BREAKING NEWS

Njoftim i rëndësishëm nga Policia/ Si dhe në cilat shtete mund të lëvizin shqiptarët (DETAJET)

Njoftim i rëndësishëm nga Policia/ Si dhe në cilat shtete
x

Sport

Reagon Eros Grezda: Qëllova me grusht, pasi kundërshtari më fyeu kombësinë

Reagon Eros Grezda: Qëllova me grusht, pasi kundërshtari më fyeu

Eros Grezda bën gabimin e radhës. Përdor grushtet për të nxjerrë inatin me lojtarin kundërshtar, duke e qëlluar për fyerjen që i bëri në bazë të kombësisë. Edhe pse reagimi duket i ligjshëm kur është fjala për fyerje në bazë të kombësisë, për një futbollist profesionist, qëllimi me grusht i një lojtari kundërshtar është i patolerueshëm dhe duket se për këtë sulmuesi kuqezi do ta pësojë me një dënim të rëndë. Ai ka reflektuar dhe ka justifikuar veten për pozitën ku është ndodhur, por besohet se Grezda mund ta pësojë keq nga federata kroate e futbollit, e cila e ka futur gjestin e sportistit pas ndeshjes gjysmëfinale të Kupës së Kroacisë në fokusin disiplinor.

Reagimi i Grezdës

Sulmuesi i krahut i përfaqësueses kuqezi, Eros Grezda u bë, siç thamë, protagonist i ngjarjeje të shëmtuar në fund të gjysmëfinales së dytë të Kupës së Kroacisë mes Rijekas dhe Osijek që përfundoi me fitoren 3-2 me përmbysje të skuadrës vendase. Shqiptari i Osijek i cili në atë takim u aktivizua për 62 minuta, në përfundim të sfidës u përplas fizikisht me sulmuesin e Rijekas Antonio Colak dhe e goditi me grusht në kokë kundërshtarin e tij. Pas kësaj ngjarjeje të shëmtuar Grezda ka reaguar në faqen e klubit të tij Osijek duke shpjeguar arsyet e veprimeve të tija që sollën një dhunë të paprecedentë mes futbollistëve të dy skuadrave. Grezda akuzon sulmuesin e Rijekas Kolak se para, gjatë dhe pas ndeshjes e ka fyer në aspektin personal dhe atë kombëtar. “Më vjen shumë keq që u gjenda në qendër të vëmendjes së mediave, sidomos për kontekstin e çdo gjëje që ka ndodhur përpara dhe gjatë ndeshjes me Rijekan. Të gjithë ne ishim të zhgënjyer nga fakti se si sportistë u dëmtuam gjatë takimit dhe na u mohua fitorja, të cilës i ishim pranë. Nuk është e lehtë për ne të durojmë padrejtësinë në fushë dhe të qëndrojmë të qetë, sidomos kur dikush na fyen. Kur vjen puna te fyerjet e rënda në aspekt personal dhe kombëtar, qoftë si njeri, qoftë si sportist jam shumë i ndjeshëm. E gjitha kjo ndodhi jo vetëm gjatë ndeshjes, por dhe pas saj. Unë po qëndroja përpara autobusit të skuadrës sime dhe sulmuesi rival Kolak po kalonte para meje në mënyrë provokuese. Jam përballur me provokimet e tij gjatë gjithë ndeshjes. Jetoj për shumë vite në Kroaci. I përmbush detyrimet e mia si qytetar dhe i paguaj taksat dhe nuk e meritoj që dikush të më fyejë për ndjenja kombëtare. Do të marr të gjitha hapat ligjor për të mbrojtur veten dhe nderin tim”, shprehet Grezda pas ngjarjes së ndodhur.

Ndëshkimi

Gjesti i sulmuesit shqiptar duket i rëndë dhe kjo pranohet edhe në median sportive kroate që i ka kushtuar shumë vëmendje ngjarjes. Me grushtin që i dha rivalit të tij, Eros Grezda rrezikon të dënohet nga 2 deri në 6 ndeshje nga komisioni i Etikës në Federatën Kroate të Futbollit, por në rast se gjesti i tij cilësohet i rrezikshëm, shqiptari mund të pezullohet për 6 muaj nga futbolli. Nëse kjo ndodh atëherë 25-vjeçari do të merrte një tjetër goditje në rëndë, në një moment kur shpreson të rifitojë formën e tij optimale dhe të grumbullohet sërish nga Kombëtarja Shqiptare e Futbollit pas eksperiencës së dështuar te Rejnxhërs në Skoci. Grezda është futbollist me kualitet të lartë teknik dhe ka qenë në hapat e parë një zbulim i mirë. Ai pati një rritje të konsiderueshme që kur ishte 16 vjeç dhe kapi shpejt pjesëmarrjen në Kombëtare. U duk se do të kishte shpërthim të madh, por nuk ndodhi kështu, kthimi në kampionatin kroat tek Osijeku, si duket po i shkakton probleme dhe shihet hapa pas në karrierë, dhe si duket kjo e nervozon së tepërmi sulmuesin kuqezi, të cilit i nevojitet qetësia për të kaluar këtë situatë dhe për të menduar të përmirësojë karrierën e tij, pasi ai e ka potencialin e duhur fizik e teknik.