BREAKING NEWS

“U puthën në buzë dhe pastaj ikën”, presidenti Meta sulmon hapur Donald Lu dhe Vlahutin

“U puthën në buzë dhe pastaj ikën”, presidenti
x

Sport

Sadiku ndez rivalitetin në Kombëtare: Tifozët më duan, më lidhin me suksesin në Europian

Sadiku ndez rivalitetin në Kombëtare: Tifozët më duan,

Sulmuesi Armando Sadiku po kalon një moment shumë të mirë me skuadrën e tij Malaga, në Segunda Divizion të Spanjës, ku ka shënuar rregullisht gjatë javëve të fundit dhe ka realizuar disa asiste, pra një lojtar lider tek ky ekip dhe njëherësh një nga sulmuesit më të spikatur në ligën e dytë spanjolle. Por vëmendja e Sadikut është më tej sesa Malaga. Ai shpreson që të rikthehet titullar në Kombëtare, duke ndezur kështu rivalitetin me lojtaret e tjerë të përfaqësueses kuqezi dhe duke kujtuar kohët e shkuara, sidomos në Europianin e Francës ku ai pati shumë sukses, “ngroh” atmosferën dhe i hap rrugën vetes ta pretendojë rolin kryesor në vijën e parë ofensive të skuadrës së Edi Rejës. Në një intervistë të dhënë së fundmi për mediat spanjolle, Sadiku e nis në fillim me paraqitjet e tij në kampionat. “Shpresoj të vazhdoj kështu edhe në 15 ndeshjet e mbetura. Na duhen pikë. Me cilësitë që ka ekipi nuk duhej të ishim aty ku jemi, por do japim maksimumin në ndeshjet e mbetura. Kam shumë besim në vetvete. Objektivi im i parë ishte të luaja në çdo ndeshje, të kisha shumë minuta të cilat më duheshin pas një dëmtimi të rëndë. Ky ishte qëllimi im, të luaja në çdo ndeshje dhe të shënoja. Kam shënuar 10 dhe ato janë fryt i punës së gjithë ekipit. Shpresoj të vazhdoj kështu, dua të shënoj në çdo ndeshje. Duhet të jem gati kur të vijnë mundësitë. Nga zemra më lind dëshira të arrinim në play off, dua të lë gjurmë këtu. Do e provojmë deri në fund”, theksoi Sadiku. Më pas vjen një koment për suksesin e tij në Europian. “Janë kujtime që do i ruaj përgjithmonë. Europiani më ndryshoi jetën. Para se të shkoja në Europian unë isha sulmuesi i katërt në Kombëtare dhe nuk isha i qartë nëse do isha pjesë e listës. Ndryshova skuadër gjashtë muaj para, u transferova te Vaduz. Aty luajta mirë. Shënova në tre miqësoret e fundit me Kombëtaren dhe para Europianit e filloja gjithnjë si titullar. Shënova golin e fitores kundër Rumanisë dhe aty karriera ndryshoi për mirë. Më vonë vazhdova të shënoja gola me Kombëtaren dhe kjo më hapi rrugën për t’u transferuar te Levante”, nënvizoi më tej Sadiku.

Raportet me drejtuesit e Malagës dhe ambicia me Kombëtaren

Në vijim të qëndrimit të tij, Armando Sadiku komenton raportin me presidencën e Malagës, por edhe me shqiptarët që luajnë në Spanjë e veçanërisht shokun e ekipit, Keidi Bare. “Kam raport të mirë me presidentin, por jo vetëm me të. Gjithashtu edhe me drejtorin sportiv, me shokët. Duhet ta falënderoj presidentin që pati besim te mua. Rinovoi për një vit, më transferoi këtu dhe më siguroi se çdo gjë do shkonte mirë. Më ka dhënë një mundësi dhe po ia dal mirë. Kjo është e mirë edhe për Levanten. Jam mirë këtu, familja ime është mirë dhe do shohim në fund. Dua të përfundoj sezonin këtu. Erdha të luaja më shumë se 30 ndeshje dhe të shënoja gola. E kam të nevojshme, unë jam i lumtur në Malaga ashtu si edhe familja ime”, theksoi Sadiku. Por s’mbetet pas komenti për Baren dhe Manajn, si dhe perceptimi në Shqipëri. “tifozët në Shqipëri na ndjekin. Kur shënoj gol apo kur Keidi luan shumë mirë, vendosen ndeshjet në televizor dhe në media shkruhet shumë mirë për ne. Kjo më gëzon shumë, që vendi jonë na ndjek ne të dyve. Edhe Manaj është shumë i mirë. Unë nuk e njoh shumë pasi kemi luajtur pak në Kombëtare. Por, është një djalosh që ka një të ardhme të madhe përpara. Kurse Bare është i lumtur tek Malaga. I pëlqen të jetë këtu dhe ka arritur Kombëtaren. Është i qetë, është i ri. Është 22-vjeç dhe ka të gjithë karrierën përpara. Është titullar dhe thuajse një lider për ne. Të shohim se çfarë ndodh në fund të sezonit, por ka një të ardhme brilante”, përfundoi Sadiku. Një qëndrim i tillë konfirmon faktin se sulmuesi kuqezi e ka ëndërr të kthehet në formën e tij më të mirë e të përsërisë suksesin që pati me Kombëtaren në Europianin e Francës. Në fakt, ai mund të japë kontribut në eliminatoret e ardhshme.