BREAKING NEWS

"Jap dorëheqjen nëse merr 71 mandate”/ Rama komenton deklaratën e bujshme të Ilir Metës, zbërthen skenarin e presidentit me Sali Berishën: O pushtetin o kokën e Lulit!

"Jap dorëheqjen nëse merr 71 mandate”/ Rama komenton
x

Sport

Shkëlqimi dhe rënia e sporteve të forcës, Olimpiada gjithnjë e më larg

Shkëlqimi dhe rënia e sporteve të forcës, Olimpiada

Me dhjetëra federata sportive në Shqipëri kanë ndërprerë aktivitetet sportive prej gati një viti, pas vendimit të qeverisë për mbylljen e palestrave të sportit dhe ndërprerjen e aktiviteteve sportive, në mënyrë që të mos përhapet infeksioni i COVID-19. Ndërprerja e aktiviteteve solli rënien e cilësisë, largimin e shumë sportistëve dhe natyrisht mangësi në përmbushjen e objektivave, për më tepër që këtë vit do të zhvillohen në Tokio të Japonisë Lojërat Olimpike Verore. Po cila është gjendja e sportit tonë para këtij aktiviteti madhor që zhvillohet një herë në 4 vjet? Me përjashtim të futbollit i cili riktheu shpejt aktivitetet e tij në fushë dhe mori përsipër të zbatojë me përpikmëri detyrat dhe protokollet mjekësore antikovid, sportet e tjera nuk e fituan këtë status, duke bërë që ndërprerja e aktiviteteve për një kohë të gjatë të sillte pasoja të rënda. Ankesat e vazhdueshme të federatave shumësportëshe, kryesisht basketbollit, bënë që dy sporte kolektive si basketbolli dhe volejbolli të kthehet në parket për të nisur garat sezonale. Ndërkohë, ende nuk ka një vendim të prerë për zhvillimin e garave të federatave individuale, megjithëse rreziku i infektimit me koronavirusi në këto sporte është shumë më i vogël se futbolli e sportet e tjera kolektive. Boksi, nëpërmjet trajnerit të Kombëtares Zef Gjoni ngriti zërin dhe apeloi tek kryeministri që të lejonte garat, duke kujtuar se janë në vit olimpik dhe duan të kapin normë kualifikimi. Edhe federatat e tjera nxituan të bëjnë kërkesë për lejimin e veprimtarive. Po si është gjendja në shumësportëshin shqiptar dhe veçmas në sportet e forcës? Në sportet e forcës futen mundja, boksi, karateja, taekundoja dhe xhudo. Me përjashtim të boksit që e ka një shans, sportet e tjera duken shumë larg kapjes së normës olimpike. Në boks është Rexhinaldo Zeneli që ka marrë një rezultat të mirë në Botërorin e vitit të kaluar dhe që u ndërpre prej virusit, tani atij i duhet edhe një fitore tjetër që të sigurojë pjesëmarrjen në Olimpiadën e Tokios. Edhe sportet e tjera kanë shanse teorike, por praktikisht nuk kanë sportistë të nivelit të lartë që të bëjnë diferencë dhe ndërprerja ka sjellë pasoja me mospjesëmarrje në gara. Me pak fjalë, Olimpiada për këto sporte duket tepër larg dhe Shqipëria rrezikon të mos përfaqësohet në Lojërat Olimpike me këto sporte që dikur bënin diferencën.

Rreziku i asgjësimit

Rënia e interesit nga të rinjtë për sportet e forcës dhe buxheti i paktë për federatat, ka sjellë pakësimin e aktiviteteve dhe rënien e cilësisë. Rënia e cilësisë është provokuar nga mungesa e rivalitetit. Mundja, përshembull, ishte një sport masiv në Shqipëri, me shumë arritje dhe sportistë të nivelit të lartë. Sot mundja shqiptare është në kushtet e mbijetesës. Presidenti i zgjedhur në krye të federatës, Sahit Prizreni, po sheh mundësinë e përfaqësimit të Shqipërisë në garat e mëdha ndërkombëtare me sportistë të huaj, njëlloj sikurse ka bërë gjimnastika e meshkujve, që ka pranuar një rus të përfaqësojë ngjyrat kuqezi. E shtrirë në të gjithë territorin e vendit, mundja e lirë kishte pikat e forta të saj në Tiranë, Durrës, Kukës, Lezhë, Dibër, Korçë etj. Kurse mundja klasike në Tiranë, Shkodër e Durrës. Sot mundja ka shumë pak sportistë, pasi është sport që ka marrë pak mbështetje. Edhe sportet e reja si taekundoja, karateja dhe xhudo nuk kanë cilësi të mjaftueshme për të qenë konkurrues në rang ndërkombëtar. Edhe pse ka disa elementë cilësorë, ata janë të pamjaftueshëm për të mbajtur gjallë dhe në nivele optimale sportet e forcës në Shqipëri. Dikur me shumë shkëlqim, sot ka një rënie të madhe të cilësisë dhe prezantimit ndërkombëtar të këtyre sporteve dhe kjo kërkon ndërhyrje urgjente nga shteti për të rritur vëmendjen, shtuar investimin dhe natyrisht dhënien e stimujve për kampionët e rinj. Sportet e forcës në Shqipëri janë vënë në kushte ekzistence dhe ky është fakt i pamohueshëm. Për të evituar rrezikun e asgjësimit të tyre dhe federatave përkatëse nevojiten politika afatgjata sportive që duhet të dalin nga zyrat e dikastereve qendrore të sportit.