BREAKING NEWS

RENEA dhe forca të shumta policie zbarkojnë në Mamurras, shoqërohen në polici 7 persona, të afërm të ish-deputetit të njohur të PD

RENEA dhe forca të shumta policie zbarkojnë në Mamurras,
x

Sport

Shqipëria bën detyrën ndaj San Marinos, pozicionohet e treta në grupin I

Shqipëria bën detyrën ndaj San Marinos, pozicionohet e treta

Shqipëria bëri detyrën mbrëmë ndaj San Marinos, duke fituar 2-0 dhe duke marrë 3 pikë që ishin edhe objektivi kryesor, një fitore që na ngjit në vend të tretë, por duke mos shfaqur aspak shkëlqim në fushën e lojës. Trajneri Reja zbriti në fushë ndaj San Marinos një skuadër krejtësisht të paparashikuar sa u takon emrave. Kjo ndodhi për shkak se pati dëmtime si në rastin e Kumbullës, Gjasulës apo dhe Kamberit, apo dhe ndonjë dëmtim i papritur si ai i Memushajt, ndërkohë që pati shumë të rinj titullarë. Kështu, në vend të Berishës në portë u aktivizua nga minuta e parë Thomas Strakosha. Në mbrojtje për herë të parë në këtë fazë kualifikuese u aktivizua titullar Arlind Ajeti, i cili mungonte prej kohësh në përfaqësuese, por edhe Veseli që ka luajtur me hope. Në mesfushë luajti titullar Ramadani dhe Laçi, por edhe Bare, të tre të rinj, që shoqëroheshin nga Hysaj që kishte më shumë tipare mesfushori sesa mbrojtësi. Në sulm ishin dy të rinj të tjerë si Manaj dhe Broja. Ky i fundit u zëvendësua në fillim të pjesës së dytë me Uzunin. Pra Shqipëria luajti ndaj San Marinos me një skuadër thuajse krejtësisht të re, pa veteranë.

Ndeshja

Shqipëria e dominoi takimin, duke e zhvilluar lojën në gjysmëfushën e kundërshtarit dhe duke krijuar shumë raste, por kuqezinjve mbrëmjen e djeshme u mungoi finalizimi, që vinte jo vetëm nga mungesa e eksperiencës prej të rinjve, por edhe nga nxitimi dhe mungesa e një përqendrimi. Në minutat 2 dhe 6 Manaj dhe Broja kanë nga një rast secili, por finalizimi nuk pati saktësi në goditje, duke shpërdoruar. Në minutën e 12-të kapiteni Hysaj kroson bukur në zonë, por gjuajtja me kokë e Lenjanit pritet nga portieri vendas, i vetmi futbollist me përvojë dhe cilësor tek skuadra e San Marinos. Në minutën e 14-të kapiteni Hysaj ten toi të bëjë vetë gjithçka dhe pasi futet në zonë gjuan fort, por portieri vendas grushton dhe largon në korne. U deshën minuta të tëra që kuqezinjtë t’i afroheshin portës, pa pasur ndonjë agresivitet për t’u përmendur. Krosimi nga këndi i Lenjanit në minutën e 19-të gjen në zonë Gjimshitin, i cili gjuan me kokë, por sfera nuk përfundon në rrjetë. Në minutën e 37-të Shqipëria i afrohet sërish golit, me Laçin që gjuan dhe ishte gati të festonte golin, por topin e largon në momentin e fundit një mbrojtës. Pjesa e parë mbyllet me një goditje dënimi për tanët, por gjuajtja e Manajt përplaset në mur duke mos dhënë efektin e duhur. Pjesa e parë mbyllet në barazim 0-0, duke shtuar presionin tek ekipi kuqezi dhe trajneri Reja, i cili bëri ndryshime në pjesën e dytë.

Goli i Manajt çliron skuadrën

Me fillimin e pjesës së dytë tekniku Reja futi në vend të Brojës Myrto Uzunin e në vend të Qazim Laçit aktivizoi Odise Roshin, pra futi dy lojtarë të shpejtë të lojës në krahë. Dhe efekti i tyre është pozitiv, pasi kuqezinjtë i shtuan manovrat sulmuese dhe e rritën peshën e rasteve. Roshi dhe Uzuni regjistrojnë nga një rast të pastër shënimi njëri pas tjetrit në fillim të pjesës së dytë, por porta e San Marinos dukej e “mallkuar” për kuqezinjtë. Hysaj jep shtysë me pasimet e tij të gjata që të gjendet goli, por sfera nuk arrinte dot në kuadrat. Megjithatë, pas përpjekjesh të shumta, Rei Manaj shënon me kokë në minutën e 63-të, duke çliruar psikologjikisht skuadrën. Është sërish Manaj që humb një rast të pastër për të shënuar golin e dytë në të 65’. Roshi nuk arrin të përfitojë si duhet nga një gabim i portierit vendas në minutën e 67-të. Uzuni është vazhdimisht kërkues dhe tenton të befasojë me depërtimet e tij diagonale në krahë, por saktësia në finalizim mungon. Edhe Roshi ishte pranë golit në minutën e 72-të, por largoi mbrojtja në momentin e fundit. Hysaj, më i miri për tanët në këtë ndeshje, ishte pranë golit të dytë në minutën e 82-të, por gjuajtja e tij me të majtën përfundoi në shtyllë. Në minutën e 85-të, nga një goditje këndi, topi pasohet në zonë nga Lenjani dhe Gjimshiti me kokë godet traversën. Topi përfundon tek Veseli që gjuan topazi por topi devijohet nga Uzuni. Festohet nga të dy lojtarët, por dukshëm ishte meritë e Uzunit që e devijoi në rrjetë. Ndërkohë, Kosova në grupin B, humbi dje në transfertë përballë Spanjës, me shifrat 3-1.