BREAKING NEWS

‘Pa shiko sa të thella qenkan punët!’, përgjimet e antimafias italiane, paralajmëron Artan Hoxha dhe zbulon emrin kush është ‘peshku i madh’

‘Pa shiko sa të thella qenkan punët!’, përgjimet e
x

Sport

Rumenige “braktis” Bundesligën dhe analizon Serinë A: Juventus mbetet favorit për titull

Rumenige “braktis” Bundesligën dhe analizon Serinë A:

Drejtori i Bajernit të Mynihut sheh “Zonjën e Vjetër” pretendente kryesore për titullin në Itali, pavarësisht se Milani dhe Interi janë të shkëputura për momentin

Juventusi po përgatitet për kryendeshjen e sezonit, atë ndaj Milanit, e cila do të regjistrojë duelin e parë të madh të këtij edicioni, lidhur nga pozitat e skuadrave në renditje dhe njëherësh ambiciet që kanë disa ekipe për titullin në “Scudeto” këtë edicion. Serinë A aktualisht e komandojnë dy skuadrat e Milanos, pikërisht Milani dhe Interi, që kanë diferencë një pikë nga njëri-tjetri, por janë të shkëputur me 10 pikë nga Juventusi që ndodhte në vend të pestë. Për shumë analistë dhe specialistë në Itali, Milani dhe Interi janë favoritë për titullin, por nuk mendojnë kështu ata që simpatizojnë Juventusin, nisur dhe nga përbërja cilësore që ka në grup “Zonja e Vjetër”. Sipas tyre, edhe pse pozitat nuk i japin avantazhe, besojnë se Juventusi mund ta përmbysë renditjen në muajt në vijim, nisur nga potenciali i madh që ka si skuadër. Kështu, shefi ekzekutiv i Bajernit të Mynihut, Karl Heinz Rumenige foli rreth disa temave interesante në një intervistë për mediat italiane. Drejtuesi i kampionëve të Gjermanisë preku disa argumente, duke nisur nga ai që i përket futbollistit brazilian të huazuar nga Juventusi, Daglas Kosta. “Ende nuk kemi vendosur nëse do e blejmë përfundimisht, por jemi shumë të kënaqur me atë që po bën. Është i zoti si në fushë, edhe jashtë saj, por kjo pandemi ka përmbysur gjithçka dhe ende nuk e dimë se si do të lëvizim në merkato”, u shpreh ai. Një koment pastaj drejtuesi i Bajernit e rezervoi për Juventusin, që nuk e ka nisur si duhet sezonin, por që është ende në garë për objektivat sezonalë. Edhe Rumenige nuk e konsideron Juven jashtë lojës, si për titull ashtu edhe në Champions League. “Juventusi nuk po bën aq mirë në krahasim me disa skuadra të tjera në kampionat, por mund të luftojë ende për titullin dhe edhe në Europë është një kundërshtar për t’u respektuar. Gjithsesi uroj që titullin ta fitojë Interi, pasi ka kohë që nuk fitojnë një trofe”, deklaroi Rumenige. Në fund edhe një mendim për numrin 7 të Juventusit, Kristiano Ronaldo që u nderua në Dubai si lojtari i shekullit. Rumenige rezervon vetëm lëvdata për portugezin në lidhje me atë që ka bërë jo vetëm te Juventusi, por edhe në gjithë karrierën, gjatë të cilës ka udhëhequr drejt suksesit skuadrat ku ka bërë pjesë. “E meritoi çmimin si lojtari më i mirë i shekullit, ka luajtur 10 vite të jashtëzakonshme dhe po bën edhe tani shumë mirë te Juve. Ne jemi të kënaqur me Levandovskin, që në 2020-ën na bëri të fitojmë 5 trofe, mes të cilëve edhe Championsin. Është një sulmues i jashtëzakonshëm”, deklaroi drejtuesi bavarez. Duhet theksuar se Juventusi ndodhet momentalisht në vendin e 5-të në Serinë A italiane, me 27 pikë, 10 pikë më pak se Milani kryesues e 9 pikë më pak se Interi i vendit të dytë. Vendin e tretë dhe të katërt e mbajnë Roma dhe Napoli, me respektivisht 30 dhe 28 pikë.