BREAKING NEWS

Meta akuzoi Kuvendin dhe Komisionin e Ligjeve si ‘falsifikatorë’, reagon Manja dhe i jep ‘shuplakën’ e rëndë Presidentit: Del çdo 2 orë në konferencë! Grushti i shtetit në oborrin e presidencës!

Meta akuzoi Kuvendin dhe Komisionin e Ligjeve si
x

Sport

Sadiku “ngroh” Rejën, miqësorja e marsit testi i madh për Kumbullën në Kombëtare

Sadiku “ngroh” Rejën, miqësorja e marsit testi i madh

Lojtarët e përfaqësueses së Shqipërisë po kalojnë një moment të mirë, pothuajse shumica e grupit të titullarëve. Kjo vërtetohet jo vetëm me minutazhin e aktivizimit, por edhe me paraqitjen e tyre në tërësi referuar të dhënave sportive, si dhe numrin e golave për lojtarët sulmues. Në fokus këtë herë janë dy lojtarë kuqezi, sulmuesi Armando Sadiku, i cili po shënon rregullisht me Malagën në ligën e dytë spanjolle, si dhe mbrojtësi Marash Kumbulla, i cili është shndërruar në një nga lojtarët më të kërkuar në treg gjatë kësaj periudhe. Pothuajse shumica e klubeve të mëdha europiane kanë dërguar skautë për ta ndjekur lojtarin shqiptar që nuk i ka mbushur ende 20 vjeç. Në lidhje me Sadikun mund të thuhet se elbasanasi ka realizuar deri tani 10 gola për Malagën në Segunda Divizion dhe paraqitet si një armë e fortë e këtij klubi. Kurse Kumbulla po merr vëmendje kontinentale, sepse klubet më të mëdha europiane janë vënë në ndjekje të tij. ndaj Juventusit realizoi një nga ndeshjet e tij më të mëdha të sezonit, duke futur “në xhep” Kristiano Ronaldon, duke shënuar një gol që iu anulua për pozicion jashtë loje, si dhe duke fituar penalltinë që i dha Veronës fitoren 2-1 ndaj Juventusit, në një mbrëmje magjike për lojtarin shqiptar.

Sadiku, gola çdo javë, sinjal i mirë për Kombëtaren

Golat, minutazhi, paraqitjet e mira në tërësi, tregojnë një rilindje të sulmuesit dhe ky është padyshim një lajm i mirë për Kombëtaren. Kjo paraqitje e mirë e tij ka “ngrohur” dhe trajnerin Edi Reja, i cili po vuan mungesën e një goleadori të spikatur në vijën e parë ofensive të skuadrës, pasi e vërteta është se skuadra jonë ka një efikasitet të dobët në fazën sulmuese. Sikurse raportojnë vetë mediat spanjolle, Armando Sadiku ka vendosur të bëhet udhëheqësi i Malagës në këtë sezon të vështirë që po kalon skuadra. Sulmuesi ia doli edhe në mbrëmjen e djeshme të gjente rrugën e rrjetës, (goli numër 10) teksa barazoi shifrat nga pika e bardhë e penalltisë në momentin që të tijtë ishin në disavantazh ndaj Numancias. Por, Malaga nuk ishte e kënaqur me barazimin në shtëpi, ndaj vazhdoi të shtynte për të gjetur golin e triumfit. Një gol i cili erdhi vetëm në minutën e 90, ku sërish protagonist u bë futbollisti i Kombëtares. Pas një harkimi në zonë, Sadiku provoi të godiste me kokë nga një kënd i vështirë por realizimi nuk i doli sipas parashikimeve, megjithatë elbasanasi shkaktoi aq rrëmujë në zonën e kundërshtarëve, sa sfera përfundoi në këmbët e Adrian i cili nga fare pranë portës nuk e pati të vështirë të tundte rrjetën. Kështu, Malaga mori pikët e plota dhe merr frymë në klasifikim duke iu larguar disi zonës së ftohtë, ndërsa Sadiku është shndërruar në liderin e ekipit, ndërkohë që në këtë sfidë sërish Keidi Bare nuk ia doli të zbriste në fushë për shkak të një dëmtimi.

Kumbulla, miqësorja e marsit testi i madh, për momentin nga më të kërkuarit në Europë

Marash Kumbulla është lojtari i momentit në Europë. Është një mbrojtës që ende nuk i ka mbushur 20 vjeç, por ka të ardhme të ndritur. Në duelin mes Veronës dhe Juventusit bëri ndeshje të madhe dhe u vlerësua me notën 7.5, më e madhja e takimit. Nuk gaboi asnjë moment, madje ishte super në fazën sulmuese. Nga ana tjetër, në Kombëtare do ta ketë një vend të garantuar. Kjo ecuri e mirë e ndihmon në këtë aspekt, por burimet në FSHF thonë se Reja e ka të qartë se për Kumbullën testi i madh do të jetë miqësorja e marsit kundër Sllovenisë, takim i planifikuar të luhet në Itali. Kjo paraqitje e mirë po ndikon që ai të marrë oferta të mëdha në merkato. Kështu, Interi dëshiron ta blejë mbrojtësin shqiptar të Hellas Veronës, Marash Kumbullën, por përballet me konkurrencë të fortë për të. Kumbulla ka shpërthyer këtë sezon në Serie A dhe vlerësohet si njëri prej lojtarëve më të mirë të rinj. Paraqitjet e tij mbresëlënëse u kanë rënë në sy drejtuesve të klubit zikaltër. Mediat italiane raportojnë se, përveç Interit, një grup klubesh të tjera të mëdha e duan 20-vjeçarin e Kombëtares së Shqipërisë. Në mesin e tyre Mançester Siti, Bajerni i Mynihut, Mançester Junajtid, Everton dhe Napoli. Megjithatë, thuhet se shqiptari e parapëlqen kalimin tek Interi në Serie A italiane.