BREAKING NEWS

Lombardia merr frymë,  bie numri i të vdekurve me 77 më pak dhe numri i infeksioneve 107 më pak

Lombardia merr frymë,  bie numri i të vdekurve me 77 më pak
x

Sport

Sahit Prizreni: Talente kemi por i çojmë dëm, sporti i tradhtuar, ëndrrat e sportistëve lodra interesi për politikanët

Sahit Prizreni: Talente kemi por i çojmë dëm, sporti i

Sporti shqiptar po kalon një moment të vështirë, për shkak se ende nuk janë lëvruar fondet grant nga buxheti, të domosdoshme për objektivat vjetore të federatave dhe ajo që është akoma më e nevojshme lidhet me pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike Tokio-2020. Kemi të bëjmë me një vonesë të dëmshme për këto ambicie, ndërkohë që ka plot federate që po ankohen për buxhetin e limituar e njëherësh mungesën e vëmendjes nga instancat shtetërore. Para pak ditësh Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar zhvilloi asamblenë e jashtëzakonshme, por nuk mori vendime, duke i lënë zhvillimet e brendshme në administratën e tij për në vjeshtë (pas Olimpiadës), ndërsa shumë federata e kanë akuzuar kupolën drejtuese të këtij institucioni për abuzim dhe neglizhencë. Ish-mundësi kampion e njëherësh sekretar i Federatës Shqiptare të Mundjes, Sahit Prizreni, theksoi se sporti po përjeton ditë të vështira, ndërsa “shigjetoi” jo vetëm zyrtarët e KOKSH-it, por edhe Ministrisë së Sportit, e cila ka abandonuar, sipas tij, veprimtaritë sportive. Në këtë intervistë për gazetën “SOT”, Prizreni apelon për vëmendje për të përmbushur objektivat e kualifikimit, teksa kujton orët e vështira me të cilat po përballet aktualisht sporti ynë në tërësi e mundja shqiptare në veçanti.

-Shumë federata po ankohen për vonesat në lëvrimin e fondeve grant, aq të domosdoshme për zhvillimin e aktiviteteve apo pjesëmarrjen në garat me vlerë kualifikuese në Olimpiadë. Gjërat duhen parë të lidhura dhe me zhvillimet e fundit në KOKSH, ku situata duket e rëndë. Duke qenë dhe në rolin e sekretarit të përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Mundjes, sa po ndikon kjo situatë në objektivat tuaja në këtë vit olimpik?

Jemi në një situatë të rënduar dhe të paprecedentë. Këtu nuk është fjala për administratën e federatave sportive, që nuk janë paguar prej muajit dhjetor, por situata mund të konsiderohet e rëndë për faktin se kaloi mesi i shkurtit dhe nuk kemi mundësi të bëjmë aktivitetet. Siç e dini dhe ju, drejtuesit e federatave, përfshi dhe ne të mundjes, bëmë një peticion të adresuar tek Ministria e linjës, por nuk kemi marrë përgjigje. Mund të them se kjo është situata më e keqe se kurrë në sport. Jemi në vit olimpik dhe kemi një injorim total të sportit, me një buxhet skandaloz, që edhe si i tillë nuk është lëvruar ende. Prandaj unë e shoh sportin shqiptar aktualisht në pikë kritike, sepse konstatoj se sporti për këta nuk ekziston.

-Shëmbëlltyra më e qartë e situatës në sport duket se ishte asambleja e jashtëzakonshme e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar. Më shumë se zënka midis dy drejtuesve, shfaqej problemi i trajtimit të sportistëve, që kishin kaluar “në plan të dytë”. A ka ndikim në objektivat vjetore të federatave kjo situatë anormale në KOKSH?

Asambleja e KOKSH-it ishte mjaft e rëndë, pasi kishim të bënim me akuza për vjedhje që vinin nga brenda institucionit. Dhe në këto kushte, kur akuzat ishin shumë të rënda, mungonte përfaqësimi prej MARS-it. Imagjinoni! Jo vetëm injorohet, por sporti as nuk përfaqësohet. Nuk po flas me atributin e sekretarit të federatës, por si Sahit që ka një emër në sportin e mundjes, si njeri që e njeh sportin dhe ia di dobësitë. Dhe s’ka ku të shkojë më keq, zhvillohet asambleja e KOKSH-it, ka akuza për abuzim financiar, e madje vjedhje të rënda, dhe s’ka asnjë përfaqësues të ministrisë aty. Ky është një turp i madh. Kemi shkuar në Europianin e mundjes me dy sportistë që i kemi paguar nga lekët e xhepit. Çfarë situate mund të jetë më katastrofë se kjo për sportin shqiptar?! Në fakt, ky është një turp për të gjithë ne dhe më mirë se çdo gjë tjetër e vërtetoi asambleja e KOKSH-it.

-Të flasim pak për garat e mundësve tanë në Europianin e Romës. Çfarë rezultatesh e objektivash keni?

Dy sportistët tanë, Ergilent Prizreni dhe Paris Karepi garuan në mundjen e lirë. Ky nuk është aktiviteti i vetëm që ka vlerë kualifikuese për në Olimpiadë, prandaj jemi duke menduar të përfaqësohemi me shpresën se mund t’ia dalim të çojmë ndonjë mundës në Tokio-2020. E vërteta është se ne po punojmë për një brez të së ardhmes në mundje, me sportistë të moshës 21 vjeç. Në fakt, pretendimet tona janë të mëdha, pasi kemi ambicie zonën e medaljeve dhe mendoj se brenda një periudhe 2-3 vjeçare do të kemi një brez elitar në sportin e mundjes. Ana e keqe është se ne nuk kemi kapacitete financiare t’i promovojmë dhe unë i kthehem asaj që thashë pak më lart se për të kuptuar gjendjen e sportit tonë sot duhen parë raportet e krijuara në KOKSH. Drejtuesit e këtij institucioni dhe ata të MARS-it janë skandalozë me sjelljen e tyre, duke pasur një papërgjegjshmëri totale. Në fakt, ne vetëm ankohemi pasi nuk kemi asgjë në dorë për ta ndryshuar këtë sistem të kalbëzuar.

-Ju folët pak më lart për një grup të rinjsh të talentuar, por me situatën ku ndodhet sot sporti talentet po shkojnë dëm. Pse e shihni gjendjen të pashpresë?

Ne kemi talente, nuk i kanë munguar Shqipërisë talentet, por po i çojmë dëm. Kjo pasi ne nuk kemi fonde për të zhvilluar aktivitetet dhe për të marrë pjesë në garat ndërkombëtare. Situata është kaotike. Kemi në KOKSH një president që akuzon sekretarin se nuk ka bërë transparencë. E vërteta është se KOKSH është kthyer në një biznes familjar të drejtuesve. Ky është një sistem i baltosur, i kapur, ku sekretari e ka shndërruar KOKSH-in në biznes familjar. Unë jam optimist nga natyra dhe dëshiroj që kjo gjendje të ndryshojë, prandaj dhe apeloj vazhdimisht tek institucionet politikbërëse të sportit, por ne si komunitet sportiv në tërësi ndihemi të tradhtuar. Edhe në KOKSH një pjesë bëmë diskutime dhe ngritëm çështje, të tjerët ishin tradhtarë. Ka një bord që nuk mbron dot vetveten dhe unë e pranoj që në atë asamble ne u ndjemë të tradhtuar. Kjo më bën të ndihem vërtet keq. Pse? Sepse na duhet drejtësi në sport. Dinjiteti dhe djersa e sportistëve shkon në vendin e duhur me njerëzit e duhur, me ata që e njohin sportin dhe kanë kontribut në sport. Sportistët tanë sot janë pa vlerë dhe trajtohen si lodra interesi nga politikanët. Ëndrra e një sportisti është të shkojë në Olimpiadë, por këta ua kanë prishur ëndrrat sportistëve.

-Ju po thoni që rrezikohet pjesëmarrja e Shqipërisë në Lojërat Olimpike, apo jo? Këtu është fjala për përfaqësimin e flamurit shqiptar...

Flamuri shqiptar nuk përkulet as në ditë të vështira, sigurisht që do të përfaqësohemi. Probleme ne kemi pasur dhe më parë, nuk janë të reja, sepse u bënë vite që sporti lëngon. Por tani sportin tonë po e shoqërojnë skandale të mëdha. Kjo është e rëndë për ata që derdhin djersë në palestra, për njerëzit që trajnojnë në stërvitje, për sportistët që kanë ëndrra. Shqipëria do të përfaqësohet në Olimpiadë, duan apo nuk duan njerëzit e KOKSH-it dhe “shurdhmemecët” e ministrisë.

-Të kthehemi tek mundja, federata që ju drejtoni mbahet nga fondet e buxhetit. Duke marrë parasysh shifrat, a mund të themi se kemi të bëjmë me një dështim të paralajmëruar?

Unë këtu nuk fola për interesa personale e madje nuk përfshiva as Federatën Shqiptare të Mundjes, sekretar i së cilës jam, por fola si Sahit Prizreni, që kam një emër në sportin shqiptar. Sa i takon federatës, nuk ka mundësi të përmbushë objektivat vjetore me një buxhet 54 mln lekë të vjetër. Me këtë shumë dështimi është i paralajmëruar dhe i garantuar. Po si mund të bëhet sport kur nuk kemi trajtim ushqimor, as promovim, as mbulim financiar të veprimtarive gjithëvjetore? Si mund të konkurrojmë ne me sportistët europianë e botërore në këto kushte? Po si ia kemi dalë deri tani? Me sforco shumë të mëdha, padyshim, duke tejkaluar limitet tona në çdo aspekt. E megjithatë prapë ia kemi dalë të konkurrojmë në rang ndërkombëtar. Për mendimin tim, problemet e Shqipërisë në sport lidhen me dështimin e politikave të saj sportive. Shteti ynë s’na ka dhënë gjë, por federata botërore e mundjes është përpjekur dhe falë saj ne po përpiqemi të bëjmë më të mirën për t’u kualifikuar në Tokio-2020. Të shohim nëse do t’ia dalim, vështirësitë janë evidente. Janë dy turne që kanë vlerë kualifikimi dhe do të bëjmë maksimumin tonë për t’ia dalë. Sidoqoftë, e parë në tërësi, jo vetëm mundja, flas për sportin në përgjithësi, kemi të bëjmë me një dështim të paralajmëruar, pasi akoma nuk është hapur fondi e për më tepër që ka një financim qesharak.

-Unë ju sfidoj, bazuar mbi vendimin që ka dhënë qeveria për sportistët elitarë, por edhe Ligjin e Sportit që pret të zbatohet. Kushdo që ka rezultate të larta e ka të garantuar pagën, vendin e punës dhe shpërblimet...

Jo, aspak e vërtetë. Ka një hendek mes asaj që thuhet dhe gjendjes reale të sportit. Unë kam folur dhe më parë për këtë çështje dhe konstatoj që Ligji për Sportin është një fasadë e turpshme. Ligji ka qenë dhe më parë, është i shkruar, sigurisht, problemi i ligjit në Shqipëri, përfshi këtu dhe sportin, është se nuk zbatohet. Nuk vuan sporti ynë për ligje, por për investime, infrastrukturë, politika të drejta e orientuese në plan afatgjatë, motivim etj.

-A ka mundja shqiptare sot një Sahit Prizreni, domethënë ndonjë të ri që të kapë nivele të larta?

Ndonjë? Mundja shqiptare ka shumë Sahitë, sepse ky sport ka taban në vendin tonë dhe e ka eksperiencën e kultivuar ndër vite. Problemi apo pyetja që shtrohet është: A e do Shqipëria këtë talent? A i di ajo sportistët elitarë? Dhe kjo pikëpyetje të bën pesimist, për shkak të atyre gjërave që thamë më sipër. Unë shpresoj shumë që qeveria të kthejë sytë nga shumësportëshi, e t’i japë hakun që meriton çdo sportisti. Pasioni dhe talenti është, por nuk mjafton, pasi sporti po jeton kohë të vështira, unë mund të shtoja se këto janë ditët më të zeza të sportit shqiptar. Ecim dhe drejtohemi nga “figura të djegura”, që s’kanë asnjë vlerë në sport. Këtyre individëve u kemi dhënë çelësat e sportit, në një kohë që ata janë turpi i sportit dhe i kombit shqiptar. Këta individë kanë mbi 20 vjet që e lanë sportin në errësirë, në një prapambetje të madhe. Unë shpesh kam drejtuar gishtin tek drejtuesit e KOKSH-it, si Bello e Bezhani, për mendimin tim figura të dështuara dhe të shëmtuara të sportit tonë. Turp! Kjo situatë duhet të zgjidhet urgjentisht dhe për këtë duhet të reagojë me urgjencë Ministria e Sportit.