BREAKING NEWS

KLSH zbarkon në institucionet e dy qyteteve të rëndësishme të vendit/ Kallëzohen 7 funksionarë publikë në Prokurori. Kush janë zyrtarët e lartë dhe akuzat që rëndojnë mbi to

KLSH zbarkon në institucionet e dy qyteteve të rëndësishme
x

Sport

Reja mbron Hysajn tek Napoli: Ka qenë ndër më të mirët, Napoli me të duhet të luajë në Champions

Reja mbron Hysajn tek Napoli: Ka qenë ndër më të mirët,

Lojtarët e përfaqësueses kuqezi po nxitojnë të mbyllin një sezon pozitiv dhe statistikat që kanë në aspektin individual u japin të drejtë për të pasur një sezon që mund të marrë notë maksimale për shumë prej tyre. Nga të gjithë ojtarët e përfaqësueses, më të spikaturit me skuadrat e tyre dhe për sezonin që po bëjnë janë Gjimshiti dhe Hysaj, por edhe Berisha, Ismajli, Uzuni e ndonjë tjetër, të cilët kanë bërë një sezon fantastik dhe kanë marrë vlerësime nga klubet e tyre dhe nga mediat sportive serioze europiane. Natyrisht, rritja e performancës në javët e fundit është dhe një përkushtim më shumë i lojtarëve që të rrisin kreditit e tyre në prag të merkatos së verës. Disa lojtarë janë duke menduar ndryshimin e skuadrës në verë dhe ndër emrat kryesorë të Kombëtares që lakohen se mund të ndryshojnë ambient janë Strakosha dhe Hysaj. Të tjerë elementë duan më shumë minuta dhe po përpiqen të kenë statistika më të mira.

Reja komenton Napolin dhe mbron Hysajn e quan “lojtar Championsi”

Edi Reja, trajneri i përfaqësueses shqiptare, është i bindur se skuadra e Napolit do të arrijë të kualifikohet në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm dhe do ta mbyllë këtë edicion mes katër të parëve në Itali. Në një intervistë në mediat italiane, ai analizoi arsyet e këtij suksesi të napolitanëve, duke futur mes meritave kryesore padyshim trajnerin Gatuzo, por edhe Elseid Hysajn. “Mendoj se nuk do të ketë probleme të arrijë në Ligën e Kampioneve. Nuk është asnjëherë e lehtë të fitosh, por e shoh që ka avantazh në krahasim me të tjerët, ka kalendarin më të thjeshtë. Tani varet gjithçka prej tyre. Ata dhe Atalanta janë skuadra që kanë formë më të mirë dhe në sprint. Duke njohur Gatuzon nga pikëpamja e karakterit, do të dijë të mbajë lart vëmendjen. Ka rikuperuar Osimhen, i cili në hapësirë është shkatërrimtar, por ka në dispozicion një ekip të kompletuar dhe me shumë cilësi. Unë e kisha vendosur Napolin mes pretendentëve për titull, pa dëmtimet dhe COVID do të kishte luftuar me Interin. Nëse e sheh Napolin e sotëm, disa merita janë të Gatuzos, i është dashur pak kohë për të gjetur zgjidhjet dhe ekuilibrin e duhur, por ia doli në fund. Nëse luan me skuadra në nivelin tënd, mund të luash edhe me Fabian e Bakajoko. Pastaj ka gjetur një ekuilibër të jashtëzakonshëm edhe falë aftësive mbrojtëse të Hysajt, Zgjidhja me Deme e Bakajoko mua më pëlqen shumë”, tha Reja. duket qartë se nga ato pak fjalë që ka thënë për Hysajn, trajneri Reja ka dashur që të orientojë politikën e Napolit në treg, me bindjen se Hysaj është aset dhe duhet mbajtur në klub. Pra, vlerësimi i Rejës për Hysajn si mbrojtës që ka bërë mirë detyrën e tij, është një apel për Napolin që ta vlerësojë mundësinë e përtëritjes së kontratës me mbrojtësin shqiptar.

Roma, më e interesuara për Hysajn

Edhe pse bisedimet mes Hysajt dhe Romës nuk janë pranuar zyrtarisht, në median italiane është folur por bisedime konkrete dhe në këtë mes është përfshirë menaxheri i Hysajt, Mario Xhiufredi, i cili u ka kujtuar vetë gazetarëve se qëndrimi i shqiptarit tek Napoli i ka ditët e numëruara dhe se situata për Hysajn ka ardhur në një pikë që futbollisti meriton më shumë dhe nëse Napoli nuk reflekton ndaj pagës dhe këmbënguljes për të qenë titullar atëherë kalimi në një klub tjetër është i pashmangshëm. Është e vërtetë që Roma e ka vrojtuar prej një kohe të gjatë lojtarin e përfaqësueses kuqezi, por Roma nuk është klubi i vetëm që interesohet për Hysajn. Pranohet gjerësisht në median e shkruar sportive italiane se për Hysajn kanë shprehur interesim shumë klube të tjera italiane, në Serie A dhe B, por edhe klube në Bundesligë, Premier League e deri tek Ligue 1 e Francës. Mbetet të shihet se ku do të përfundojë kapiteni kuqezi në edicionin e ardhshëm, por është fakt që ai tani po luan ndeshjet e fundit me napolitanët. Një rinovim kontrate me treguesit e parapëlqyer financiarë të vendosur si kushte nga Hysaj dhe menaxheri i tij vështirë se do të pranohen nga drejtuesit e Napolit, por që Hysaj ka një imazh të mirë në “San Paolo” të Napolit është, po ashtu, e vërtetë dhe nuk përjashtohet si mundësi edhe rinovimi. Pra me opsione të hapura, Hysaj pret të kuptojë cili është varianti më i mirë për të.