BREAKING NEWS

Përplasja me armë në Tiranë, 2 persona mbeten të plagosur, autorët kërcënuan me pistoletë edhe policin që tentoi të ndërhynte (DETAJE)

Përplasja me armë në Tiranë, 2 persona mbeten të
x

Sport

Reja nuk e preferon Superioren, lojtarët duan të luajnë jashtë për të fituar Kombëtaren

Reja nuk e preferon Superioren, lojtarët duan të luajnë

Trajneri Edi Reja ka prej kohësh që ka nisur një fushatë të vrojtimit të elementëve cilësorë shqiptarë që luajnë në kampionatet elitare europiane, duke përfshirë dhe lojtarët e rinj që aktivizohen në Primavera-n italiane. Padyshim, në fokusin kryesor të tij kanë qenë lojtarët që janë pjesë e përfaqësueses. Pritej më shumë vëmendje ndaj lojtarëve që luajnë në kampionatin shqiptar, por nuk po ndodh dhe është fakt që as vetë trajneri Reja nuk ka pritshmëri të mëdha nga lojtarët që luajnë në Superiore. Futbollistë si Trashi, Kallaku, Bregu etj, kanë qenë në fokusin e tij më parë, madje Trashi ia ka dalë të luajë disa minuta, por të tjerët duhet të shohin mundësinë e aktivizimit në kampionatet e huaja, kryesisht në Perëndim, nëse duan të veshin fanellën e përfaqësueses. Këta lojtarë e kanë kuptuar që Reja do lojtarë që luajnë me skuadra të njohura, në kampionate elitare europiane dhe që të jenë të angazhuar me skemat taktike moderne, gjë që nuk ndodh në kampionatin shqiptar, që ka cilësi të dobët taktike, punë të dobët stërvitore dhe shpejtësia e lojtarëve lë për të dëshiruar. Për këtë arsye, lojtarë si Kamberi, Manaj, Uzuni, Kumbulla, Vrioni e të tjerë marrin prioritet krahasuar me lojtarët që luajnë brenda kampionatit shqiptar.

Manaj, hapet sërish një shans për të luajtur me Barcelonën

Debutimi i Rei Manajt me Barcelonën pritej në La Liga, por në mënyrë të papritur ai mund të ndodhë në Ligën e Kampioneve. Një “ndihmë” për të arritur këtë objektiv sulmuesit ia kanë dhënë sot Serxhio Buskets dhe Arturo Vidal. I pari plotësoi kartonët e verdhë dhe do të pezullohet një ndeshje, ndërsa i dyti u ndëshkua me karton të kuq në këtë sfidë e sigurisht nuk do të jetë në “Kamp Nou” për ndeshjen e dytë ndaj Napolit. Kjo bën që Barcelona të ketë gjithsej 12 futbollistë profesionistë në dispozicion për ndeshjen e kthimit, duke shpresuar që dëmtimet deri më 18 mars të mos reduktojnë më shumë radhët e saj. Ter Shtegen, Semedo, Pike, Rakitiç, Artur, Mesi, Neto, Lengle, Grizman, De Jong, Umtiti dhe Zhunior Firpo janë të vetmit profesionistë që do të ketë në dispozicion Setien për atë sfidë, pasi pjesa tjetër janë të dëmtuar apo të pezulluar. Me pak fjalë, ai ka një formacion me 11 lojtarë dhe portierin rezervë, ndërsa pjesën tjetër të pankinës duhet ta mbushë me futbollistë nga ekipi i dytë që ka regjistruar në listën UEFA, mes të cilëve përfshihet edhe Manaj. Ndaj nuk është çudi që në javët në vijim Manaj të jetë gjithnjë e më shumë në stërvitje me Barcelonën, pasi katalanasit me shumë siguri do ta përfshijnë në listën e tyre në ndeshjen e kthimit sulmuesin shqiptar që mund t’i ndihmojë në rast nevoje përballë napolitanëve.

Xherard e rithekson: Kamberi do të jetë titullar, e meriton

Florian Kamberi ia ka dalë të fitojë ambientin e Rejnxhërs falë paraqitjeve në fushë. Futbollisti i Kombëtares në këtë fundjavë gjeti golin e parë me ekipin e ri, ndërsa dhuroi edhe një asist. Superlativat për sulmuesin nuk kanë munguar as nga ana e trajnerit Stiven Xherrard, i cili në më shumë se një rast ka folur me elozhe për 23-vjeçarin. Megjithatë, tashmë ka ardhur koha që Kamberi të provojë edhe ndjesinë e fanellës së titullarit me Rejnxhërs. Xherrard së fundmi ka pranuar se sulmuesi pritet të luajë nga minuta e parë në ndeshjen e Ligës së Europës ndaj Bragës, pasi sipas tij me atë çfarë ka treguar, e meriton besimin. “Është e rëndësishme të theksoj se Kamberi e meriton të startojë nga minuta e parë për çfarë ka sjellë e kontribuar në skuadër. Kemi dëgjuar shumë për karakterin e Florianit para se të vinte, por ajo që mund të them është se ai është një profesionist i vërtetë në formë të mrekullueshme. Ai ka pyetur shumë për anën taktike dhe duket si një student perfekt i futbollit. Dëshiron të mësojë dhe e shijon shumë faktin që është këtu”, u shpreh Xherrard. Kamberi u transferua në merkaton e janarit te skuadra e Rejnxhërs nga Hibernian dhe ia ka dalë të tregojë menjëherë vlerat e tij.