BREAKING NEWS

Ngjarje kriminale/ Zbrazen plumbat mbi uniformat blu të Policisë në Mamurras, plagosen rëndë dy efektivë, nisen me urgjencë në spital

Ngjarje kriminale/ Zbrazen plumbat mbi uniformat blu të Policisë
x

Sport

Rrapo Taho: Paraqitja e Kombëtares la për të dëshiruar, ky është ekipi më i mirë që kemi patur, por Reja dështoi

Rrapo Taho: Paraqitja e Kombëtares la për të dëshiruar, ky

6 pikë në tri ndeshje nuk janë pak në eliminatore të një kupe bote, por kur mendon kundërshtarët ndaj kujt janë marrë pikët, mund të hedhësh dyshime nëse ky objektiv mund të realizohet ndaj rivalëve të tjerë në grupin I kualifikues. Në tri ndeshje të zhvilluara, Kombëtarja mori fitore të pritshme me Andorrën dhe San Marinon, por humbi me Anglinë. Humbja me anglezët nuk është fundi i botës, por loja që kanë prodhuar kuqezinjtë në këto tre ndeshje ishte larg pritshmërive, shumë larg, një lojë mediokre që nuk bën optimist asnjërin, as më optimistin dhe dashamirësit e fanellës kuqezi. Mendimi i specialistëve në tërësi po konsolidohet dhe ky mendim po shigjeton trajnerin Reja, i cili, edhe pse ka përvojë të madhe në trajnim dhe erdhi në krye të përfaqësueses së Shqipërisë si trajner i madh, asgjë “të madhe” nuk ka treguar deri më tani, pavarësisht se grupi që ka në dispozicion aktualisht është nga më të mirët që ka pasur ndonjëherë Shqipëria. Kështu mendon dhe ish-mbrojtësi i Flamurtarit dhe Kombëtares, Rrapo Taho, i cili në këtë intervistë për gazetën “SOT”, analizon me kujdes lojën dhe rezultatet dhe nuk e “kursen” kritikën për trajnerin.

 

- Kombëtarja luajti tri ndeshjet e para eliminatore për Botërorin e ardhshëm. Në fakt sa i takon rezultatit është brenda objektivave, pasi ka marrë 6 pikë, por me rivalë të dobët dhe me një lojë që ka provokuar shumë debate. Cili është mendimi juaj për paraqitjen e kuqezinjve në këto ndeshje?

Me vëmendje kam parë këtë ndeshjen e fundit, nisur dhe nga polemikat që pasuan dy ndeshjet e tjera. Unë nuk jam prej atyre që u përvishem trajnerëve, që kam parësore kritikën apo dhe që krijoj debat, por paraqitja e skuadrës tonë në këto tre takime mund të ketë në emërues një fjalë: “ordinere”. Mua nuk më pëlqen kur dëgjoj jo “trajner i vjetër”, jo “skemë e dobët”, jo kështu e jo ashtu. Mund të flasësh shumë por loja e përfaqësueses tonë linte për të dëshiruar. Ne nuk kemi një ekip dosido, por është skuadër e seleksionuar me elementë më të mirë shqiptarë që luajnë në kampionate cilësore europiane. Janë elementë të seleksionuar me kujdes që luajnë në Serinë A e Serinë B italiane, por edhe në kampionate të tjera profesioniste. Nuk janë lojtarë dosido, përkundrazi, janë futbollistë që luajnë si titullarë me ekipet e tyre madje një pjesë në nivel të lartë me klube të njohura e deri në Champions League. Bie poshtë argumenti se janë lojtarë që nuk aktivizohen, pasi Hysaj luan, Gjimshiti po ashtu, Berisha, Uzuni, Ismajli e kështu me radhë. Më ka bërë përshtypje posedimi i topit në këto ndeshje, por jo vetëm ky element sportiv. Ekipet tani luajnë shumë në mbrojtje dhe ne nuk kemi lojtarë që i zgjidhin këto situata. Edhe trajneri Reja e di këtë fakt. Objektivi ishte për 7 pikë dhe jo për 6, por pak rëndësi ka kjo. Ne duhet të na shqetësojë fakti se skuadra përfaqësuese pati një paraqitje larg asaj që prisnim, la shumë për të dëshiruar.

- Nuk është vetëm një ndeshje, si ajo me Anglinë, e cila për hir të së vërtetës ka shumë cilësi dhe bën diferencë me ne, por kritikat qëndrojnë për të tria ndeshjet. Pra ka diçka që nuk shkon, apo jo?

Sigurisht që ka diçka që nuk shkon. Fituam me Andorrën me një lojë mediokre, por thamë “hajt më”, si ndeshje e parë që ishte, duke u fokusuar më pas tek dueli me Anglinë. Në këtë ndeshje diçka duhet të kishte ndryshuar për mirë dhe këtë ndryshim e bën trajneri. Por skuadra jonë në këtë ndeshje nuk bëri asgjë.

- Pati vetëm një rast gjatë gjithë ndeshjes, atë me Uzunin...

Po, dhe të gjithë thanë që nëse shënohej ai gol gjërat do të flisnin ndryshe. Ndoshta, por unë pashë një skuadër mediokre nga ana jonë. Trajneri u fut në fushë vetëm për t’u mbrojtur, pra për të marrë rezultat, por rezultati nuk vjen në këtë formë. Ne nuk kishim çfarë të humbisnim me Anglinë dhe duhet të zgjidhnim të luanim në një mënyrë tjetër, me një modul më agresiv. Por ne nuk bëmë asgjë. U tha se Anglia qëndroi shumë lart... Po, e vërtetë që ishte lart, por këtë ia mundësuam ne, me lojën tonë që linte shumë për të dëshiruar. Skuadra nuk bëri asgjë në këtë ndeshje dhe siç thuhet në raste të tilla, skuadra jonë nuk u shpreh në fushë. Ndoshta ka ndikuar koha e paktë e stafit me lojtarët, ndoshta dhe shumë gjëra të tjera, por një trajner duhet të jetë konkret në skemën e tij, të dijë si të shprehet. Unë kam konstatuar se në këto tri ndeshje skuadra nuk ka reaguar, nuk reflektoi sipas pritshmërive tona, ishte krejtësisht larg asaj që ne mendonim, pra nuk dha asgjë në fushë. Nëse vazhdojmë të luajmë në këtë formë, nuk do të përmbushim asnjë objektiv, maksimumi do t’u marrim pikë Andorrës e San Marinos. Kundërshtarë të tillë nuk e masin forcën e një skuadre dhe këta kundërshtarë nuk janë fokusimi ynë në grupin tonë eliminator. Ndaj Polonisë dhe Hungarisë nuk mund të marrësh rezultat pozitiv me këtë paraqitje, kjo është mëse e sigurt. Pretendimet tona si tifozë, ish-sportistë, por besoj edhe të federatës e stafit, janë që të shkojmë larg, por a mund të shkojë larg skuadra jonë kombëtare me këtë prezantim që bëri në ndeshjet e para në grup? Një trajner i madh vjen në krye të një skuadre përfaqësuese për të bërë gjëra të mëdha, por a e ka bërë Reja këtë deri tani? Me “yjet” që ka brenda duhet të bëjë më shumë dhe kjo skuadër e ka cilësinë për të bërë më shumë. Çfarë ka që nuk shprehet në nivelin e pretenduar? Epo trajneri është ai që duhet t’i japë zgjidhje. Unë mendoj se pikërisht këtu është dobësia e trajnerit dhe fatkeqësisht Reja këtë dobësi e shfaqi në këto tri ndeshje, duke mos pasur idetë e duhura për grupin, të paktën kjo është pikëpamja jonë nga jashtë skuadrës. E them këtë pasi është trajneri ai që e di më mirë gjendjen.

- A mendoni se edhe në aspektin taktik ka probleme?

Unë mendoj se futbolli flet me gjuhën e tij por duhet parë edhe skema me të cilën luajmë. Ai preferon 3-5-2, por një trajner e di mirë që skemat shkojnë në varësi të lojës, rezultatit e kundërshtarëve. Nuk ka asgjë statistike, gjithçka shkon në dinamizmin e lojës. Pse është trajneri adapt? Sepse ai e ka tagrin të bëjë ndryshimin në kohën e duhur duke zgjedhur modelin më të përshtatshëm për cilësinë e lojtarëve të tij. Prandaj shtrohet pyetja: Sa i njeh Reja lojtarët e tij? Ndaj San Marinos ai futi në pjesën e dytë lojtarë që bënë diferencën. Pra skuadra e ka potencialin por ky potencial duhet të shprehet. Unë i flas këto gjëra pasi e dua Kombëtaren, e ndjej atë në shpirt dhe shqiptarët janë të lidhur fort me skuadrën nacionale. Anglia ka lojtarë shumë të mirë, por mos harroni, edhe ne kemi futbollistë shumë të mirë. Dakord, nuk kemi luks, por të arrish deri aty sa të mos mbash dot topin, ky është një problem serioz. Loja që bëri skuadra jonë në të tria ndeshjet ishte ordinere. Jo në një takim, por në të tri ndeshjet e luajtura pati probleme. E përsëris, nuk më vjen mirë që bëj kritika, por nuk e pamë atë ndryshimin e madh për të cilin ishim përgatitur dhe që e prisnim fort në këto eliminatore. U kënaqëm që morëm pikët maksimale ndaj kundërshtarëve të dobët, por deri ku shkojmë me këtë lojë? Këtu duhet të fillojë analiza. Edhe Kosova humbi dy ndeshjet e saj eliminatore me Suedinë dhe Spanjën, por ata bënë lojë, shkonin në portë, krijonin raste, u shprehën në fushë. Humbën, por e thanë fjalën e tyre, u përpoqën, krijuan dhe treguan forcë dhe karakter, madje luajtën bukur. Maqedonia e Veriut befasoi Gjermaninë. Pra, futbolli ka ndryshuar, nuk ka më skuadra të vogla e të mëdha, në futbollin modern duhet të shprehesh. Po ne çfarë bëmë në këto tri ndeshje?

- Thuhet që kjo përfaqësuese ka lojtarë shumë të mirë, por fusha po tregon të kundërtën...

Unë mendoj që për nga emrat që disponon, kjo është një prej skuadrave më të mira të të gjitha kohërave, ka lojtarë të nivelit shumë të lartë, por më trishton mënyra e të luajturit në përfaqësuese. Gjimshiti luan me Atalantën në nivel të lartë, po ashtu Hysaj te Napoli, e shumë lojtarë të tjerë. Problemi i kësaj skuadre është se futet në fushë jo për të luajtur si i barabartë me rivalin, por si të mos humbasësh, unë kështu e pashë ndeshjen me Anglinë dhe në këtë pikë Reja ka dështuar. Unë pashë që ky trajner u gëzua që nuk pësoi më shumë se dy gola. “S’kemi kohë, jo kështu e jo ashtu”, thoshte ai, por fakti është se ishim një skuadër ordinere në të tria ndeshjet. Kur vjen si trajner i madh, duhet të bësh gjëra të mëdha.

- Nuk e di sa e ke ndjekur kampionatin shqiptar, cili është mendimi juaj për këtë edicion?

Nuk është se e kam ndjekur shumë dhe nuk mund të jap një mendim të saktë, por janë disa fenomene që më shqetësojnë mua dhe janë fenomene të përsëritura. Pati dhunë në një ndeshje të moshave. Imagjino, dhunë tek një kampionat 19-vjeçarësh! Çfarë mund të presësh më tej? Një rrugaçëri e madhe, krejt e kundërta me skuadrën përfaqësuese, e cila ka lojtarë që shfaqin edukatë pasi janë formuar në klube profesioniste jashtë vendit.

- Për t’u kthyer sërish tek Kombëtarja, duket se mosha e Rejës rikthehet në vëmendje si problem serioz...

Nuk mendoj kështu për moshën, por duket se trajnerit i ka mbetur ora me skemat e tij të mëparshme. Kur nuk ka ndryshime në lojë, nuk jepen sinjalet e duhura të ndryshimit pozitiv.

- Ndoshta ka ardhur koha për një trajner shqiptar, apo jo?

Natyrisht që një trajner shqiptar do të ishte më mirë, por ne nuk kemi respekt për trajnerët tanë, vlerësojmë më shumë të huajt, diçka që nuk duhet të ndodhë. Është dhe një problem tjetër në këtë drejtim, pasi një teknik vendas nuk e ka mundësinë dhe anën financiare të ndjekë lojtarët jashtë vendit. Reja e ka bërë këtë me menaxherët, por pagesat për trajnerët tanë nuk shkojnë në këto nivele. E ku qëndron ndryshimi pse morëm një trajner të huaj? Për të luajtur si në këto tri ndeshje? Unë marr shembull Shpresat e Alban Bushit, që kanë pasur progres më shumë, ka evidentuar lojtarë, ka luajtur mirë etj. Në një skuadër është i rëndësishëm boshti i saj, gjë që përfaqësuesja jonë nuk e ka në këtë moment dhe këtë bosht duhet ta formojë trajneri. Ai ka 6 sulmues në dispozicion, por ne nuk e dimë kush është sulmuesi i parë i skuadrës. Me De Biazin ishte ndryshe, ishte një bosht, ishte një skemë, ishte një objektiv, pra ngjallte shpresë ekipi. Unë i uroj suksese, por loja në këto tre takime të para ka lënë për të dëshiruar. Mos harrojmë se jemi në grup të vështirë dhe me një lojë të tillë nuk shkojmë gjëkundi. Prandaj duhet të ndryshojmë sa nuk është vonë nëse duam të rivalizojmë me Poloninë e Hungarinë.

Intervistoi: Adriatik BALLA