BREAKING NEWS

“Pa koment”,Rama poston foton nga takimi i Bashës dhe jep mesazhin e fortë

“Pa koment”,Rama poston foton nga takimi i Bashës dhe jep
x

Sport

Sadiku “thatësirë” në Kolumbi, Cikalleshi kthehet me asist në Turqi

Sadiku “thatësirë” në Kolumbi, Cikalleshi kthehet me

Lojtarët e Kombëtares janë kthyer në skuadrat e tyre në kampionate të ndryshme europiane për t’iu përkushtuar grupeve ku aktivizohen dhe të mbyllin me dinjitet dhe statistika të “begata” edicionin aktual futbollistik. Në Kombëtare zhvilluan tri ndeshje, ku morën 6 pikë, ndaj Andorrës dhe San Marinos, por humbën ndaj Anglisë, ndërkohë që loja la për të dëshiruar në të tria ndeshjet. Gjithsesi, Shqipëria ka lojtar me potencial dhe është një përfaqësuese në rritje. Ndërkohë, menjëherë sapo janë kthyer lojtarët kanë spikatur me ekipet e tyre, por ka dhe prej futbollistëve që kanë zhgënjyer. Kështu, një nga lojtarët që nuk ishte ftuar nga Reja në këtë fazë kualifikuese të “Katar-2022” ishte Armando Sadiku, që siç dihet luan me Bolivarin në Bolivi. Elbasanasi ende nuk e ka gjetur rrugën e rrjetës ndërsa në ndeshjen e fundit ka humbur raste të pafalshme, plot tre të tilla në një hark kohor më pak se 15 minuta. Ndryshe nga Sadiku, Sokol Cikalleshi ka staturë më të fortë dhe menjëherë sapo është kthyer në Turqi është bërë protagonist me asist, por protagonist dhe në sensin negativ pasi ka humbur një 11-metërsh. Lojtarët e tjerë të Kombëtares janë duke rimarrë energjitë për sfidat e reja. Problem mbetet Kumbulla që është dëmtuar në menisk dhe ka humbur të gjitha ndeshjet e mbetura të sezonit, ndërsa mbetet për t’u parë gjendja e Gjasulës, Abrashit e Memushajt.

Cikalleshi, kthim me asist në superligën turke

Sulmuesi i Kombëtares tonë, Sokol Cikalleshi, mbetet një protagonist i zakonshëm me Koniasporin e tij në Superligën e Turqisë, teksa në ndeshjen e ditës së sotme në transfertë ndaj Erzurumspor, dhuroi një asist por edhe humbi një penallti. Sulmuesi, pas një këmbëngulje të gjatë në krahë, shërbeu në zonë aty ku shoku i tij e dërgoi sferën në rrjetë për të hapur llogaritë e takimit. Sakaq, në vazhdim, Koniaspor e pësoi por pati mundësinë të kalonte në avantazh pikërisht me Cikalleshin. Kavajasi mori përsipër goditjen e një 11-metërshi, por gaboi shënjestër. Megjithatë, për fat të mirë kjo nuk ndikoi në rezultatin final të ekipit pasi në fraksionin e dytë, Koniaspor shënoi golin e dytë dhe në fund të 90 minutave mori tre pikë të plota. Kështu, me Cikalleshin si lojtarin kryesor, Koniaspor ngjitet në vendin e 11-të me 39 pikë. Duhet thënë se Cikalleshi, edhe pse në moshë “veterani” tashmë, vijon të japë kontributin e tij për përfaqësuesen kuqezi, duke u aktivizuar dhe duke luftuar me shpirt për fanellën e Kombëtares. Fakti që ka formë të mirë, aktivizohet me skuadrën e tij dhe i përkushtohet fanellës kuqezi, e justifikon atë para trajnerit Edi Reja, që e ka vlerësuar vazhdimisht dhe e ka ftuar atë në ekip thuajse në çdo grumbullim. Cikalleshi është lojtar zone por punon shumë në të dy fazat e lojës prandaj dhe pëlqehet nga stafi. Ai është punëtor dhe lojtar të tillë i vlejnë lojës në grup.

Sadiku “thatësirë” në Bolivi, asnjë gol që nga janari

As Amerika Latine nuk po i sjell fatin e dëshiruar sulmuesit Armando Sadiku. Kjo pasi sulmuesi i Kombëtare kuqezi nuk po gjen dot rrugën e rrjetës dhe ky është një problem jo i vogël për të. Cilësitë e elbasanasit nuk vihen në diskutim, por Ndeshja e tretë me Bolivar në Bolivi dhe Armando Sadiku ende nuk e ka gjetur golin e parë me skuadrën e re. Gjithsesi, tre ndeshje pa gol nuk është për t’u bërë dramë, por një shije të hidhur ka lënë fakti se në këto takime, sulmuesi shqiptar ka humbur shumë raste dhe kjo është e pazakontë për të. Edhe në ndeshjen e mbrëmshme të Bolivar ndaj Bluming, Sadiku u paraqit i vetëm përballë portierit, por në mënyrë të çuditshme nuk e tundi rrjetën duke gabuar rëndë. Për fat të mirë, ekipi i tij fitoi me rezultatin 2-0 dhe rastet e shpërdoruara në vazhdim nga Sadiku nuk kanë ndikuar për keq te pikët e ekipit. Gjithsesi, pritshmëritë për të janë të mëdha në Bolivi, ndërkohë që goli i fundit i elbasanasit daton në qershor të vitit 2020 dhe i duhet të zhbllokohet sa më shpejt nga ky ngërç që e ka mbërthyer.