BREAKING NEWS

Më shumë të shëruar sesa raste të reja! Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin çfarë ka ndodhur në 24 orët e fundit

Më shumë të shëruar sesa raste të reja! Ministria e
x

Sport

Shpërthen Mbape: Kjo situatë më acaron, s’e përjashtoj largimin nga PSG

Shpërthen Mbape: Kjo situatë më acaron, s’e përjashtoj

Sulmuesi i Paris San Zhermen i pakënaqur për mënyrën se si po e trajton klubi kampion në Ligue 1 franceze, pritet të kalojë tek Reali i Madridit

Paris San Zhermen është kampione në fuqi e Francës dhe favorite kryesore për ta përsëritur këtë sukses edhe këtë edicion. Madje PSG është pretendente në Champions League, pasi ka eliminuar në fazën e 1/8 të finales Barcelonën. Padyshim që PSG ka potencial të madh teknik sepse disponon lojtarë të fuqishëm, por situata e brendshme për shkak të “yllit” të grupit, Kilian Mbape, nuk është aspak e mirë. Madje futbollisti ka reaguar dhe ka “kërcënuar” se do të largohet nëse vijon kjo situatë acaruese dhe stresuese për të. Ka qenë një paralajmërim me tone kërcënuese, mbi të gjitha nëse bëhet fjalë për një rinovim jo dhe aq të sigurt. Bëhet fjalë për Kilian Mbapenë, që ka kontratën në skadencë në 2022 dhe që tani për tani, nuk ka vendosur nëse do të qëndrojë te PSG ku kanë nisur t’i peshojnë kritikat dhe debatet në lidhje me të. Kampioni i botës, që i pëlqen shumë Realit të Madridit u shpreh pa lojëra fjalësh pas ciklit të impenjimeve me Francën. “Boll kam patur nga këto gjëra. Është një situatë që mund të influencojë edhe në vendimin për të qëndruar apo jo në Paris”. Mbape sulmohet në mënyrë të vazhdueshme për ndonjë ndeshje ku nuk vendos ose të paktën nuk garanton spektakël e gola me PSG-në. E njëjta gjë ndodh edhe me Francën. Pas fitores 0-1 ndaj Bosnjës, të firmosur nga Griezman, “L’Equipe” i ka dhënë një notë të ulët Mbapesë, duke i dedikuar një faqe me titullin: “Eklipsi i marsit”. Edhe një herë sulmuesi, të cilit Deshamps i besoi rolin e sulmuesit të pare, gaboi gjithçka. Bilanci është i pamjaftueshëm. Të njëjtat tone zakonisht i dedikohen edhe nga mediet e tjera franceze sapo kryegolashënuesi i Ligue 1 përjeton ndonjë rënie me klubin. Ndaj ka ardhur dhe shfryrja e Mbapesë në intervistën e fundit ku u shpreh: “Nuk më bëhet më të flas për pozicionimin tim më të mirë në fushë, pasi ngre debate të panevojshme, që, kur zgjaten, bëhen të lodhshme, sidomos kur luan në një klub të vendit tënd. Për ata që luajnë jashtë, është pak më ndryshe. Unë jam gjithmonë këtu dhe flitet shumë për mua. Është një kontekst për të cilin isha i vetëdijshëm kur firmosa për PSG-në. Për të ardhmen, do të shohim, është e qartë se kjo situatë mund të ketë rëndësi në reflektimin tim për të ardhmen, por nuk është i vetmi element për t’u marrë në konsideratë. Për mua është e rëndësishme të ndihem mire, përditë, në vendin ku jam”. Mesazhi transmeton edhe klimën e rëndë pariziene, që po peshon gjithnjë e më shumë te Mpape që nuk ekspozohet edhe kur pyetet nëse PSG-në, këtë vit është më kompetitive se në të kaluarën duke u përgjigjur shkurt, “bilancet bëhen në fund të sezonit”. Klubi i emirit të Katarit, gjithsesi po punon gjithmonë për projektin e rinovimit dhe akordi mund të arrihet me përshtatjen e pagës në nivelin e Nejmarit, që fiton 30 milionë euro neto në sezon. Në çdo rast, francezi shpjegon se ende nuk ka zgjedhur nëse do të largohet nga Parisi, duke deklaruar se do ta bëjë të ditur vendimin: “Kur të marr një vendim, do t’ua bëj të ditur”, përfundoi Mbape.