BREAKING NEWS

Shqipëria nuk gjen qetësi / Plas arma në Elbasan, ekzekutohet një person në makinë

Shqipëria nuk gjen qetësi / Plas arma në Elbasan, ekzekutohet
x

Sport

Rivaliteti për titullin, për Partizanin trofeu do të kalojë nga derbi me Tiranën, Vllaznia e Teuta kokë më kokë

Rivaliteti për titullin, për Partizanin trofeu do të kalojë

Kategoria Superiore ka hyrë në një fazë intensive të saj, ku po luhen xhirot e fundit dhe ato që janë përcaktuese për fatet e sezonit. Ka një veçanti ky edicion, pasi në këtë fazë të katërt e të fundit rivaliteti është shumë i madh jo vetëm në sektorin e kreut të tabelës, ku 5 skuadra janë në garë për titullin, por edhe në fundin e saj, ku disa skuadra pretendojnë të mbeten në Superiore, pra po luftohet fort për mbijetesë. Natyrisht, fatet e sezonit do të ndahen nga ndeshjet direkte dhe java e 31-të e kampionatit, e cila do të luhet të dielën dhe të hënën, do të përcaktojë në një farë mase ecurinë e pretendentëve dhe me shumë gjasë skuadrat ë do ta vazhdojnë garën deri në fund, apo dhe ato që “hapin krahun” e qëndrojnë për një vend në Europa League. Ngjeshja me pikë në krye të renditjes na dëshmon se rivaliteti për titull mund të shkojë deri në vërshëllimin e fundit të javës së fundit të Kategorisë Superiore. Partizani shihet si pretendent kryesor dhe mund ta fitojë titullin, por kjo do të shihet veçanërisht në derbin me Tiranën. Ajo ndeshje do të jetë përcaktuese për të dyja skuadrat.

Pozitat e skuadrave

Gjashtë javë nga fundi, një sprint final më interesant se rrallë ndonjëherë, të paktën në këto vitet e fundit, është e pamundur të gjesh një kampionat si ky, për më tepër në këtë fazë. Kur numërimi mbrapsht ka nisur, të gjithë janë në garë, një luftë e pashembullt për titullin, plot 5 ekipe që e pretendojnë dhe i ndajnë vetëm 6 pikë, me Tiranën që është rikthyer në lojë pas fitores ndaj Vllaznisë. Kryeson Teuta, udhëheq kampionatin edhe pa bërë bujë, por duke u renditur në “pole position”, ndien fort nga pas ulërimën e një Partizani që shtrëngon dhëmbët pas një barazimi në Laç, në një ndeshje ku përtej episodeve jashtë fushe, loja dhe rezultati konfirmuan ekuilibrin e forcave me kurbinasit, një skuadër që beson shumë se këtë vit mund të bëjë historinë me titullin e parë kampion. Vllaznia, ndërkohë, është aty, me shumë optimizëm dhe besim te vetja. Një humbje në kryeqytet nuk është dramë dhe pikët janë ende në lojë, për një luftë titulli ku askush nuk mund të bëjë parashikime. 5 ekipe në lojë, të gjithë mund të mundin të gjithë, asnjë skuadër me konturet e padronit të shkëputur nga rivalët. Por e veçanta e këtij kampionati nuk është vetëm rivaliteti i jashtëzakonshëm në pjesën e sipërme të klasifikimit. Rezultatet e javës së 30-të kanë lënë gjithçka të hapur për mbijetesën, mbi të gjitha për meritë të Skënderbeut, në ngjitje konstante me “kurën” e jashtëzakonshme Memelli ka mposhtur Bylisin dhe tani është në luftë të plotë për vendin e tetë. Nuk mund të jenë të qetë ballshiotët, që u duhet të luftojnë deri në fund. Komplimente për Apoloninë, me fitoren ndaj Kastriotit hoqi paksa nga vetmja statusin e skuadrës së dorëzuar, që kishte prerë biletën, diçka që në këto vitet e fundit ishte mbyllur që pa nisur faza e fundit. Në sajë të fierakëve, nuk mund të flejë mbi dafina as Kastrioti, madje i duhet të zgjohet sa më shpejt me kambanat e alarmit që kanë rënë fort. Ky është një kampionat ku luftohet në çdo front, deri në fund, natyrisht për kënaqësinë e shikuesve.

Vllaznia-Teuta kokë më kokë

Java e 30-të e Kategorisë Superiore i lë menjëherë vendin raundit të 31-të i cili mund të ndryshojë të tjera gjëra në renditje me garën që është bërë më interesante se kurrë si përsa i përket mbijetesës ashtu edhe garës për titull. Raundi i ardhshëm do të luhet në dy ditë. Të dielën në orën 16:00 do të luhen tre takime ku spikatin Bylis-Tirana por edhe Partizani-Apolonia. Dy skuadrave kryeqytetase nuk u lejohen hapat fals për të tentuar deri në fund fitimin e titullit. Një përballje direkte për mbijetesën do të jetë edhe ajo mes Kastriotit dhe Skënderbeut. Të hënën më 3 maj do të luhen dy ndeshjet e tjera të javës me Laçin që do të presë në orën 15:00 në Kurbin Kukësin, ndërkohë që supersfida Vllaznia-Teuta do të nisë në orën 18:00 në “Loro Boriçi” aty ku shkodranët në rast suksesi do të kenë mundësi të parakalojnë pikërisht Teutën në renditje.