BREAKING NEWS

Lëvizje e rëndësishme! Romeo Kara çon në SPAK dosjen e bujshme të CEZ (Dokumenti)

Lëvizje e rëndësishme! Romeo Kara çon në SPAK dosjen
x

Sport

Shkodranët “kampionë” në transferta, Tirana e Kukësi dominojnë brenda

Shkodranët “kampionë” në transferta, Tirana e

16 pikë në ndeshjet e luajtura në transfertë në 10 ndeshje jashtë Shkodrës, e bëjnë Vllazninë ekipin më të mirë të transfertave. Me 1.6 pikë për ndeshje jashtë fushe, Vllaznia sfidon jo vetëm vetveten, pasi ka tregues më të mirë sesa ndeshjet brenda, por edhe rivalët për titull në kampionat që janë larg këtij treguesi. Kështu, Vllaznia është e vetmja skuadër e Kategorisë Superiore që e ka bilancin e ndeshjeve brenda me ndeshjet jashtë në favor të transfertave, kurse të gjithë ekipet e tjera të Superiores shkodranët kanë fituar 4 ndeshje në transfertë, kanë barazuar në 4 të tjera dhe kanë humbur vetëm dy duele.

Këto statistika në transfertë nuk i ka asnjë ekip tjetër. Kjo pasi Vllaznia është skuadra që ka pësuar më pak humbje jashtë fushës së saj, vetëm dy të tilla, ndërkohë që Kukësi e Tirana kanë regjistruar nga 3 humbje, kurse Laçi, Bylis e Teuta kanë shënuar nga katër humbje. Por ka një problem në këtë analizë, pasi Vllaznia e Shkodrës është ekip shumë i dobët brenda fushës së saj, ku ka marrë vetëm 12 pikë në 10 ndeshje të luajtura, me një bilanc prej  3 fitore, 3 barazime e 4 humbje. Surprizë edhe në golavarazh, pasi brenda fushe Vllaznia e ka bilancin 9-8, pra +1, kurse jashtë fushe 10-8, pra +2. Shifrat flasin më mirë se çdo gjë tjetër, prandaj Vllaznia e jo Bylisi mund të jetë surpriza e madhe e këtij edicioni.

Tirana e Kukësi dominojnë duelet brenda fushe

Kukësi dhe Tirana janë dy skuadra që mbajnë vendet e para në tabelën e renditjes me respektivisht 38 dhe 37 pikë. Duhet thënë se të dyja këto skuadra kanë një bilanc të përafërt në raportin ndeshje brenda-ndeshje jashtë, pasi dominojnë kryesisht në fushën e tyre, ku kanë siguruar të dyja nga 23 pikë secila në 10 takime të luajtura. Madje Tirana ka dhe bilancin më të mirë të golavarazhit brenda fushe (21-10), pra +11 gola, po aq dhe Kukësi, por që shënon më pak e pëson më pak (18-7). Treguesit statistikorë nuk lejojnë vend për manipulim e as interpretim të gabuar, pasi janë dëshmi e paraqitjes së skuadrave në fushën e lojës. Në ndeshjet jashtë Kukësi dhe Tirana renditen pas Vllaznisë, duke pasur tregues pozitivë, por në transferta Kukësi është më mirë në diferencë golash (13-7) krahasuar me Tiranën (15-12). Siç shihet, si brenda dhe jashtë Tirana shënon më shumë, por ajo ka probleme me mbrojtjen, pasi pëson shumë gola. Kurse Kukësi është i stabilizuar dhe deri diku më i ekuilibruar, pasi shënon më pak, por ka një mbrojtje tepër solide që i jep avantazh në rezultatet përfundimtare.

Partizani i ekuilibruar

Partizani është ekip më i ekuilibruar në raportin ndeshje brenda-ndeshje jashtë, pasi është më i stabilizuar dhe dukshëm falë grupit që ka nga sezoni i kaluar kur doli kampion. Të kuqtë kanë një dominim të lehtë të ndeshjeve në shtëpi, por  janë dobët në transferta, pasi, krahasuar sidomos me pretendentët e tjerë që kanë nga 3 ose 4 humbje jashtë fushe, Partizani ka pësuar 6 humbje në 11 ndeshje të luajtura. Për “demat” ka rëndësi të vijë shpejt kthesa, në të kundërt, nëse nuk rrit performancën edhe në duelet në transfertë, atëherë rrezikohen objektivat sezonale dhe Partizani jo që nuk mund të përsërisë suksesin e vjetshëm në Superiore, por rrezikon të mbetet jashtë Europës.

Në ndeshjet brenda fushe Partizani ka siguruar 18 pikë, duke pasur 5 fitore e 3 barazime, si dhe 1 humbje. Në raport me rivalët për titull kjo shifër është më e dobët deri në 5 pikë, por të kuqtë kanë avantazh se kanë luajtur më pak ndeshje (9) dhe nga 10 ose11 që kanë luajtur rivalët brenda, pra ekziston mundësia e rikuperimit dhe për këtë Partizanit i vjen në ndihmë kalendari i dy fazave të fundit të Superiores. Tabelat e mëposhtme flasin më mirë për situatën e skuadrave në ndeshjet brenda dhe jashtë fushe, ku Vllaznia është çudia e vërtetë e futbollit shqiptar këtë sezon.