BREAKING NEWS

Bien ndjeshëm rastet e reja/ Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin e COVID, ja çfarë ka ndodhur në 24 orët e fundit

Bien ndjeshëm rastet e reja/ Ministria e Shëndetësisë
x

Sport

Rikthimi triumfues i Italisë, Mançini: Objektivi mbetet vendi i parë në grup

Rikthimi triumfues i Italisë, Mançini: Objektivi mbetet vendi i

Italia e nisi mbarë fazën eliminatore të Botërorit, pasi mundi pastër dhe bindshëm Irlandën e Veriut, duke marrë tri pikët e para dhe duke qenë pretendentja kryesore për të dalë e para në grupin C, ku rivalen më të fortë ka Zvicrën e shqiptarëve Xhaka, Shaqiri e Mehmedi. E pranojnë dhe mediat më serioze sportive ndërkombëtare që Italia është në rritje dhe mund të jetë një surprizë e madhe në vazhdim, për t’u ngjitur sërish si një prej skuadrave pretendente të titullit botëror. “Italia e Roberto Mançinit i nisi në mënyrën më të mirë kualifikueset e Kupës së Botës, Katar 2022, kompeticion në të cilin kaltrit do të kërkojnë të jenë të pranishëm me të gjitha mënyrat pasi nuk duan të përsërisin më dështimin e Rusi 2018, me Italinë që u eliminua në “play-off” nga Suedia duke mos siguruar dot pjesëmarrjen në Kupën e Botës. Për të mos bërë një figurë aq të keqe Mançini e ka të qartë që kombëtarja që ai drejton duhet ta mbyllë grupin C kualifikues ku bën pjesë edhe Zvicra në vendin e parë në mënyrë që të sigurojë kualifikimin direkt në Botëror. Ndaj Irlandës Veriut në ndeshjen debutuese në këto eliminatore, Italia zgjidhi gjithçka që në pjesën e parë duke marrë një fitore të thjeshtë 2-0 me golat e Berardit dhe Imobiles”, shkruajnë mediumet sportive italiane, që vlerësojnë pozitivisht performancën e skuadrës axurre dhe njëherësh një trajner me përvojë dhe inovativ në skemë sikurse është Mançini. Vetë trajneri i të kaltërve foli me superlative për paraqitjen e skuadrës së tij sidomos në pjesën e parë. “Pjesa e parë ishte e shkëlqyer. Pjesën e dytë do e shohim përsëri me kujdes, pasi mendoj se mund të bënim më mirë. Gjithsesi pranohet duke llogaritur që kemi pesë muaj pa luajtur. Fraksioni i parë i ndeshjes ishte perfekt. Shënuam dy gola, mund të shënonim edhe dy të tjerë dhe e qarkulluam shpejt topin. Pelegrini dhe Lokatelli zhvilluan një ndeshje të mirë. E dinim që Irlanda e Veriut do të bazohej te forca fizike, kjo ishte pika ku donin të na vinin në vështirësi. Jemi të lumtur për golin e Imobiles, mund të shënonte një tjetër gol. Golat janë të rëndësishëm për sulmuesit, Çiro zhvilloi një ndeshje shumë të mirë. Tani vëmendja shkon te Bullgaria pasi synojmë vendin e parë në grup”, theksoi ai. Ndeshjen e radhës Italia do ta ketë të dielën ndaj Bullgarisë, në transfertë, aty ku djemtë e Mançinit do të kërkojnë tre pikët e radhës për të qëndruar në krye të grupit C, pozicion që duhet ta diskutojnë deri në fund të fushatës kualifikuese me Zvicrën e Shaqirit dhe Xhakës. Duhet thënë se Zvicra është skuadra më e vështirë në grup për Italinë, por axurrët nuk shihen inferiorë në përballjen me ta, përkundrazi, Italia shihet si pretendente dhe do ta luajë rolin e favorites deri në fund, për të qenë ajo e kualifikuara në Botëror si vendi i parë i renditjes në grupin C. Italia e viteve të fundit nuk ka qenë një skuadër yjesh, sikurse në të shkuarën, por po bën përpjekje për t’u rritur e konkurruar me më të mëdhenjtë si Gjermania, Franca, Brazili e Spanja.