BREAKING NEWS

“Pa koment”,Rama poston foton nga takimi i Bashës dhe jep mesazhin e fortë

“Pa koment”,Rama poston foton nga takimi i Bashës dhe jep
x

Sport

Shqipëria nuk ia del, Anglia fiton në “Air Albania” dhe merr kreun e grupit

Shqipëria nuk ia del, Anglia fiton në “Air Albania” dhe

Shqipëria luan, krijon edhe raste, por nuk është në atë lartësi sa të befasojë përfaqësuesen e vendit ku është shpikur futbolli. Në fund, nga stadiumi “Air Albania” dalin të gëzuar anglezët që fitojnë 2-0 me përfaqësuesen e Shqipërisë, një rezultat i merituar për “Tre Luanët”, kurse ekipi i trajnerit Edi reja duhet të nxjerrë konkluzione të qarta për këtë humbje dhe pamundësinë e ekipit tonë për të qenë imponues në fushë ndaj rivalëve të këtyre përmasave. Në fakt, Shqipërisë nuk i mungoi dëshira, as disiplinimi taktik, por përballë një Anglie që ka shumë kualitet marrja e një rezultati pozitiv ishte thuajse e pamundur. Anglezët bënë mirë dhe me qetësi çdo veprim të tyre, duke qenë racionalë në veprime. Ata morën shpejt kontrollin e mesfushës, rritën volumin e lojës dhe realizuan me kualitetet e tyre nga një gol në secilën pjesë. E vërteta është se “Tre Luanët” erdhën në këtë takim me formacion yjesh dhe me qëllim të qartë për të marrë trepikëshin, gjë që e realizuan. Patën me vete në formacion futbollistë si Stërling dhe Harri Kejn që rezultuan vendimtar, por edhe një të ri si Maunt që bëri gjithçka mirë në këtë takim.

Formacioni kuqezi

Trajneri Edi Reja ndryshoi krejtësisht modul dhe listë emrash në këtë përballje krahasuar me ndeshjen e parë në grup, atë ndaj Andorrës. Skema ndryshoi nga 3-5-2 në 4-3-2-1, duke aktivizuar nga minuta e parë shumë emra që mundonin ndaj Andorrës si Veseli, Memolla, Laçi dhe Uzuni. Natyrisht, një zgjedhje e tillë ishte për t’i bërë presion Anglisë në aspektin fizik, pasi këta futbollistë shquhen për lojën e tyre energjike. Kur takimi shkoi 0-2 në pjesën e dytë trajneri Reja angazhoi në fushë lojtarë si Memushaj dhe Gjasula, për të rritur fantazinë e skuadrës në mesfushë dhe në sulm. Në tërësi, përzgjedhjet e Rejës ishin për të befasuar Anglinë, për ta frenuar atë me qëllimin e një barazimi, gjë që nuk ndodhi. Në fund të fundit, Shqipëria nuk ka një skuadër “yjesh” sikurse Anglia.

Ndeshja

Anglezët e nisën menjëherë në sulm ndeshjen, duke tentuar të dilnin shpejt tek goli. Disa pasime të pasakta dhe ndërhyrje me pasojë kartonësh të verdhë e frenuan jo pak skuadrën kuqezi, e cila i rezistoi Anglisë për plot 38 minuta. Madje në ato 38 minuta kuqezinjtë, duke luajtur në mbrojtje e në kundërsulm, krijuan tre raste shënimi, ku ai që vlen të përmendet është rasti i Uzunit në minutën e 13-të kur ai u zbulua i vetëm në hyrje të zonës, por gjuajtja e tij përfundoi mbi tra. Më pas Uzuni dhe Hysaj nuk u morën vesh me njëri-tjetrin për të bërë diferencën, kurse Cikalleshi qëndroi më i tërhequr. Broja si lojtar “pykë” në këtë përballje thuajse u izolua krejtësisht nga Meguajër dhe mbrojtësit anglezë e nuk la gjurmë në këtë sfidë. Në minutën e 38-të, anglezët shënuan, falë një saktësie milimetrike të gjuajtjes me kokë të Harri Kejn. Dy minuta më pas ata goditën traversën po me Kejn, pas asistimit perfekt të Stërling. Pjesa e parë mbyllet 0-1. Në fillim të pjesës së dytë anglezët e ruajtën të njëjtin ritëm, duke tentuar të gjenin golin e dytë. Në minutën e 52-të shtylla e djathtë pingule shpëton portën tonë nga një tjetër gol. Stërling asistoi në zonë për Foden, ai gjuan por devijon në ekstrem Berisha dhe topi përfundoi në shtyllë. Reja kupton që loja kishte nevojë për ndryshime dhe aktivizon Lenjanin, Gjasulën dhe Manajn. Por as kjo nuk do ta evitonte golin e dytë të anglezëve. Maunt u gjend në kohën dhe në vendin e duhur, brenda zonës, në minutën e 63-të, duke shënuar golin e dytë për “Tre Luanët”. Pas këtij goli anglezët tërhiqen dhe administrojnë epërsinë. Tanët këmbëngulin deri në fund, duke rritur ndjeshëm volumin e lojës, por anglezët i mbyllin mirë hapësirat. Për pasojë fiton përfaqësuesja e tyre 2-0, që merr kreun e grupit I, kurse kuqezinjtë duhet të mendojnë për sfidën ndaj San Marinos pas tre ditësh, ku nuk duhet të neglizhojnë.