BREAKING NEWS

Ngjarje kriminale/ Zbrazen plumbat mbi uniformat blu të Policisë në Mamurras, plagosen rëndë dy efektivë, nisen me urgjencë në spital

Ngjarje kriminale/ Zbrazen plumbat mbi uniformat blu të Policisë
x

Sport

Rritet presioni ndaj Rejës, veterani italian nuk bën për epokën e re të Kombëtares

Rritet presioni ndaj Rejës, veterani italian nuk bën për

Humbja me Anglinë, por edhe fitorja pa shkëlqim ndaj Andorrës, ku kuqezinjtë kanë bërë një lojë të dobët e pa kuptim, pa fantazi në mesfushë, me shumë probleme në sulm dhe me lojtarë që nuk gëzojnë formën e duhur, duket se ka vënë para presionit trajnerin Edi Reja, i cili, edhe pse është brenda objektivave, duket se nuk e përballon dot peshën në rritje të kritikave, që lidhen këtë herë me moshën e tij. “Moshë e vjetër për një ekip të ri janë gjëra që nuk pajtohen”, thonë specialistë të ndryshëm, ku teknikët nga Shkodra e kanë kapur stafetën anti Reja në këtë periudhë si Hafizi, Vata e Beqiri. Ky i fundit ishte më i moderuar, por në një intervistë pak ditë më parë për gazetën “SOT”, theksoi se skemat e Rejës janë të ngurta dhe se ekipi kishte nevojë për impulse të reja. Që përfaqësueses i duhet një staf me teknikë të rinj energjikë e kishin shprehur edhe para se të vinin ndeshjet zyrtare shumë figura të futbollit, madje emri që lakohej më shumë si pasues i tij është ai i Besnik Hasit. Por, pas ndeshjes me Anglinë, ku skuadra shfaqi jo pak probleme, edhe pse humbja me përfaqësuesen e “Tre Luanëve” është e justifikuar nisur nga niveli i anglezëve, janë shtuar zërat që insistojnë në largimin e Rejës, e midis tyre nuk mungon dhe zëri i fortë kritik i Rudi Vatës. “Kjo është Shqipëria jonë e vogël në futboll se sot ishte si një ndeshje e një boksieri të peshave të rënda me një të peshave të lehta. Unë mendoj se flasim gjithmonë se reparti më i fortë është mbrojtja, është e vërtetë, por po të shohësh mesfushën, reparti te ne është më i dobëti në aspektin e dyluftimeve e qarkullimin e topit”, thekson Vata.

Reja 70 e kusur vjeç, s’është për Kombëtaren

Duke analizuar trajnerin, veprimet e tij dhe moshën, sigurisht, Rudi Vata çon analizën e tij aty ku e sheh ai problemin e vërtetë të përfaqësueses, tek mosha e trajnerit. “Nuk mundemi ende të vazhdojmë me Rejën trajner 70 e kusur vjeç, sa nuk I ka idetë moderne të futbollit. Anglia beson te Sauthgejt që luan me topin nga mbrapa, jo me pasime të gjata e sulmet nga krahët. Anglia meqë ka pasur eksperiencë më trajnerë të mëdhenj në kampionat ka ndryshuar. Ka besuar te Sauthgejt që ka ide moderne e janë futbollistë modern. Por Reja është shkolla e vjetër e futbollit italian, i fiksuar pas një grupi lojtarësh”, nënvizoi Vata.

Në Kombëtare ka nepotizëm

Ish-mbrojtësi dhe kapiteni i përfaqësueses, Rudi Vata, indirekt në analizën e tij bëri përgjegjës trajnerin dhe FSHF-në për seleksionimet, duke thënë se në Kombëtare ka nepotizëm. “Trajneri ka bërë gabime, seleksionimi nuk e di a ka kriter, si ka mundësi të marrin lojtarë i fusin 3-4 ndeshje, pastaj e humbet? Ishte një djalë në Suedi e morëm e aktivizuam e pastaj që nga ndeshja me Skocinë u zhduk. Morën Seferin e futën, e fituam, tani përfundon në kampionatin shqiptar, kush i seleksionon këto? Çfarë kriteri, kush është ky drejtori teknik, trajneri, këta që bëjnë skautim, ndaj kemi problem se ka nepotizëm në ekipin kombëtar. Nuk mund të sjellësh lojtarë sulmues që nuk shënojnë gola, nuk kanë shpejtësi e agresivitet. Këtu dalin e kërkojnë lojtarë e i shohin se janë jashtë. Por ka edhe në kampionatin shqiptar me të njëjtat cilësi, nuk ka nevojë të shkosh të marrësh nga jashtë që nuk rritin nivelin. Kur Reja u bë trajner, ishte që performanca të rritej në krahasim me Panuçin. Pyetja ime është: me 17 ndeshje a është përmirësuar kombëtarja në krahasim me Panuçin? Unë mendoj se pretendimet tona që shoqëronin performancën pas një Europiani, të rriten objektivat, dëshironim që të rritej pjaca. Ne si skuadër kemi shkuar poshtë, nuk jemi një nga skuadrat që konsiderohemi të rrezikshëm që i marrim kundërshtarit pikë. Mendoj se skuadra ka rënë në pikën më të ulët që mund të jetë me këto lojtarë në dispozicion. Si ka mundësi që Andorra na vuri në vështirësi në dyluftime, nuk dominuam, nuk krijuam raste ndaj një kundërshtari të dobët. Kjo më bën të dyshoj që trajneri ka shumë problem. Por ne që kemi kuptuar si funksionon futbolli modern nuk mund të na gënjejë. Do isha i lumtur që Reja të largohet sa më shpejt nga kombëtarja se nuk ka idetë moderne e konceptin e përshtatshëm e na harxhon kohën me histori e përralla”, tha Vata.