Sport

Ramos: Reali do të kishte fituar më shumë trofe nëse Mesi nuk do të ishte pjesë e Barçës

Ramos: Reali do të kishte fituar më shumë trofe nëse Mesi

Mbrojtësi dhe kapiteni i skuadrës madrilene e pranon se Mesi ka luajtur një rol të madh në frenimin e Realit drejt sukseseve absolute

Dueli midis Realit të Madridit dhe Barcelonës në kampionatin spanjoll është i përmasave të pazakonta. Ky del, i quajtur edhe si “El Clasico”, merr një vëmendje europiane e botërore, për shkak të rivaliteti të madh dhe cilësisë futbollistike që prezantojnë të dy ekipet. Natyrisht, skuadrat kanë pasur ulje-ngritjet e tyre, por në dy dekadat e fundit ky dominim ka qenë i barabartë në periudha të caktuara. Barça e viteve 2008-2012 llogaritet të ketë një prej skuadrave më të mira në historinë e futbollit, kurse Reali i pas vitit 2015 mori disa Champions radhazi, nën trajnerin Zinedin Zidane, duke u bërë me 13 trofe të UEFA Champions League, pothuajse sa dyfish i skuadrave të tjera më të mira si Bajern e Barça. Kur afrohet dueli i “El Clasicos”, deklaratat e lojtarëve marrin vlerë të veçantë dhe lexuesit nuk mund t’i anashkalojnë qëndrime të tilla që lidhen me gjendjen emocionale të lojtarëve dhe stafeve para dueleve të tilla vendimtare për fatet e sezonit. Kështu, në vigjilje të “El Clasicos” së fundit për këtë sezon atë që do të zhvillohet në Alfredo Di Stefano mes Realit të Madridit dhe Barcelonës që mund të vendosë shumë edhe përsa i përket fateve të titullit kampion, gazeta madrilene “Marca” nga publikuar disa momente nga “Legjenda e Serxhio Ramos”, kështu titullohet seriali që pritet të publikohet së shpejti. Në disa nga intervistat që ka dhënë kapiteni i “Los Blancos” kuptohet qartë se nëse nuk do të ishte për Lionel Mesin, Ramos do të kishte fituar shumë më tepër trofe me Realin gjatë këtyre dy dekadave. I transferuar në vitin 2005 nga Sevilje te Reali i Madridit, mbrojtësi 35-vjeçar është duke luajtur sezonin e tij të 16-të me klubin merengues, teksa deri tani ka arritur të fitojë 5 tituj të La Ligas, 4 Champions League dhe 2 Kupa Mbreti pa harruar trofe të tjerë si Superkupa të Spanjës, Superkupa Europe e Botërorë klubesh. Në një nga intervistat e Ramos në serial, dëgjohen këto fraza: “Ne e kemi vuajtur faktin që Barcelona kishte Mesin. Nëse nuk do ta kishte dhe ne nuk do ta kishim kundër, mendoj se do të kishim fituar më shumë tituj. Ishte një periudhë kur ne e matëm veten kundër Barcelonës më të mirë në histori. Ne kishim një trajner të shkëlqyer si Murinjo, por ishte e vështirë për ne të përballeshim me ta. Ne nuk fituam shumë dhe kjo ndodhi edhe për faktin se kishte shumë tension të krijuar nga ne vetë ose nga ata. Të gjithë mendoj se kemi bërë gabime”, është shprehur Ramos mes të tjerash, ndërkohë që rivalitetin Barça-Real ai e ka konsideruar një faktor shumë të rëndësishëm edhe për sukseset e Spanjës në arenën ndërkombëtare. Serxhio Ramos ende nuk ka vendosur nëse do të rinovojë kontratën e tij me “Los Blancos” e cila i skadon në fund të këtij sezoni, por gjasat më të mëdha janë që mbrojtësi spanjoll të largohet nga Reali. Në të vërtetë një qëndrim të tillë me tendenca largimi ai e ka shfaqur edhe vetë në daljet para gazetarëve, duke thënë se një situatë e tillë “as mish e as peshk” nuk mund të vazhdojë gjatë dhe nuk e përjashtonte të kalonte në një klub tjetër sezonin e ardhshëm.