
Postuar: 10/02/2019 - 07:52
Nëse ndihmësgjyqtari i videos (video asisstent referee-VAR) do të ishte interpretuar më mirë dhe në funksion të “fair-play”-it, atëherë në derbin e madh të Madridit në La Liga spanjolle do të kishim me shumë gjasë një pasqyrë tjetër statistikore nga rezultati me të cilin u mbyll dje pasdite dueli më i rëndësishëm i javës së 23-të në kampionatin spanjoll. Fitoi Reali i Madridit 3-1, por mes kontestimesh të shumta, pasi u pretendua për mohimin e një goli të rregullt dhe mosdhënien e një penalltie që dukej sade në favor të skuadrës së Diego Simeones. Ka shumë gjasë që derbi i djeshëm i Madridit mes Atletikos dhe Realit të prodhojë debate të forta në Spanjë rreth gjyqtarisë dhe sidomos teknologjisë VAR. Sidoqoftë, rezultati zyrtar është në favor të “galaktikëve”, sepse fituan me rezultatin 3-1 dhe i marrin Atletikos edhe vendin e dytë, duke u afruar me vetëm pesë pikë ndaj Barcelonës që mban ende kreun. Ndeshja e luajtur në “Uanda Metropolitanos” pati emocione të forta dhe rivalitet të spikatur, por u fitua siç thamë nga Reali, me shifrat 3-1, në një ndeshje ku më shumë se futbollistët protagonist u bë “VAR”-i, thelbësor në 2 nga 4 golat e shënuar në total, sepse anuloi një tjetër finalizim të Atletikos (Morata në pozicion milimetrik jashtë loje) si dhe nuk akordoi penallti në favor po të Alvaro Moratës (kur rezultati ishte 1-2). Një trepikësh shumë i rëndësishëm për “Los Blancos”, që parakalojnë pikërisht “Los Colchoneros” në renditje, duke ngushtuar në 5 pikë diferencën me Barcelonën, që gjithsesi ka një ndeshje më shumë për të luajtur, atë të kësaj të diele me Athletik Bilbaon në transfertë. Takimi u zhbllokua me një supergol të shënuar nga Kasemiro me roveshatë, i gjendur në vendin dhe kohën e duhur. Atletiko barazoi 9 minuta më vonë me Antuan Griezman, i nisur në pozicion të dyshimtë. “VAR”-i konfirmoi pozicionin e rregullt të francezit, por nuk mori në konsideratë ndërhyrjen ndaj Vinicius, që ktheu topin te kundërshtari. Para se të mbyllej pjesa e parë, Vinicius fitoi një 11-metërsh me ndërhyrjen e “VAR”-it (ndërhyrje thuajse mbi vijë), që u shndërrua në gol nga Serxhio Ramos. Mbrojtësi e Realit, përtej golit të realizuar u ndëshkua me karton në këtë ndeshje, duke u bërë me më shumë kartonë të verdhë e të kuq në Ligën Spanjollë, në El Clasico, në tërësi në Spanjë dhe UEFA Champions League. Dukjet se Ramos është i “abonuar” me kartonët dhe ka një “dashuri” të flaktë për ta. Reali ishte më dinamik në lojë dhe në minutën e 74-t shënoi edhe golin e tretë me Gareth Bale, pas asistimit të Luka Modriçit. Për Atletikon ndeshja u mbyll me ndëshkimin e Thomas me kartonin e dytë të verdhë 10 minuta para përfundimit të kohës së rregullt. Për skuadrën e Simeones kjo ishte humbja e dytë radhazi në La Liga (u mposht 1-0 edhe nga Betisi një javë më parë) dhe kjo tregon shenja krize të forta, megjithëse gara për kreun vijon të jetë e fortë dhe e hapur në Spanjë./Adriatik BALLA
/Agjensia e Lajmeve Sot News/