BREAKING NEWS

Rama përzë nga lista 40 për qind të deputetëve, kreu socialist transformon ekipin, pakënaqësitë largojnë figura të njohura të PS

Rama përzë nga lista 40 për qind të deputetëve, kreu
x

Sport

Shqipëria e pafat, vetëm barazim me Lituaninë, rrezikohen objektivat në grup

Shqipëria e pafat, vetëm barazim me Lituaninë, rrezikohen

Shqipëria nuk arrin të fitojë as këtë herë. Ajo luan mirë, por nuk finalizon dot. Dje përballë Lituanisë dominoi dhe e meritonte fitoren, por Seferi dhe Trashi që patën raste ideale gabuan në finalizim, duke mos e dërguar topin në rrjetë. Gjyqtari e mbajti keq ndeshjen, duke favorizuar hapur vendasit, madje duke u mohuar kuqezinjve një penallti. në tërësi ekipi u paraqit mirë, por trajneri Reja “qan” rastet e shpërdoruara. Lojtarët e rinj po rriten, por pas këtij barazimi rrezikohen objektivat për vend të parë në grup.

Pjesa e parë

Shqipëria e nisi vrullshëm takimin, duke përqendruar forca të shumta në sulm për të gjetur një gol të shpejtë. Dy herë radhazi në minutën e parë Lenjani kroson në qendër të zonjës për Brojën, por shtatlarti i sulmit kuqezi nuk arrin të godasë. Më pas është radha e Qazim Laçit në minutën e 4-t për të gjuajtur, por goditja e tij përfundon mbi tra. Në minutën e shtatë Seferi pason bukur në zonë për Lenjanin, por kosovari vonohet në gjuajtje. U desh të vinte e 12-ta minutë që Seferi të kishte një tjetër shans për të shënuar, por gjyqtari akordin goditje dënimi për vendasit. Lituania iu afrua zonës tonë në minutën e 15-të me një goditje nga brenda zonës por që përfundoi mbi kuadrat. Gjithë pjesën tjetër të lojës e dominoi skuadra jonë e cila krijoi shumë raste gjatë fraksionit të parë të lojës por nuk kishte fat për të shënuar. Kulmi i ndeshjes që vërtetoi se gjyqtari po anonte dukshëm në krah të Lituanisë ishte ai i minutës së 24-t, kur vendasit shkaktojnë dukshëm penallti me prekje të qëllimshme të topit me dorë kur sfera po i drejtohej rrjetës. Çuditërisht gjyqtari francez jo vetëm që nuk jep penallti, por i akordin karton të verdhë mesfushorit tonë Laçi për protestë. Loja bëhet interesante në mesfushë, pasi edhe lituanët nisin të dalin përpara, por nuk kanë as teknikën e as forcën për të rrezikuar. Dy raste të njëpasnjëshme me tanët, fillimisht Gjimshiti me kokë e më pas Seferi me goditje topazi, nuk gjejnë kuadratin. Në minutën e 38-të Seferi i rrëmben topin një mbrojtësi dhe gjuan fluturimthi, por portieri i Lituanisë e shpëtoi dhe një herë tjetër portën e tij. Pjesa e parë mbyllet 0-0, me Shqipërinë që dominoi në çdo aspekt por fati nuk ishte me të.

Pjesa e dytë

Trajneri Reja bën menjëherë ndryshim, heq Lenjanin e fut Trashin, e pak minuta më pas edhe Brojën e Kumbullën duke aktivizuar Vrionin dhe Mihajn. Tekniku kërkon më shumë angazhim nga skuadra, por përfaqësuesja kuqezi nis të shfaqë shenja ngadalësimi. Sidoqoftë, përpjekje nga krahët dhe në qendër bëhen për të gjetur golin. Duke parë rënien e ekipit tonë Lituania përpiqet të godasë me zgjuarsi dhe Novikovas i afrohet golit në minutën e 61-të, por Berisha, për herë të parë në këtë ndeshje vihet në provë duke shpëtuar ekipin nga një gol i sigurt. në 64’ vjen momenti edhe për sulmuesin pogradecar Endri Çekiçi, që zëvendëson Qazim Laçin. Trajneri Reja urdhëron të furnizohet sulmi me topa dhe loja nis e bëhet agresive. Në mbështetje të vijës së parë vijnë dhe mbrojtësit si Gjimshiti e Dermaku. Rast ideal ishte ai i minutës së 65-të me Seferin, i cili zbulohet mjaft mirë në hyrje të zonës dhe i vetëm përballë portierit nuk arrin ta kalojë, duke humbur një rast ideal. Në minutën e 69-të Lituania kërkon penallti, pasi Trashi pengon Novikovas në zonë, por gjyqtari s’mendon kështu, edhe pse ishte rast i diskutueshëm. Në të 85’ Çekiçi tenton të befasojë me një gjuajtje prej 20 metrash, por priti në dy kohë portieri lituanez. Reja provon edhe “asin nën mëngë”, rei Manajn, por as lushnjari nuk pati shans të jepte shkëndijë. Në minutën e 90të vjen rasti i fundit për fitore. Bare kroson në zonë dhe Trashi bën më të vështirën, duke e nxjerrë topin jashtë, kur më të lehtë e kishte ta çonte në rrjetë. Mbyllet si përfundim 0-0 kjo ndeshje, me lituanezët që e festuan si fitore. Shqipëria merr një pikë dhe shkon në 5 gjithsej, duke kompromentuar pozitat e saj në grup. ajo luajti për të fituar dhe luajti mirë, por nuk ia doli. Fati nuk ishte me të këtë herë. I mbeten dhe dy shanse të cilat do t’i luajë në shtëpi përballë Bjellorusisë dhe Kazakistanit, dy mundësitë e fundit për vend të parë në grup, e ku duhen 6 pikë, në të kundërt mbetet sezon i dështuar.