BREAKING NEWS

Bien shifrat, MSH publikon bilancin çfarë ka ndodhur në 24 orët e fundit

Bien shifrat, MSH publikon bilancin çfarë ka ndodhur  në 24
x

Sport

Reja nis rinovimin e Kombëtares, veteranët kuqezi dalin në “pension”, projekti i ri lakmon elementët U-20

Reja nis rinovimin e Kombëtares, veteranët kuqezi dalin në

Trajneri i Kombëtares, Edi Reja, ka nisur punën për të rinovuar përfundimisht skuadrën përfaqësuese, për të krijuar në grup tërësisht lojtarësh të rinj që do t’i duhen për projektin e tij katërvjeçar në krye të kuqezinjve, me ambicien madhore për t’u kualifikuar në Kampionatin Europian të vitit 2024. Padyshim, këtë mision Reja e ka nisur në dy drejtime, së pari duke ndjekur grumbullimet dhe ndeshjet e skuadrave kombëtare të moshave, dhe drejtimi i dytë duke pikasur e ndjekur nga afër lojtarët me origjinë shqiptare që luajnë në akademitë e klubeve të njohura në Itali dhe në vende të tjera europiane.

Titullarët që dalin jashtë skemës

Në këtë projekt të Rejës, lojtarët veteran pritet të dalin jashtë skemës dhe të rrezikuar janë grupi i lojtarëve që i kanë kaluar të 30-at. Natyrisht, lojtarët që janë në formë dhe i përshtaten skemës do të kenë mundësinë e grumbullimit, por varet nga minutazhi që ata kanë me ekipet e tyre. Nisur dhe nga grumbullimet e fundit të Rejës, por edhe ato çfarë ai ka deklaruar për projektin e tij të së ardhmes, futbollistë si Mërgim Mavraj e ndonjë tjetër kanë dalë krejtësisht jashtë planeve të tij. në këtë projekt rrezikojnë edhe sulmuesit Sokol Cikalleshi dhe Armando Sadiku nëse nuk do të jenë në formë me ekipet e tyre. Kjo pasi futbollistë si Bare, Manaj, Guri e ndonjë tjetër shihen me përparësi nga trajneri në repartin ofensiv. Padyshim, në mesfushë do të ndodhë edhe revolucioni kryesor, pasi në këtë repart ka futbollistë që i kanë kaluar të 30-at dhe në edicionin kualifikues të Euro-2020 dështoi si repart, duke mos e mbajtur Kombëtaren në nivel të lartë performance. Futbollistë si Taulant Xhaka, Amir Abrashi dhe Ledian Memushaj ka gjasë të dalin nga projekti i Rejës që në pranverë, kur pritet të organizohen ndeshjet e para miqësore.

Të tre futbollistët kanë pasur oshilacione në performancën e tyre, madje Xhaka ka qenë jashtë edhe në duelet e tetorit e nëntorit. Për pasojë nuk pritet të ftohet në edicionin e ardhshëm kualifikues. Përjashtimi mund të ndodhë vetëm nëse këta tre lojtarë do të jenë titullarë me skuadrat e tyre dhe aktivë në fushat e lojës me gola dhe asiste. Jo vetëm kaq, por në projektin e Rejës pritet të ketë skarcime edhe nga grupi i të rinjve, pasi lojtarë që u është dhënë më parë besim dhe nuk janë aktivë në skuadrat ku luajnë, nuk do të kenë shanse të përsëritura.

Boshti i së ardhmes

Trajneri Edi Reja pritet t’i besojë një grupi lojtarësh të rinjsh që ai i ka promovuar gjatë ndeshjeve që ka zhvilluar deri tani në krye të kuqezinjve. Natyrisht, lojtarët që ai ka testuar më shumë i përkasin repartit të mbrojtjes dhe kjo nuk është rastësi. Futbollistë si Ismajli, Dermaku, Kumbulla janë në projektin e së ardhmes, këtu mund të përfshihet dhe ndonjë nga brezi i më të rinjve që do të vijnë nga skuadra kombëtare U-21. Në mesfushë po bëhen ende eksperimente, por duhet pranuar se dy lojtarë e kanë kaluar klasën përfundimisht dhe ata janë Keidi Bare e Klaus Gjasula. Ky i fundit nuk është në grupin e të rinjve, por di të menaxhojë vetveten dhe lojën e skuadrës sipas skemës së trajnerit.

Në sulm Manaj ka filluar të zërë vend gjithnjë e më shumë si titullar, duke “skarcuar” veteranët. Prandaj, nëse lushnjari e fiton bastin me Barcelonën B, mund të jetë titullar në majën e sulmit të Kombëtares në edicionin e ardhshëm kualifikues. Nga kjo analizë duket qartë se Reja është fokusuar tërësisht për të rinovuar skuadrën dhe është në rrugë të mbarë për këtë. Fakti që ai ishte dje në grumbullimin e skuadrës kombëtare U-15 dëshmon se ai ka një projekt afatgjatë dhe në këtë projekt do të ndërtojë një skuadër që do të përfaqësojë denjësisht Shqipërinë në 10 vitet e ardhshme. I vetmi repart ku nuk pritet të ketë ndryshime, do të jetë porta, pasi të dy gardianët kryesorë, Berisha dhe Strakosha, janë në top-nivel në Serinë A dhe japin garanci për ekipin kuqezi edhe gjatë viteve të ardhshme. Kuptohet, e ardhmja është Strakosha, pasi ka moshë që i përshtatet projektit të Edi Rejës.