BREAKING NEWS

Bilanci ditor i Covid-19 në vend/ Ministria del me reagim zyrtar: Ja sa është numri i të infektuarve në 24 orë

Bilanci ditor i Covid-19 në vend/ Ministria del me reagim zyrtar: Ja sa
x

Sport

Shkëndija “tradhton” Dajën dhe rinovon me Gjokën, Besnik Hasi merr interesimin e Fenerbahçes

Shkëndija “tradhton” Dajën dhe rinovon me Gjokën,

Nuk ka lëvizje vetëm në radhët e lojtarëve, të cilët po nxitojnë të përmbushin objektivat e tyre në dy plane, me skuadrat ku luajnë, por edhe në merkato, me dëshirën për të gjetur një destinacion që i përmbush më mirë qëllimet e tyre për sezonin e ardhshëm. Kategoria tjetër që gjurmojnë tregun janë trajnerët, sidomos ata shqiptarë, kontratat e të cilëve me klubet gjithmonë është afatshkurtër, deri në 1 vit. Madje ka ndodhur, që edhe kur kanë dalë kampion nuk kanë mundur të rinovojnë, sikurse ndodhi një vit më parë me Skënder Gegën e Partizanit. Këtë edicion merkato e trajnerëve ka nisur fuqishëm në të gjitha kategoritë, kjo dhe për shkak të daljes në skenë të klubeve kosovare që kanë pasur një situatë në përmirësim gjatë viteve të fundit. Për momentin fokusi është tek dy teknikë të njohur shqiptar. I pari është Ernest Gjoka, i cili mësohet se ka rinovuar me Shkëndijën e Tetovës, të paktën ky është lajmi që përcjell nga mediat sociale një nga pjesëtarët e familjes së tij, ndërsa personazhi tjetër është ish-mbrojtësi i Kombëtares, Besnik Hasi, i cili është aktualisht trajner i Al Raed në Arabinë Saudite, por ka marrë ofertë nga gjigantët tur të Fenerbahçes dhe ky interesim i klubit turk e ka joshur mjaft, aq sa ai është gati të pranojë një aventurë që mund të ishte më e spikatura e karrierës së tij si trajner. Ndërkohë, Shkëndija duket se e ka tradhtuar Ilir Dajën, për të cilin kishte shprehur interesim, dhe nuk ka humbur kohë por ka rinovuar me Gjokën, një lajm i mirë ky për teknikun, që ditë më parë shprehej për gazetën “SOT” se rinovimi do të ishte opsion i mirë për objektivat e tij në krye të tetovarëve.

Gjoka, rinovim më shumë se largim

Në Maqedoninë e Veriut shqiptarët kanë një skuadër me të cilën krenohen. Në fakt, ky sezon i Shkëndijës ishte i gjithi për tu harruar, por kjo nuk do të thitë se duhet të fillojë gjithçka nga fillimi, siç ndodh rëndomtë me klubet në Kategorinë Superiore. Pasi rinovuan me disa nga lojtarët kryesorë, klubi shqiptar ka vendosur të rinovojë edhe me trajnerin Ernest Gjoka. Tiranasi mesa duket gëzon besim të plotë nga drejtuesit dhe këta të fundit kanë vendosur t’i japin kohë trajnerit për ta rritur skuadrën në hapa gradualë dhe të qëndrueshëm për të shkuar drejt titullit kampion. Prej ditësh flitej për rinovimin e Gjokës, por konfirmimin e ka dhënë partnerja e teknikut, Edit Lako përmes një postimi në “Instagram”, ku i ka bërë edhe një dedikim tipik si bashkëshortja, bashkëshortit. Shkëndija për shkak edhe të mbylljes së kampionatit para kohe prej pandemisë, nuk mundi të sigurojë vend as në Europa League dhe sezoni i ardhshëm synohet të jetë ai i kthesës dhe i rikthimit të klubit shqiptar te trofetë. Në lidhje me stolin e kuqezinjve u përfol edhe Ilir Daja, por ai vetë i përgënjeshtroi lajmet dhe më pas u konfirmua qëndrimi i Gjokës, i cili në vendin tonë është shpallur kampion me Kukësin.

Tekniku/ Hasi mban “peng” arabët e Al Raed, ka ofertë nga Fenerbahçe

Besnik Hasi duket se ka marrë një ofertë nga një emër i njohur dhe aspekti ekonomik ka kaluar në plan të dytë, pasi ai shpreson që të finalizojë gjithçka shumë shpejt me këtë skuadër tjetër për t’u kthyer në futbollin e rëndësishëm europian pasi bëhet fjalë për një emër të njohur. Mediat arabe kanë zbuluar se klubi i Al Raed ka dërguar në Belgjikë në ditët e kaluara një avion privat për të marrë Hasin dhe familjarët e tij për t’i kthyer në Arabinë Saudite. Hasi ka udhëtuar drejt vendit ku prej një viti e gjysmë vazhdon karrierën e trajnerit, por deri tani nuk ka dale ende në stërvitje me skuadrën ndonëse teorikisht ajo ka filluar përgatitjet për rifillimin e sezonit të ndërprerë në mars. Të njëjtat burime spjegojnë se shkak është bërë një ofertë tunduese nga Turqia, ku klubi i Fenerbahçes e sheh atë si trajnerin ideal për të filluar projektin e sezonit të ardhshëm. Kjo është arsyeja se pse Hasi nuk ka filluar ende punë, pasi po zhvillon bisedat me gjigantët e futbollit turk, për të vazhduar karrierën atje dhe për të qenë protagonist në një kampionat të rëndësishëm europian. Fenerbahçes i kanë mbetur edhe tre ndeshje për t’u luajtur në kampionatin turk dhe burimet tregojnë se brenda kësaj periudhe, Hasi shpreson që të gjejë akordin në mënyrë që të jetë gati sa të mbarojë edicioni dhe të marrë detyrën sapo të fillojë sezoni i ri.