BREAKING NEWS

“Ky është problem”, Artan Hoxha zbardh detaje nga videoja ‘bombë’ që disponon për zyrtarin e lartë: E kanë kapur 'mat' duke...

x

Sport

Sarri: Interi i Kontes më motivon, Juventus nuk i trembet ecurisë së tyre

Trajneri i Juventusit Mauricio Sarri, në një dalje për mediat ditën e djeshme tha për gazetarët se Interi i trajnerit Antonio Konte e motivonte dhe se kishin bërë një performancë të shkëlqyer deri tani, por ai kujtoi se “Zonja e Vjetër” që drejton nuk shqetësohet, përkundrazi, nuk i trembet ecurisë së zikaltërve dhe nuk e ka frikë Interin në rrugëtimin drejt titullit. Me pak fjalë, Sarri beson se Juventusi i tij do ta parakalojë Interin dhe do të jetë fitues i titullit, pavarësisht se më shumë në këtë moment po mendon për duelin e radhës, atë ndaj Lacios. Nuk do të jetë e lehtë, pasi vetë Juve ka probleme me dëmtimet, por edhe Lacio është një kockë e fortë dhe këtë e pranon edhe vetë Sarri. Megjithatë, mediat italiane shkruajnë se sfida ndaj Lacios është e rëndësishme por jo vendimtare për Juventusin. I këtij mendimi është trajneri i bardhezinjve Maurizio Sarri. Numri 1 i stolit të Juves vlerësoi maksimalisht skuadrën e Simone Inzagit ndërsa foli edhe parakalimin e Interit duke u shprehur se pozicionimi në vendin e dytë për momentin do t’i shërbejë si motivim skuadrës së tij për të marrë maksimumin ndaj Lacios. “jemi në prag të ndeshjeve të mëdha e të rëndësishme. Lacio është një ekip i fortë, sidomos në 25 metrat e fundit. Unë pres që ata të luajnë fort, dhe duhet t’i mbajmë larg zonës sonë të rreptësisë. Me formën që po kalon deri tani, Lacio të lë përshtypjen se do të jenë ata forca e tretë e kampionatit. Ata kanë grumbulluar 18 pikë në 6 ndeshjet e fundit, duke treguar një formë të shkëlqyer. Në ndeshjet pas Ligës së Kampionëve kemi pasur më shumë vështirësi. Ndoshta kemi pasur një rënie të motivimit, ose një rënie mendore. Pikët janë të rëndësishme dhe të gjitha ndeshjet kanë të njëjtin nivel të rëndësisë. Disa ndeshje tani duken më të rëndësishme, megjithatë në këtë pikë të sezonit asgjë nuk mund të jetë vendimtare”, u shpreh Sarri. Më pas ai komentoi rivalitetin me Interin, një rivalitet që ka ndezur futbollin italian dhe Serinë A, pasi në 8 vitet e shkuara “Zonjën e Vjetër” nuk mundën ta rivalizonin asnjëri, as Napoli që iu afrua disa herë në rrugëtimin drejt titullit. Madje Juve mbetet favorite për titullin dhe Sarri beson se Interi vetëm e motivon, duke lënë të kuptuar se vendi i parë që mbahet nga zikaltrit për momentin është i arritshëm plotësisht nga Juventusi. Këtë ai e shprehu dhe dje për mediat. “Unë shpresoj që të jetë një stimul i rëndësishëm që të kemi një ekip përpara, duhet të na japë një motivim më të madh. Ndërhyrje në merkato? Klubi do të vendosë nëse do të ndërhyjë, unë do të kem më shumë zgjidhje kur të kthehet Dagllas Kosta dhe Ramsi”, përfundoi Sarri. Theksojmë se Interi i trajnerit Konte është shfaqur mjaft agresiv në këtë pjesë të parë të sezonit në Serinë A, duke fituar shumicën e ndeshjeve dhe duke qëndruar një pikë para Juves, një arritje që as nuk mendohej në fillim të edicionit. Për këtë mund t’i vishet petku i suksesit trajnerit Konte, që padiskutim ka bërë një punë të shkëlqyer me një grup jo aq cilësor sesa Juventusi i Sarrit. 

Adriatik BALLA