BREAKING NEWS

Meta akuzoi Kuvendin dhe Komisionin e Ligjeve si ‘falsifikatorë’, reagon Manja dhe i jep ‘shuplakën’ e rëndë Presidentit: Del çdo 2 orë në konferencë! Grushti i shtetit në oborrin e presidencës!

Meta akuzoi Kuvendin dhe Komisionin e Ligjeve si
x

Sport

Reali fiton derbin e Madridit me Atletikon, vendos Benzema, “Los Blancos” favoritë për titullin

Reali fiton derbin e Madridit me Atletikon, vendos Benzema, “Los

Madrilenët fituan me rezultatin 1-0 dhe shkojnë 6 pikë para Barcelonës, e 13 pikë para Atletikos, duke i nxjerrë këta të fundit nga gara për titull

Barcelona nuk ka shanse të fitojë të gjithë trofetë sezonalë sa kohë Realin e Madridit e drejton një legjendë si Zinedin Zidane. Aq e besueshme është kjo sa nuk mjaftuan 3 tituj Champions radhazi në vitit që shkuan, por me rikthimin e teknikut francez në krye të “Los Blancos”, Reali po merr revansh dhe tani është një prej ekipeve të frikshme, thuajse i pandalshëm dhe kuptohet, në vend të parë në La Liga spanjolle. Dje madje mori një fitore të madhe në derbin e Madridit me Atletikon, duke bërë që të “fluturojë” në krye të kampionatit spanjoll e të shohë poshtë vetes rivalen e vjetër, Barcelonën, e cila nuk po ndjek sa duhet. Nuk është vetëm diferenca me pikë (6), por është pikërisht trendi në rritje i Realit që e shqetëson Barçën dhe për këtë meritat i merr pikërisht trajneri Zinedin Zidane. Sa i takon ndeshjes së djeshme, Reali fitoi 1-0 me gol të Karim Benzema në minutën e 56-të. Mjaftoi ky gol që Reali të merrte tri pikë e të forcojë pozitat në kryesim. Kur fitorja vjen në derbi vlera e saj rritet shumë dhe Reali i Zidanit e di mirë këtë. Tashmë presioni i gjithi është mbi Barcelonën dhe trajnerin e saj Setien, pasi sot duhet të fitojë sfidën e tyre për t’i qëndruar afër rivalit madrilen. Ndeshja e djeshme derbi Real-Atletiko nisi me një minutë heshtje në nderim të legjendës amerikane të basketbollit Kobe Brajant, i cili humbi jetën këtë javë gjatë një aksidenti me helikopterin personal, ndërsa të pranishmit në stadium duartrokitën gjatë për të.

Pjesa e parë ishte shumë e luftuar nga të dy skuadrat, me Realin që u mundua të marrë kontrollin e lojës, por përveç disa momenteve të bukura të Iskos, rrallë arriti të shfaqet kërcënues para portës së Oblak. Nga ana tjetër “Los Colchoneros” zbritën disa herë rrezikshëm me kundërsulme dhe krijuan 2-3 mundësi mjaft të mira me Korrean, ndërsa në një moment pretenduan edhe për penallti me Torres, por kontakti nuk ishte mjaftueshëm bindës për arbitrin e takimit. Pjesën e dytë Zidane e nisi me dy zëvendësime, duke hequr nga fusha Toni Kros e Isko, për të aktivizuar Vinicius e Lukas Vaskez dhe duket se gjithçka e kishte studiuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Kjo pasi “Los Blancos” shtuan presionin dhe në një aksion të nisur nga këmbët e Vinicius, ishte Mendi që shërbeu saktë për Benzema në zonë, aty ku sulmuesi francez nuk mund të gabonte dhe dërgoi topin në rrjetë. Deri në fund ishte sërish Reali që i shkoi më pranë golit të dytë, ndërsa përpjekjet e Atletikos ishin të pamjaftueshme për të shmangur humbjen, një rezultat që nuk e njihte prej 7 sezonesh në “Santiago Bernabeu”. Me këtë fitore Reali ngjitet në kuotën e 49 pikëve, 6 më tepër se Barcelona dhe 13 më tepër se Atletiko e Madridit, duke nxjerrë këta të fundit njëherë e mirë nga gara për titullin kampion. Është një diferencë e ndjeshme dhe në kushtet kur në krye është Reali, për ekipin e Simeones gjërat vështirësohen së tepërmi.