhe e detyroi këtë të fundit ta pengojë në zonë. Nga pika e penalltisë shkoi Serxhio Ramos që gjuajti saktë dhe e dërgoi sferën në rrjetë, duke shënuar kështu golin e 10 sezonal në kampionat dhe duke u dhënë madrilenëve një tjetër 3-pikësh me vlerë, pas atij ndaj Getafes tri ditë më parë. Me këtë fitore Reali i Madridit shkon në kuotën e 77 pikëve dhe e rrit në 7 pikë diferencën nga Barcelona e vendit të dytë, që do të luajë mbrëmjen e sotme në transfertë ndaj Vilarealit. Kur kanë mbetur edhe 4 javë nga fundi, duket e pamundur që Reali të gabojë aq sa për të vënë në rrezik titullin, që duket se është nisur tashmë drejt Madridit. Pas takimit, sulmuesi i Atletikos së Bilbaos, Iker Muniain, tha se Reali favorizohet nga arbitrat, duke iu referuar penalltisë që u shndërrua në gol nga Serxhio Ramos. “Tani jemi duke e parë në xhirot e fundit në favor të cilit ekip janë duke marrë vendime. Secili prej jush merreni si te doni”, u shpreh i zemëruar Iker Muniain. Sipas tij nuk ishte penallti ajo e Marcelos, derisa është i irrituar se si VAR nuk e shikoi shkeljen që iu bë Garcias, sipas të cilit mund të kishte qenë penallti. Ndërkohë, kritikave të shumta se Realit po i bëhen ndere me arbitra e me VAR, u është përgjigjur dje trajneri Zinedin Zidane, i cili theksoi se është lodhur nga qëndrime të tilla dhe se Reali e meritonte titullin këtë sezon. “Jam lodhur duke dëgjuar se VAR po i dhuron penallti Real Madridit. Duket sikur po i fitojmë ndeshjet për shkak të gjyqtarëve dhe nuk është ashtu. Duhet të respektohet Real Madridi dhe lojtarët. Të fitojmë 7 ndeshje me radhë… është fantastike kjo çfarë po bëjnë lojtarët. Nuk përzihem në punën e gjyqtarëve, ata e kane punën e tyre, shikojnë… dhe kështu është. Është një fitore e rëndësishme, kemi treguar forcën tonë”, u shpreh trajneri francez, Zinedin Zidane.