BREAKING NEWS

"Jap dorëheqjen nëse merr 71 mandate”/ Rama komenton deklaratën e bujshme të Ilir Metës, zbërthen skenarin e presidentit me Sali Berishën: O pushtetin o kokën e Lulit!

"Jap dorëheqjen nëse merr 71 mandate”/ Rama komenton
x

Sport

Reja del nga “linja”, që prej kohës së Bariçit bëhet i pari trajner që hedh sytë nga Superiorja

Reja del nga “linja”, që prej kohës së Bariçit

Trajneri i Kombëtares Edi Reja është i pari teknik i huaj që nga koha e Oto Bariçit që hedh sytë nga kampionati shqiptar. Ish-tekniku kroat i përfaqësueses tonë, i ndarë nga jeta pak muaj më parë, ishte “dashuruar” me kampionatin, pasi gati gjysmën e skuadrës përfaqësuese e kishte seleksionuar pikërisht në kampionatin shqiptar me emra si Duro, Dede, Muka, Beqiri etj. Që prej asaj kohe (2006-2008), asnjë teknik i Kombëtares nuk kishte preferuar të merrte në formacion ndonjë lojtar nga kampionati shqiptar. Natyrisht, me përjashtim të Alban Hoxhës dhe ndonjë tjetri, as Reja nuk ka preferuar elementë të Superiores në formacionin titullar, por është fakt që Reja ka një qasje ndryshe nga të tjerët. Ai po kërkon mundësi dhe këtë e ka shprehur edhe publikisht, madje duke kërkuar bashkëpunim me trajnerët e Superiores që ta njoftojnë për formën e lojtarëve cilësorë dhe t’i rekomandojnë elementë cilësorë. Madje Reja ka zgjedhur dy emra për t’u përfaqësuar në këtë drejtim, si hap i parë për një qasje më të fortë në Superligë. “Po ndjek Hoxhallarin dhe Ismajlgecin, të cilët i kam pasur në grumbullim dhe i njoh paksa. Po shikoj dhe monitoroj lojtarë të tjerë, sepse duam të marrim lojtarë nga kampionati shqiptar. Janë lojtarë që kanë treguar se kanë cilësi. Nuk e di se çfarë ndodh te skuadrat, nuk arrij ta kuptoj, mendoj se është mentaliteti. Ka raste që futbollistët nuk japin maksimumin në fushë. Duhet të njoh dhe të krijoj raporte nga afër edhe me trajnerët e klubeve dhe të flas me ta. Por për shkak të pandemisë nuk kam mundur, pasi dua të kem kontakte direkte me trajnerët. Sapo të mbarojë pandemia do të flas më shpesh me ta”, u shpreh Reja.

Kuqezinjtë në Europë, Reja është i kënaqur

Tekniku Edi Reja është kthyer në Shqipëri ndërsa ka nisur të mendojë për dy ndeshjet e para të marsit, për kualifikueset e Botërorit të Katarit. Kuqezinjtë do ta nisin këtë aventurë me Andorrën në transfertë dhe më pas presin në shtëpi, Anglinë. Duke folur për “Top Channel, Reja thekson se lojtarët shqiptarë në Europë janë në një moment të mirë dhe thuajse të gjithë janë duke luajtur, ndërsa 75-vjeçari shpreson që kjo situatë të mos ndryshojë. “Kemi pasur disa lojtarë me probleme fizike, por edhe me Covid, të cilët po rikuperohen. Disa janë në moment të mirë, si Xhimshiti, i cili kur erdhi fillimisht në Bergamo të punonte me mua nuk ishte në këto nivele, ndërsa tani luan me një lehtësi të madhe, përballon të madh e të vogël, po tregon një rendiment të jashtëzakonshëm. Kumbulla që luajti fillimisht kur kaloi te Roma, ndërsa tani po merr veten. Ai ka luajtur me të gjitha ekipet e moshave te Verona dhe impakti ka qenë i fortë, të kalosh nga Verona, tek ekipi i Romës, ku edhe nëse bën ndonjë gabim të vogël menjëherë të kritikojnë. Por po e merr veten, sepse ka personalitet, kualitetin e ka, por duhet të presë pak. Flas shpesh me të dhe është një lojtar që kaq kapacitetet për të shkuar më lart. Dhe sigurisht jam i lumtur për Ismajlin. Iu desh të priste disa muaj, por tani po aktivizohet dhe po luan mirë. Lojtarët e tjerë si Laçi dhe Bare po luajnë, Abrashi është rikthyer te Bazeli dhe po luan. Edhe shqiptarët që janë në klubet kroate po luajnë, ne po i monitorojmë dhe po paraqiten mirë. Po luan shumë mirë Doka, Cikalleshi dhe Manaj gjithashtu. Po luajnë thuajse të gjithë”, shtoi Reja.

Hysaj dhe Strakosha, shqetësimi i Rejës

Trajneri i Kombëtares foli dhe për dy lojtarë cilësorë e të formacionit në prapavijë, Hysajn dhe Strakoshën, që nuk po kalojnë një moment të mirë “Kam folur me Hysajn, më ka thënë që ndihet mirë. Nuk ka rinovuar, por ka oferta nga jashtë, mund të shkojë të luajë në Spanjë. Edhe në Itali ka oferta ku duket se Roma ka treguar interes për të. Ai është 27 vjeç dhe nuk mendoj se ka probleme për të gjetur skuadër. E rëndësishme është që të luajë për të ruajtur kondicionin fizik. Strakosha ka disa probleme fizike, nuk është se s’po luan për ndonjë arsye tjetër. Ai ka probleme me gjurin, kam folur me të dhe ka qëndruar jashtë fushe për disa kohë. Edhe kur erdhi herën e fundit në grumbullimin e Kombëtares, nuk bëri dot asnjë seancë stërvitore me ne. Ka luajtur gjithmonë i sforcuar dhe shpresoj që të rikuperohet sa më shpejt”, përfundoi Reja.