BREAKING NEWS

Mjekësia shqiptare në zi! Ndërron jetë në moshë të re doktoresha e njohur (Emri)

Mjekësia shqiptare në zi! Ndërron jetë në moshë
x

Sport

Saimir Dauti: Ana ekonomike e mban futbollin, kjo gjë duhet kuptuar edhe në Shqipëri

Saimir Dauti: Ana ekonomike e mban futbollin, kjo gjë duhet kuptuar edhe

Kombëtarja fitoi dy ndeshjet e fundit në Ligën e Kombeve, ndaj Kazakistanit dhe Bjellorusisë, duke siguruar vendin e parë në grup dhe duke përmbushur kështu objektivin e saj për t’u ngjitur në Ligën B, e njëherësh për t’i dhënë mundësi vetes në kualifikueset e ardhshme. Natyrisht, fituesi i vendit të parë nuk mund të gjykohet, pasi është objektiv i përmbushur, por që skuadra ka probleme, qoftë në lojë, qoftë dhe të karakterit përtëritës kjo është evidente. Për më tepër, në përfaqësuese ka gjithnjë e më pak lojtarë të kampionatit, gjë që dëshmon se nuk është bërë progres në këtë drejtim, sepse kampionati shqiptar, është fakt, nuk prodhon mjaftueshëm cilësi. Për këto zhvillime, gazeta “SOT”, intervistoi specialistin e njohur të futbollit, dinamovitin e shquar, Saimir Dauti, i cili në analizën e tij mbi lojën dhe rezultatet, sheh një përfaqësuese pozitive në tërësinë e saj, është optimist për të ardhmen, por sheh problematike sjelljen e presidentëve të klubeve ndaj moshave dhe njëherësh moskuptimin e rëndësisë së ekonomisë në futbollin shqiptar.

 

- Kombëtarja përmbushi misionin e saj në Ligën e Kombeve, duke zënë vendin e parë në grup dhe fituesi nuk gjykohet. Por loja pati oshilacione të shumta në këtë etapë, plus lëvizjet e shumta në formacion dhe natyrisht testimet e të rinjve, diktuar dhe prej rrethanave që solli pandemia, me mungesa e dëmtime. Parë me syrin e specialistit, si e gjykoni ecurinë e skuadrës në Ligën e Kombeve?

E rëndësishme është që u realizua objektivi dhe kjo duhet vlerësuar. Në çfarëdo aktiviteti, kur realizohet objektivi atëherë skuadra meriton përgëzime. Sado mangësi të gjejmë ne në ecurinë e lojës dhe të tjera, sërish ka arritje, pasi vendi i parë është objektiv i përmbushur. E megjithatë, edhe pse objektivi u përmbush, kjo s’do të thotë se skuadra nuk ka dobësi e nuk ka vend për kritika. Përkundrazi, ka mjaft gjëra që kanë ende defekte, por mendimi imë është që e tërësishmja ka qenë pozitive. Kjo tërësi duhet parë në lojë, në rezultate, në pozicionin në renditje dhe sigurisht edhe tek lëvizjet që ka bërë trajneri.

- Si ishte paraqitja e grupit në tërësi?

Unë këtë anë pozitive në paraqitjen e skuadrës mund ta shoh tek mënyra se si e qarkullon topin, i cili këtë herë ishte një qarkullim më i mirë, veçmas në ndeshjet e fundit. Nuk pati shumë gabime në pasime, gjë që binte në sy më parë. Jo vetëm kaq, por u krijuan edhe shumë raste, që duket nga goditjet në portë. Një tjetër element pozitiv që konstatova lidhet me faktin se lojtarët, edhe kur humbisnin topin, ktheheshin dhe e gjurmonin kundërshtarin. Kjo tregon se ka këmbëngulje, ka mobilizim dhe u është vënë veshi këshillave të trajnerit. Është dhënë maksimumi në fushë, por është provuar që kur rezultati shkon 2-0, humbet paksa vigjilenca, krijohet një vetëkënaqësi. Por këto janë gjëra që ndodhin në futboll dhe i ndodhën edhe ekipit tonë. Por, e theksoj, në tërësinë e saj, skuadra funksionoi mirë dhe është në pozicionin e merituar.

-Reja ka bërë shumë lëvizje këto kohë, ndoshta nga halli, por është fakt që ka dhe shumë të rinj në përfaqësuese...

Lëvizjet në një ekip përfaqësues janë normale, por unë shoh një element që duhet përmendur e ka të bëjë me faktin se në Kombëtare nuk ka asnjë lojtar të kampionatit. Kjo është mangësi për kampionatin tonë, por nga ana tjetër ka një element tjetër që është pozitiv, pasi ka shumë lojtarë në dispozicion, përfshi këtu dhe shumë të rinj. Kur ka shumë lojtarë në dispozicion, për më tepër shumë të rinj, edhe trajneri ka dilemat e veta. Futet në një fazë selektimi të domosdoshëm. Në pikëpamjen time, selektimi i fundit ishte më i miri. Sidoqoftë, për një vazhdimësi në rezultate dhe objektiva, duhet që formacioni të stabilizohet. Kjo duhet të ndodhë për të pasur më shumë harmoni mes reparteve dhe elementëve dhe, natyrisht, për të pasur efikasitet në rezultate. Kur selektohen më të mirët dhe harmonizohen elementët, produkti do të jetë në vijimësi më cilësor.

- Ju keni folur më herët në komentet tuaja për fazat e lojës, rëndësinë e pasimeve, driblimeve dhe në tërësi organizimin e lojës. Si ishin këta elementë në ndeshjet e fundit?

Nuk është në përqindjen maksimale, ka shkëputje me hope. Sidoqoftë, unë i qëndroj idesë që ka hapa përpara dhe në tërësi paraqitja e grupit ka qenë pozitive. Që loja funksionon dhe ekipi krijon në fushë e tregon edhe fakti se golat i shënojnë edhe mesfushorët. Kam parë lojtarë që s’janë të sulmit por shfaqen agresivë në zonën kundërshtare, po ashtu lojtarë të sulmit që kthehen e mbrojnë. Kam një vërejtje, nëse mund të shprehem kështu. Lojtarët e Kombëtares duhet të këmbëngulin më shumë në lojën në krahë. Kur loja zhvillohet në krahë, për mbrojtësit kundërshtarë është me e vështirë të menaxhojnë kundërshtarin, e kanë të pamundur mbulimin e plotë, për vetë rrethanat dhe këndin e krijuar. Kjo bëhet evidente sidomos kur e krahason me rastet e sulmeve ballore, ku mbrojtësi e ka më të lehtë të mbulojë kundërshtarin. Pra në lojën në krahë ka efikasitet dhe duhet punuar më shumë.

- Nëse e krahasojmë me skuadrën që kishte De Biazi, kë do të zgjidhnit?

Po të jetë për elementë, cilësi elementi, këta të tanishmit e kanë treguar veten edhe në skuadrat e tyre që janë cilësorë, por si grup ende nuk është arritur niveli i skuadrës së De Biazit. Është ndryshe kur flasim për elementë individualë teknikë, që skuadra e tanishme i ka me shumicë, e ndryshe grupi, që në Euro-2016 kapi nivel shumë të lartë. Sidoqoftë, edhe kjo skuadër mund të arrijë një nivel të tillë nëse ruan qëndrueshmëri në paraqitjet e saj dhe harmonizohen elementët në një formacion të stabilizuar.

- Kë do të veçonit nga lojtarët e Kombëtares në këtë fazë të fundit të Ligës së Kombeve?

Mirë u paraqitën të gjithë lojtarët, por loja e Uzunit dhe Manajt ka ardhur në rritje dhe sidomos shpërthimet e Uzunit janë për t’u vlerësuar.

- Si e shihni të ardhmen e Kombëtares pas këtij suksesi në Ligën e Kombeve?

Është herët për të dhënë një verdikt të plotë e të bazuar në analizë të mirëfilltë sportive, por prirem të besoj se me këtë stabilitet që shfaqi në dy ndeshjet e fundit dhe nëse lojtarët do të kenë stabilitet me skuadrat ku aktivizohen, që të kenë minutazh në këmbë (kjo është e rëndësishme) e të luajnë rregullisht, atëherë e ardhmja do të jetë shumë pozitive. Kjo Kombëtare ka brumë, ka elementë të mirë teknikë, thjesht duhet punuar në vijimësi me ta e të kenë stabilitet në klubet ku aktivizohen.

- Ne folëm për të rinjtë, por në përfaqësuese ka ende një brez (bërthamë e grupit) që janë mbi 30 vjeç si portieri Berisha, Memushaj, Abrashi, Cikalleshi e ndonjë tjetër...

Nuk ka lojtarë të vjetër në Kombëtare për sa kohë ata janë në formë dhe dinë të marrin rezultatin e duhur. Trajneri është ai që harmonizon grupin dhe trajneri tërhiqet nga një koncept logjik. Ka qenë koncepti i tij që ka sjellë progres në disa drejtime. Po marrim një shembull, loja në ajër ka qenë e mirë dhe në këtë pikë skuadra përfaqësuese ka progres. Nuk mund të luhet me lojtarë të vjetër të gjithë, por kjo s’do të thotë se mosha është përcaktuese. Shih Cikalleshin, rezulton efikas dhe trajneri e di kur duhet futur sepse e ka të qartë konceptin e tij mbi lojën dhe çfarë dëshiron të arrijë.

- E meqë po flisnim për konceptin e trajnerit, duhet të pranojmë një fakt sa interesant aq dhe të diskutueshëm: mosha e tij. Reja i la prapa 75 vjetët e po shkon për 80-at, rrallë gjen në Europë një teknik në këtë moshë. A s’është dhe kjo një temë që duhet diskutuar?

Kjo është një temë që ha debat, por unë nuk shoh asgjë të keqe në këtë mes. Varet nga gjendja fizike e morale e trajnerit dhe nëse a ndihet ai në gjendje për ta përballuar këtë punë. Si duket Reja është i motivuar për të bërë përpara. Në fakt, mosha e trajnerit nuk sjell pengesa. Ai po menaxhon lojtarë që janë mbi mesataren, që janë të formuar mirë. Detyra e tij është të japë këshillat e duhura dhe të vendosë lojtarët në vendet ku mendohet se japin maksimumin. Trajneri nuk do të futet në fushë të vrapojë vetë, ai ka staf përkatës që ndihmojnë në përgatitje. Me pak fjalë, trajneri vetëm shpërndan detyrat. Është tjetër gjë për trajnerin e një skuadre me fëmijë, i cili, krahas mësimit me gojë, duhet të bëjë dhe veprime konkrete për të mësuar fëmijët. Kështu që, për mendimin tim, mosha e Rejës nuk paraqet kurrfarë problemi. Përkundrazi, eksperienca e tij ndihmon dhe duhet vlerësuar.

- Ndërkohë, ka nisur kampionati shqiptar, me ato problemet e tij. Dhe siç ndodh vazhdimisht tek ne, që në start, ka çudira, aq sa kampionët në fuqi eliminohen menjëherë në kupë dhe pësojnë dy humbje në tri javë kampionat, të tjerë që shihen pretendentë s’po marrin pikë e ca skuadra që shihen në fillim për mbijetesë mbajnë kreun. Si mund ta quajmë këtë kampionat?

Ky kampionat nisi me probleme, pasi ai startoi me vonesë për shkak të bojkotit. Ka probleme me lojtarët, që vijnë nga një fazë përgatitore e çrregullt si pasojë e shtyrjes së garës. Ka probleme dëmtimesh dhe lëvizjesh, por është ende fillimi. Mos harrojmë, është ana ekonomike ajo që e mban futbollin. Për sa kohë nuk do ta kuptojmë këtë, s’do të kemi kurrë futboll cilësor e të qëndrueshëm. Futbolli në ditët e sotme është i lidhur pazgjidhshmërisht me anën ekonomike. Sa më e fortë ekonomia, aq më cilësor e rivalizues kampionati dhe anasjelltas.

- Edhe pse është investuar në infrastrukturë, me stadiume të reja, duket se problemi më i madh i këtij edicioni janë fushat jashtë standardeve. Në rininë tuaj, në Tiranë të paktën, kishte mbi 20 e kusur fusha. Ky është një element që ka të bëjë me perceptimin e futbollit në shoqëri, apo jo?

Në këtë pikë mund të flitet shumë, në rininë time kishte më shumë pasion, është e vërtetë, por edhe interesi i shtetit të asaj kohe, të flasim të vërtetën, ka qenë më i madh. Sot problemi qëndron tek presidentët e klubeve, të cilët merren vetëm me lojtarët e skuadrës së parë dhe duan produkt të menjëhershëm. Askush nuk u kushton rëndësi moshave, prandaj kemi këtë gjendje jo shumë premtuese me akademitë. Si mund të shkosh në gjimnaz, kur nuk ke bërë ende filloren? Ju më përmendët rininë time, por në atë kohë, sado e vështirë, kishte kërkesë llogarie, mbahej përgjegjësi. Kurse sot as nuk mbajnë përgjegjësi e as nuk japin llogari. Epo ky mentalitet nuk të çon përpara, përkundrazi, e ka të garantuar regresin.

Intervistoi: Adriatik BALLA