BREAKING NEWS

Përfundon takimi 1 orësh ‘kokë më kokë’ i Lulzim Bashës me ambasadorët e SHBA, BE dhe Britanisë

Përfundon takimi 1 orësh ‘kokë më kokë’ i
x

Sport

Reja monitoron kuqezinjtë e Serisë A, miqësoret e marsit vendimtare për shumë elementë

Reja monitoron kuqezinjtë e Serisë A, miqësoret e marsit

Edi Reja do të ketë provat e para për projektin e tij të ri katërvjeçar në krye të Kombëtares kuqezi në fund të marsit, ku dy miqësoret që do të ketë përfaqësuesja jonë ndaj San Marinos dhe Sllovenisë do të shërbejnë për të testuar grupin aktual dhe sidomos elementët e rinj. Në projektin afatgjatë të teknikut veteran italian ka shumë të rinj që luajnë në kampionatet e forta europiane, madje me skuadrat e njohura, prandaj dhe Reja po i monitoron këta futbollistë, me shpresën që mund t’i angazhojë që në ndeshjet e këtij viti, për të marrë indiciet e duhura teknike e taktike prej tyre, si individë që mund t’i shërbejnë grupit në plan afatgjatë. Në këto rrethana, vëmendja më e madhe e trajnerit Reja ka qenë në Itali, atje ku ka një brez lojtarësh shqiptarë me moshë nga 16-20 vjeç dhe që janë aktivizuar me klube të njohura. Këta futbollistë ai i ka futur në “lupë”, me shpresën se një pjesë e tyre mund të bëjnë diferencën në kualifikueset e Botërorit e veçmas në eliminatoret e Europianit të vitit 2024. Duke pasur një projekt afatgjatë në krye të kuqezinjve, Reja e ka marrë si detyrë madhore gjetjen e lojtarëve të rinj cilësorë dhe angazhimin e tyre në Kombëtare, por në këtë qasje të tij nuk ka vend për lojtarët që luajnë në kampionatin shqiptar, jo se nuk do, por se është fakt që kampionati shqiptar nuk ofron kualitete për shkak të problemeve që ka.

Kuqezinjtë e rinj të Serisë A

Në kampionatin elitar italian angazhohen disa lojtarë të rinj shqiptarë që kanë pasur një sezon të mirë. Dhe trajneri Edi Reja po i monitoron ata. Për momentin në fokusin e tij kanë qenë tre futbollistë që gëzojnë formë të mirë dhe besohet e do të jenë e ardhmja e Kombëtares. Ata janë Emanuele Ndoji, Marash Kumbulla dhe Xhakomo Vrioni. I pari është pjesë e Breshias dhe ka ditur të përshtatet mirë. Edhe pse ka kaluar disa probleme dëmtimi, vlera e tij nuk hidhet poshtë dhe në edicionin e shkuar ai llogaritej si një prej 15 lojtarëve më të mirë në Serie B. Në Kombëtare do të ketë patjetër një vend për të, pasi në mesfushë në këtë periudhë skuadra kuqezi ka shumë nevojë për kualitete të tilla. Trajneri Reja nuk e ka fshehur se e ka lojtarin pikë referimi. Futbollisti tjetër është mbrojtësi Marash Kumbulla. Përditë shkruajnë mediat italiane rreth fenomenit të tij, si një prej lojtarëve të rinj më të mirë të Serisë A. Vetëm 19 vjeç ai ka mundur të frenojë Ronaldon e Dibalën e madje me Veronën e tij të fitojë ndaj tyre. Është futbollist i së ardhmes dhe kështu e ka përshkruar edhe ish-trajneri i Kombëtares, Xhani de Biazi. Edhe Reja do të mbështetet në cilësitë e tij, pasi kualiteti i Kumbullës imponohet dhe ai do ta fitojë shpejt një vend në formacionin kuqezi.

Vrioni ikën nga stërvitja e Juves, frikë nga Koronavirusi

Një tjetër lojtar i ri që është në vëmendje të trajnerit Edi reja, është padyshim Xhakomo Vrioni, futbollist që është bërë pjesë e Juventusit dhe luan për ekipin B të “Zonjës së Vjetër”. Është futbollist cilësor dhe në rritje, diçka që premton për projektin katërvjeçar të Rejës në Kombëtare. Ndërkohë, me Vrionin ka një lajm surprizë. Dihet, Italia mbetet e pushtuar nga ankthi prej Koronavirusit. Kjo situatë nuk mund të mos prekte edhe botën e sportit, teksa në javën e kaluar disa ndeshje të Serisë A u shtynë, ndërsa këtë javë shumë prej tyre do luhen pa praninë e spektatorëve për arsye sigurie. Ndërkaq, frika ka mbërritur edhe te Juventusi, por bëhet fjalë për ekipin U 23 të bardhezinjve. Një nga lojtarët e Pistoiese, kundërshtarit të kaluar të Juventus U 23, rezultoi i infektuar me Koronavirus. Në këtë formë, për kushte parandaluese, ekipi i parë i Juventus i ka ndaluar lojtarët e U-23 të stërviten me ekipin e parë. Pjesë e Juventus U-23 është edhe Xhakomo Vrioni, i cili gjatë këtij sezoni është stërvitur në një rast me skuadrën e parë. Por, tashmë derisa të kalojë gjendja e alarmit nga virusi, Vrionit i duhet të presë pasi skuadra e Sarrit është izoluar për t’u mbrojtur nga rreziku që ka pushtuar Italinë.