Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Sadiku kalon “provën” tek Malaga, 3 ndeshje titullar dhe “presion” Rejës ta ftojë në duelin me Turqinë

Postuar: 19/09/2019 - 07:22

Trajneri i Kombëtares, Edi Reja, nuk e ftoi Armando Sadikun për duelet ndaj Francës dhe Islandës, pasi lojtari kishte kohë që nuk aktivizohej në kampionatin spanjoll dhe kishte shfaqur probleme me ekipin e Levantes, e cila nuk e planifikoi për edicionin e ri në Primera Divizion. Por Sadiku nuk iu largua Spanjës, duke u huazuar në ditët e fundit të merkatos në Segunda Divizion, ku u bë pjesë e Malagës, një skuadër e njohur e gadishullit iberik. Padyshim që kjo ishte një mundësi për Sadikun, i cili duhet të tregojë tani vlerat e tij, fillimisht duke fituar vendin e titullarit e më pas të luftojë për kryegolashënues të skuadrës, si mundësi për të qenë i suksesshëm në edicionin e ri dhe si kusht për t’u kthyer në radhët e skuadrës përfaqësuese. Vetë trajneri Reja po e ndjek lojtarin dhe e di që në Kombëtare Sadiku ka një vend të veçantë dhe mund të japë kontribut në katër takimet e mbetura, takime që do të jenë vendimtare për objektivat e skuadrës në eliminatoret e Euro-2020. Natyrisht, dueli më i rëndësishëm dhe që shihet si përplasje dirkete është ai me Turqinë, të cilën kuqezinjtë duhet ta mundin për të ngushtuar diferencën me pikë dhe për të siguruar një mundësi dhe një shpresë për një kualifikim të mundshëm, edhe pse pas turqve mbeten edhe tri ndeshje të tjera të vështira, ku veçohet transferta me Moldavinë dhe dueli i fundit me Francën. Sadiku ka luajtur me ekipin e ri dhe ka nisur të krijojë profilin e tij tek Malaga. Sadiku është aktivizuar në tre takime, duke pasur në total 264 minuta në këmbët e tij në këtë start të edicionit të ri futbollistik në Spanjë, madje ka realizuar edhe një gol për Malagën. Pra starti i Sadikut me ekipin e ri në Segunda Divizion është mjaft i mirë dhe nëse ruan këtë ritëm, me siguri që ai do të marrë ftesë nga Reja në ekipin përfaqësues për ndeshjet e muajit tetor ndaj Turqisë dhe Moldavisë. Do ta ketë të vështirë, sigurisht, pasi lojtarë si Balaj dhe Cikalleshi kanë prioritet, jo vetëm se janë të gjatë dhe kanë realizuar gola, por kanë krijuar një vijimësi në ndeshjet e fundit të Kombëtares, duke qenë dukshëm të avantazhuar në krahasim me elbasanasin. Malaga nuk është skuadra më e mirë për të shkruar karrierën, por për Sadikun që kaloi një mal me probleme ky është një moment reflektimi dhe numri 10 i përfaqësueses mund ta shfrytëzojë këtë moment për të rikthyer besimin tek skuadra e tij, tek ekipi përfaqësues, trajneri Reja madje dhe tek vetja e tij. është ende e freskët paraqitja e tij në duelin me Rumaninë dhe goli historik që shënoi në Euro-2016, por edhe golat ndaj Izraelit dhe të tjerë gola me fanellën përfaqësuese. Prandaj Sadiku është i rëndësishëm për ekipin kuqezi dhe Reja e ka kuptuar se ai meriton vëmendje. Me siguri që do të ketë ftesë për lojtarin në tetor, pasi Sadiku po aktivizohet dhe 264 minuta në tri ndeshjet e fundit janë dëshmi se ai jo vetëm ka fituar vend titullari, por po shndërrohet në një nga lojtarët me peshë të Malagës. Tek kjo skuadër luan edhe një tjetër lojtar kuqezi, Kedi Bare, mesfushor organizator dhe mjaft teknik, i cili luajti titullar në dy ndeshjet e shtatorit në përfaqësuese, si ndaj Francës dhe ndaj Islandës, duke merituar vlerësim maksimal, pasi teknikisht ishte shumë lart dhe i duhet ekipit përfaqësues. Mbetet të shihet ecuria e të dy lojtarëve tanë në radhët e Malagës, por starti ka qenë i mirë për të dy kuqezinjtë dhe kjo është shenjë e mirë për Kombëtaren dhe sfidat e saj të ardhshme. Jo vetëm Bare, që në një farë mase e ka të garantuar ftesën me këtë formë që po kalon, por Reja do të ketë me siguri një “biletë” edhe për Sadikun, i cili ndaj turqve mund të kthehet në “identitet”, për të ndihmuar skuadrën të gjejë rezultatin e duhur. Dhe ai i ka dhënë provat se di të shënojë në duelet e rëndësishme dhe për këtë gëzon besimin edhe të grupit. Me pak fjalë, Armando Sadiku po ringjallet dhe po i lëshon sinjal Rejës ta rikthejë në përfaqësuese.

Adriatik BALLA

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 23/10/2019 - 07:26

Liga e Kampioneve u kthye mbrëmë me duelet e xhiros së tretë të saj, ku spikatën fitoret e skuadrave të mëdha, ku Bajerni, Siti dhe Paris San Zhermen bëjnë një hap drejt kualifikimit.

Postuar: 23/10/2019 - 07:24

Kombëtarja luajti dy ndeshje mjaft të mira në tetor, në kuadër të eliminatoreve të Euro-2020, në

Postuar: 23/10/2019 - 07:23

Teuta ndodhet në vend të parë në Superiore, me meritë, duke grumbulluar 15 pikë në 8 javët e para

Postuar: 22/10/2019 - 08:26

Atletja, Luiza Gega na ka përfaqësuar denjësisht ku ka arritur që të dalë e treta në garën 3000m

Postuar: 22/10/2019 - 07:34

Juventusi ka bërë ndryshime në lojë krahasuar me kohën kur drejtonte Masimiliano Alegri, ndërkohë

Postuar: 22/10/2019 - 07:33

Një nga futbollistët e Kombëtares kuqezi që është angazhuar fuqishëm në këto eliminatore të Europ

Postuar: 22/10/2019 - 07:31

Kampionati do të vijë me një valë ndeshjesh të ngjeshura në këtë periudhë, pasi do të luhen dy xh