BREAKING NEWS

Pandemia e Covid-19/ Rama del në konferencë online, tregon si është situata: Mbyllja e vendit do të...

Pandemia e Covid-19/ Rama del në konferencë online, tregon si
x

Sport

Rexhep Leka: Ju rrëfej vitet emocionuese të mundjes klasike, sot titujt si produkte në pazar

Rexhep Leka: Ju rrëfej vitet emocionuese të mundjes klasike, sot

Mundja është sport me tradita në Shqipëri e natyrisht mundja e lirë ka një shtrirje të gjerë gjeografike dhe ka dominuar. Por nuk ka qëndruar pas mundja klasike, e cila ka historinë e saj të suksesit. Natyrisht, midis viteve 1970-1990 mundja kapi kulmin e saj, si në sasi dhe në cilësi. Në këtë periudhë shkëlqeu me Studentin dhe me Tiranën, një nga mundësit e mëdhenj shqiptarë, Rexhep Leka, njohur ndër dashamirësit edhe si Kep Leka, 7-herë kampion i vendit dhe fitues i shumë kupave individuale dhe ekipore. Leka ka një histori brilante suksesi në mundjen klasike, duke qenë ndër emrat më të spikatur të këtij sporti. Ai qëndron në panteonin e mundësve të mëdhenj, ndër më të mëdhenjtë, si “Sfinks” i pamposhtur. Ka garuar në shumë pesha dhe ajo që e ka bërë të veçantë në karrierën e tij është se i ka mundur edhe vetë kampionët. Në këtë intervistë për gazetën “SOT”, Leka sjell emocionet e karrierës së tij në mundjen greko-romake, si e nisi, kur e arriti kulmin dhe si vazhdoi të fitojë deri në moshën 40-vjeçare. Sa u takon vlerësimeve, vitet e fundit ato janë bërë si produkte që dalin në treg, prandaj ai, edhe pse e meriton para shumë të tjerëve,është i qetë, pasi vlerësimet ia ka dhënë publiku dhe ato i ka fituar në palestra gjatë garave.

Kush është Rexhep Leka?

Datëlindja: 08.10.1953

Vendlindja: Tiranë

Stili: Mundje klasike

Arsimi

Shkolla e mesme teknologjike

Kursi i lartë i oficerit

Zotëron 3 gjuhë të huaja

Ekipet

Studenti (1969-1971, 1974-1984)

Elbasani (1971-1973)

Tirana (1984-1992)

Pesha trupore: 62 kg me të rinjtë, vijoi me 68 kg me të rriturit, por është përballur me kundërshtarë të të gjitha peshave.

Fitues i:

8 kupave ekipore;

7 herë kampion i Shqipërisë.

Dekoruar

“Naim Frashëri” nga Presidiumi i Kuvendit Popullor.

“Mjeshtër Sporti”.

Pas sportit

Punoi në Gjermani si teknolog

Rexhep Leka: Ju rrëfej vitet emocionuese të mundjes klasike, sot

-Pse e keni emrin Kep?

As vetë nuk e di si më ka mbetur ky emër. E kam që fëmijë. Më thërrisnin që në vogëli kështu dhe më mbeti si nofkë. Sot të gjithë më njohin si Kep Leka.

-Si nisi rrugëtimi juaj në sport? Si ndodhi që përfunduat në mundjen klasike?

Aktivizimi im në sport është lidhur me fëmijërinë time, sepse lagjja në të cilën u linda dhe u rrita kishte në gjirin e saj shumë kampione dhe rekordmenë të cilët u bënë inspirues për mua dhe shumë shokë të tjerë. Emrat e futbollistëve kampionë si Gani Xhafa, Xhep Bathorja, Ilia Mazniku, vëllezërit Sallaku (Dauti) etj, shërbenin si motivim për ne të rinjtë. Emri im si kampion apo i portierit të Dinamos, Pandi Sare, ishte vazhdimësia e asaj rruge që me sa duket prodhonte kampionë dhe rekordmenë. Si fillim unë jam inkuadruar në ekipin e rinjve të futbollit Tirana së bashku me Tit Dibrën, por ishte një kohë e shkurtër, pasi falë cilësive të konstruktit tim isha i formuar për mundje, sport me të cilin lidha jetën time prej gati 25 vitesh mundje aktive në Shqipëri dhe në Gjermani.

-Në ç’moshë i bëtë garat e para dhe kur e fitove titullin e parë?

Me aktivizimin tim në kampionatin kombëtar të të rinjve në Durrës të vitit 1970 dolëm si ekip kampion me ekipin e Studentit, kurse unë në vendin e dytë në moshën 17-vjeçare. Ky ishte fillimi i një karriere të gjatë, sa të bukur aq edhe të lodhshme, pasi kërkonte një stërvitje të rëndë. sistematike dhe me një regjim të rreptë. Karriera ime sportive është e pasur, pasi kam marrë shume tituj “Kampion Kombëtar”, apo dhe fitues i medaljeve të arta në Spartakiadë (e cila ishte ekuivalente me Olimpiadën Botërore). Kam qenë, po ashtu, fitues i vendeve të para në Kupën e Republikës, si dhe shumë Kupave dhe aktiviteteve të ndryshme që zhvilloheshin në vendin tonë gjatë atyre viteve. Jam bërë anëtar i ekipit kombëtar të mundjes në moshën 21-vjeçare. Jeta e sportit, përpos kënaqësisë që më dha, më kaliti dhe më sprovoi të kem një karakter të fortë dhe të pathyeshëm për problemet që të sjell jeta.

-Kë do të veçonit si kulmin e karrierës tuaj?

Si kulm të karrierës time vlerësoj pjesëmarrjen dhe triumfin në Spartakiadën e katërt Kombëtare të zhvilluar në nëntor të vitit 1979. Aty mora medaljen e artë, duke mposhtur kundërshtarë shumë të fortë dhe me peshë më të rëndë sesa mua, siç janë mjeshtërit e sportit Nikoll Grimaj, Sherif Dhelpra etj.

-Si i përjetonit ndeshjet dhe sukseset dhe cili është vlerësimi juaj për nivelin e sportit të atyre viteve?

Çdo fitore ishte një kënaqësi, pasi personalisht kam kontribuar për ekipin duke marrë pjesë në pesha të ndryshme, pavarësisht diferencës së peshës që isha me i lehtë. Ajo që mund të them me saktësi është se brezi ynë (përtej modestisë ) i viteve1974-1985, nëse do të kishte aktivizime në arenën ndërkombëtare do të kishim kampionë dhe nënkampionë europe dhe bote.

-Shpesh tani abuzohet për atë kohë. Thuhet se është glorifikuar edhe sporti, pasi në të vërtetë nuk bëhej stërvitje e rregullt. A qëndron kjo?

Unë sot do të flas për veten time dhe në emrin tim. Stërvitja që unë bëja atëherë ishte në kufijtë e të pamundurës (vetë trupi im e tregon atë nëpërmjet fotos). Para se të shkoja në Gjermani munda mundësin e talentuar ndërkombëtar dhe pasardhësin tonë dinjitoz Arben Kola. Dhe isha në moshën 38-vjeçare, kurse ai ishte me një peshë akoma më të madhe se unë. Në vitin 1995 u aktivizova në Gjermaninë moshën 41-vjeçare si mundës dhe trajner me ekipin Bodes-Koblenz, duke kontribuar në kalimin e ekipit nga kategoria e dytë në të parën. Sot ne kemi kampionë të mohuar nga sistemi.

-Po kushtet si ishin? Cili është apeli juaj për të rinjtë

Në lidhje me kushtet e krijuara në raport me sot, mund të them se krahasimet janë relative pasi, siç thashë më sipër, mungonin pjesëmarrjet në aktivitet ndërkombëtare të cilat janë “Meka e sportistëve”. Të mohosh aktivitetet ndërkombëtare, është njëlloj sikur këngës t’i heqësh refrenin. Pasioni ishte ai që na mbante, pavarësisht mungesës së kushteve elementare si tapeti, salla e forcës, dushet dhe një sërë gjërash të tjera, të cilat janë themelore dhe të domosdoshme për një sport elitar. Rinia e sotme i ka të gjitha mundësitë (gjithsesi, varet se çfarë kërkon) për një sport elitar. Duhet stërvitje, stërvitje dhe vetëm stërvitje, si dhe besim dhe regjim në vazhdimësi për të arritur rezultatet.

-Si qëndron në sportin e mundjes raporti: Publik-Sport-Politikë?

Përgjigja e pyetjes tuaj kërkon analizë të gjatë, por mund të them shkurt se sindroma e tranzicionit politik në Shqipëri nuk mund të linte pa përfshirë edhe sportin, por si çdo gjë ka kohën e vet dhe duhet të dilet nga ky qerthull për të gjetur vetveten. Kjo pasi koha ecën dhe ajo është e pamëshirshme dhe e pafalshme.

-Nëse nuk do të ishit bërë mundës, me çfarë tjetër do të ishe marrë në jetë?

Unë kam një përgjigje të thjeshtë. Kur i pyesin gratë se si do të nusëronin nëse do të bëheshin sërish nuse, ata thonë se do të nusëronin ndryshe. Kurse unë jo, nëse do të më jepej mundësia (megjithëse kjo është krejt e pamundur), do të “nusëroja” njëlloj dhe do të bëja atë që kam bërë përherë në jetën time. Dhe ajo që kam bërë më mirë, e që ma njohin edhe kundërshtarët, është të ndeshem e të fitoj.

-Po jepen shumë tituj “Mjeshtër i Madh”. Një sportist 7 herë kampion kombëtar dhe nga më të mirët e mundjes shqiptare e meriton një vlerësim të tillë...

Janë bërë mjeshtër me mik, unë s’jam i tillë. Çfarë kam pasur për të thënë e kam thënë në tapetin e mundjes. Dhe e kam thënë mirë e bukur. Sot njerëzit po shohin vetëm interesin e tyre, nuk e di se kë po rrejnë. Kam pasur rastin të lexoj marrëzi nga më të ndryshmet. Njëri kishte bërë një libër për një figurë sportive që unë e njihja. “Ai ka luajtur në atë ndeshje me këmbë të thyer dhe ka fituar”, - kishte shkruar. Më fal, por si qenka kjo të bësh mundje me këmbë e duar të thyera e në fund të fitosh? Po kush i ha këto rrena të rëndomta? Mirë ai që ka shkruar kështu, për ta ngjyrosur, por atij që i është kushtuar libri si ka mundësi ta ketë pranuar. Vijojmë ende me barsoletat e kohës së shkuar, ku partizani ishte trim, i ndershëm e progresist, kurse ballisti i zi, frikacak dhe që hante pula. Në vitin 1977 kam dalë kampion në Shkodër, kam pasur mjekrën e çarë, por nuk kam qenë me këmbë e duar të thyera. E megjithatë, më falni për modestinë, por të gjithë ata që kanë kupa pa fund dhe i trumbetojnë, unë i kam mundur në fushë (palestër). Ka pasur edhe ajo kohë peripecitë e saj, bëheshin edhe dallavere, por më vjen mirë për veten që e kam treguar aftësinë në ndeshjet e mëdha. Këtë e kam arritur falë një përgatitjeje madhështore. Mos harroni, kam qenë baza e Studentit dhe e Tiranës. Jam përballur me kundërshtarë që ishin me peshë trupore shumë më të madhe se unë dhe i kam rrahur. E në mundje luan rol edhe 100 gram peshë më shumë e jo ata me disa kg më tepër. Kur vija nga Gjermania të ndihmoja Paulinin (Sterkajn) në fushatat e tij, miqtë i thonin se je kampion i madh, por ai u thoshte se edhe Kepi është kampion. Kam pasur raste që jam ndeshur me dy kundërshtarë brenda pak minutash dhe i kam fituar ndeshjet. Formula e garave në atë kohë parashikonte ndeshje vajtje-ardhje. Për interesat e ekipit, ndiqej një strategji, që një i fortë duhej të mundte një më të dobët. Por mua ekipi im më caktonte në të dy rastet kundërshtarët më të fortë e unë sërish ia dilja. Në të njëjtën garë, brenda 22 minutash, jam ndeshur me dy rivalë shumë të fortë dhe i kam mundur të dy.

Rexhep Leka: Ju rrëfej vitet emocionuese të mundjes klasike, sot