BREAKING NEWS

Ministria e Shëndetësisë informon qytetarët: Ja si paraqitet situata epidemiologjike në vend

Ministria e Shëndetësisë informon qytetarët: Ja si paraqitet
x
BREAKING NEWS

“Le të shohim nga e ardhmja”, Edi Rama jep lajmin nga Egjipti: Ja çfarë do të ndodhë së shpejti

“Le të shohim nga e ardhmja”, Edi Rama jep lajmin nga Egjipti:
x
BREAKING NEWS

Edi Rama pritet me ceremoni shtetërore në Egjipt, nënshkruhen tre marrëveshjet e rëndësishme

Edi Rama pritet me ceremoni shtetërore në Egjipt, nënshkruhen tre
x
BREAKING NEWS

Plas skandali/ Serbia ndalon boksierët nga Kosova, Shqipëria braktis botërorin. Ja çfarë ka ndodhur në kufi

Plas skandali/ Serbia ndalon boksierët nga Kosova, Shqipëria braktis
x
BREAKING NEWS

Vendimi hyn menjëherë në fuqi/ Emërohet drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, kush është emri i njohur që i besohet posti i rëndësishëm

Vendimi hyn menjëherë në fuqi/ Emërohet drejtori i
x
BREAKING NEWS

Projekti/ Sekuestrohen pasuritë që kalojnë 2-fishin e të ardhurave, ja pronat që zotërojnë politikanët shqiptarë, nga Meta e Berisha, te Rama, Basha e deputetët

Projekti/ Sekuestrohen pasuritë që kalojnë 2-fishin e të
x
BREAKING NEWS

Zbardhet qarkorja, PD rrëzon Berishën: Topalli, Imami dhe gjithë “garda e vjetër” u përjashtuan prej tij, “Foltoren” po e përdor si mjet shantazhi

Zbardhet qarkorja, PD rrëzon Berishën: Topalli, Imami dhe gjithë
x
BREAKING NEWS

Shkarkimi i Metës pa afat, seanca në Kushtetuese nuk parashikohet as në nëntor, presidenti vijon luftën në prapaskenë

Shkarkimi i Metës pa afat, seanca në Kushtetuese nuk parashikohet as
x

Sport

Rrapo Taho: Kampionati i ri me “sëmundje të vjetër”, Reja shumë i vjetër për Kombëtaren

Rrapo Taho: Kampionati i ri me “sëmundje të vjetër”,

Dje u luajtën ndeshjet e fundit të javës së dytë dhe në këto takime të para ka pasur një start normal të sezonit dhe njëherësh dëshirë të klubeve për të pasur vëmendjen e sportdashësve si dhe ambicien për të qenë brenda objektivave. Por kampionati i ri nuk është se ka ndonjë nivel të lartë dhe këtë e theksojnë me forcë specialistët. Kjo pasi në kampionat nuk ka shumë elementë cilësorë që bëjnë diferencën. Nga ana tjetër, drejtuesit e klubeve vijojnë të neglizhojnë rolin e moshave dhe të akademive të klubeve, gjë që konstatohet nga prania e paktë e elementëve vendas që vijnë nga të rinjtë, si dhe numri i lartë i të huajve në çdo ekip. Nga ana tjetër, Kombëtarja duket se ka krijuar një grup mjaft të mirë e me perspektivë, ndoshta një nga brezat më të mirë që kemi pasur, por trajneri Reja, edhe pse ka kontribut në ndërtimin e grupit, duket mjaft i vjetër për të menaxhuar një skuadër që kërkon ngjitjen në një stad më të lartë. Duke folur për këto zhvillime në kampionat dhe në skuadrën përfaqësuese, ish-mbrojtësi i Flamurtarit dhe Kombëtares, Rrapo Taho, në këtë intervistë për gazetën “SOT”, u ndal gjithashtu në disa elementë që ende nuk i kemi përmirësuar, por dhe në një analizë të kujdesshme për pritshmëritë e garës.

- Kampionati ka nisur dhe u mbyllën dy javët e para. Cila është përshtypja juaj për garën, cilësinë e saj në këto ndeshje të para, duke e lidhur njëherësh me merkaton që është bërë dhe investimet e klubeve?

Kam konstatuar një fillim të mbarë, do të thosha një kampionat i mirë. Kam parë disa ndeshje të këtyre dy javëve, një pjesë e takimeve kanë pasur nivel të kënaqshëm, ka përpjekje për të prezantuar cilësi dhe futboll modern. Kam ndjekur ndeshjen e parë të kampionatit, Teuta-Partizani, e cila ishte me nivel të kënaqshëm, por nuk mund të them nivel të lartë. Jemi ende larg futbollit me nivel të lartë. Natyrisht gara do të jetë reflektim i asaj që do të investojnë klubet, blerjeve dhe lëvizjeve. Sa i takon merkatos u bënë blerje të shumta, nga të gjitha klubet, por nuk konstatoj që janë blerje që bëjnë diferencë të madhe. Ndoqa ndeshjen e djeshme në Shkodër midis Vllaznisë dhe Teutës, një takim që pati lojë të mirë, por jo me rendimentin e duhur. Duke bërë një analizë të të gjithë asaj që është luajtur deri tani, nuk është se ka ndonjë progres në nivel nga e shkuara, dua të them jemi në origjinë. Unë e kuptoj garën, lojën që bëhet dhe loja nuk ka shpejtësinë e duhur. Ka gabime të shumta e të rënda në pasime, një “sëmundje e vjetër” kjo e kampionatit shqiptar. Plus që lojtarët tanë nuk luajnë të qetë, e them këtë sepse janë elementë të profesionalizmit që duhet t’i kenë futbollistët dhe ekipet profesioniste.

- Po përgatitja fizike e lojtarëve tanë si duket?

Ky është një tjetër parametër i rëndësishëm në futboll, por edhe përgatitja fizike nuk është në nivel të lartë. Lojtarët në kampionatet elitare përballojnë 3 ndeshje në javë, kurse këtu tek ne ky parametër lë për të dëshiruar.

- Në kampionat është kthyer pas afro një dekade Dinamo, emër i madh i futbollit tonë. Si e sheh gjendjen e saj?

E kam parë Dinamon, është ekip i ri, por i pakonsoliduar. Do të dojë kohë që të forcohet e të kapë më të mirën, por të paktën skuadra po mbështetet dhe është një grup në rritje.

- Tani që nisi gara, kë shihni pretendentë realë për fitimin e titullit kampion?

Është shumë herët për të folur për pretendimet dhe skuadrat që janë më afër objektivit. Janë luajtur vetëm dy xhiro, nuk tregojnë asgjë. Pra, është shpejt për të dhënë një deduksion, megjithatë, Partizani, Tirana dhe Vllaznia e Shkodrës, përfshi dhe Kukësin, duken skuadra që kanë pretendime për titull. Këto ekipe kanë bërë edhe goditje në treg dhe tani të shohim se si do ta menaxhojnë sezonin. Vllazninë e shoh si një skuadër më cilësore për momentin. Megjithatë, kushdo të jenë pretendentët, niveli i kampionatit tonë është shumë larg nivelit që ka bota dhe atij niveli ku dëshirojmë të jemi.

- Megjithatë, ka shumë pak elementë të ardhur nga moshat. Duket se presidentët e klubeve tona ende nuk po e kuptojnë rolin e akademive në të ardhmen e futbollit shqiptar. Cili është mendimi juaj?

Është evident fakti se nuk u japin përparësi ekipeve të moshave. Ka tendenca për të marrë lojtarë të huaj, sepse presidentët e klubeve duan fryte të shpejta, nuk presin dot sa të rriten të rinjtë e akademive. Por të huajt që vijnë në kampionatin shqiptar nuk janë aq cilësorë, pra vijnë lojtarë që i përshtaten nivelit të kampionatit. Duke qenë të tillë ata nuk bëjnë diferencë dhe janë të “infektuar” nga kampionati shqiptar. Prandaj u duhet dhënë përparësia të rinjve, në mënyrë që të mos “digjen”, sikurse ka ndodhur deri tani. Presidentët e anashkalojnë këtë realitet të hidhur, për ta ka rëndësi që skuadra të shkojë tek titulli, pak rëndësi kanë të rinjtë dhe investimi tek moshat. Shohim Ajaksin që ka lojtarë 18-19 vjeç në skuadër dhe paraqiten mirë, kurse tek ne nuk ua japin shansin. Në rininë time, lojtarët e kësaj moshe, për hir të së vërtetës, kishim më shumë shanse. Kishte një rregull që klubet duhej të aktivizonin të paktën një lojtar nën 18 vjeç, ishte detyrim i sanksionuar në rregullore. Duhet që presidentët të këmbëngulin tek perspektiva, të rrisin grupin, t’u japin shansin dhe me objektiv për të qëndruar fillimisht në kategori e më pas për të rritur cilësinë dhe pretendimet për trofe. Pra interesimi për të rinjtë sot mungon. Duhet të ndryshojë ky mentalitet sepse të ardhmen duhet ta kërkojmë pikërisht në klubet tona, tek moshat.

- Të flasim dy fjalë për Kombëtaren. Në shtator bëri ndeshje të mira, edhe pse rezultati me Poloninë la shije të hidhur. Çfarë mendoni rreth ekipit e rezultateve të tij?

Kombëtarja ka lojtarë cilësorë, ky është fakt. Ndaj Polonisë luajtën mirë, madje unë do ta quaja një lojë më të mirë se kundërshtari, ishim një nivel më lart, por janë ca gjëra që na mungojnë për të shkuar tek rezultati maksimal. Skuadrës i mungonte në këtë ndeshje (dhe i mungon në fakt këto kohë) një futbollist si Skela. Kombëtarja jonë ka një grup të mirë, lojtarët e mbrojnë topin, por bëjnë edhe teprime dhe kjo ndoshta e dëmtoi në takimin ndaj polakëve. Kurse me Hungarinë u paraqitën cilësisht mirë dhe morën rezultatin. Unë shoh që Shqipëria është ekip me cilësi.

- Po, por kur mendon moshën e Rejës dhe disa zgjedhje në pozicione të caktuara të tij, duket sikur ka ca ngërçe që nuk lejojnë progres....

Nuk mund të themi që Reja nuk është profesionist, s’e themi dot këtë, por që është i plakur kjo është shumë e vërtetë. Në një moment të tillë, kur ke një skuadër me shumë cilësi si ne, trajneri duhet të verë dorë, që të ndihet dora e tij. Por që kjo të ndihet duhet një trajner më i ri, më energjik. Në krye të Kombëtares kemi një trajner me moshë të thyer, jashtë kohës. Unë gjykoj se me këtë grup që kemi duhet të kishim më shumë cilësi e rezultat.

- A është i mundur kualifikimi? E shtrojmë këtë pyetje pasi ndodhemi në vend të dytë në grupin I kualifikues...

Është dëshirë e të gjithë popullit shqiptar që Kombëtarja të kualifikohet në Botëror. E kush nuk do ta dëshironte këtë?! Por arritja e këtij objektivi duket shumë e vështirë. Skuadra bën lojë grupi, ka cilësi dhe përkushtim për të marrë maksimumin, por janë ndeshje delikate e të vështira me rivalë direktë. Unë do ta dëshiroja fort, por e shoh të vështirë kualifikimin.

- Kur analizohet performanca sportive e brezit tuaj ka vend për debate dhe natyrisht politika e kohës si përcaktuese për të mos lënë lojtarët të luajnë jashtë. J vetë keni qenë lojtar i spikatur i atyre viteve. Në këtë kuadër, a keni pengje që nuk luajtët në kampionat të huaj më cilësor?

Futbollin e asaj kohe e kujtojmë sot me nostalgji. Ishte një periudhë që kishte masivitet dhe shumë pasion. Ky pasion diktohej dhe nga fakti se çdo qytet kishte skuadrën e tij dhe çdo skuadër kishte lojtarë të atij qyteti. Kjo i jepte emocionin e duhur kampionatit. A e kemi peng që nuk luajtëm jashtë vendit? Po, unë e them me zemër të thyer që s’mu dha rasti të luaja në Europë dhe atëherë kur u hapën kufijtë nuk kishim më moshën për të hyrë në aventura. Të luash jashtë, në kampionat më cilësor, është ëndërr e një futbollisti. Në fakt, edhe në kohën time kemi pasur oferta dhe interesime nga shumë klube. Kemi marrë oferta nga klube prej vendeve si Suedia, Austria, Greqia, Spanja etj, por koha, dhe regjimi që s’na lejonte, nuk ishin në favorin tonë. Kujt ia mbante ta çoje nëpër mend të luaje me një skuadër të huaj?! Kishte menaxherë kosovarë që na afroheshin dhe na pasqyronin ofertat nga klube të ndryshme në Europë, por pak prej tyre e dinin që ne nuk largoheshim dot. Tani kushtet kanë ndryshuar, janë krejt ndryshe. Lojtarët e mirë që prodhon kampionati mund të çajnë edhe jashtë. Ndonjëherë mendoj: “ah sikur të isha në këtë kohë e të shkoja në një klub të madh”. Por koha ka bërë të vetën. Ne mund t’i gëzohemi asaj që kemi bërë dhe mendoj se e kemi kënaqur publikun tonë në një kohë të vështirë. Populli na ka dashur, na ka respektuar dhe për këtë ndihemi mirë e të vlerësuar.