BREAKING NEWS

Pandemia e Covid-19/ Rama del në konferencë online, tregon si është situata: Mbyllja e vendit do të...

Pandemia e Covid-19/ Rama del në konferencë online, tregon si
x

Sport

Shqipëria thyen “rusët e bardhë” dhe e mbyll grupin e para, ngjitet në Ligën B

Shqipëria thyen “rusët e bardhë” dhe e mbyll grupin e

Shqipëria, për herë të parë ndoshta në historinë e përfaqësimit të saj në futbollin ndërkombëtar, arrin të kapë vendin e parë në grup në një kompeticion zyrtar të UEFA-s, sikurse është Liga e Kombeve. Ajo mposhti mbrëmë Bjellorusinë, në një ndeshje që luhej për kreun e grupit, në xhiron e fundit të ligës, me rezultatin 3-2, duke përmbysur renditjen dhe duke dalë në krye, me 11 pikë dhe duke lënë “rusët e bardhë” në vend të dytë me 10 pikë. Natyrisht, kritikët do të flasin shumë se ky grup pati skuadra me rivalë të dobët, që gjërat shkuan mirë për këtë apo atë arsye, por nuk do ta shmangin dot faktin se Shqipëria, në grupin e katërt të Divizionit C të Ligës së Kombeve zuri vendin e parë dhe në bazë të rregullores arrin objektivin e rëndësishëm që është ngjitja në një Divizion më lart, pra në Ligën B, atje ku militojnë skuadra më cilësore europiane. Jo vetëm kaq, por nga ky pozicion FSHF do të fusë në arkat e saj gati 1.2 mln euro. Një tjetër e mirë që rrjedh nga ky sukses është shansi për një kualifikim direkt në Europian, pasi vendet e para të grupeve luajnë play-off dhe fituesi shkon direkt në Euro-2024, pra kuqezinjtë do ta kenë këtë shans. Pas oscilacioneve në lojë e rezultate, duket se ky sukses i ka dhënë garancinë edhe trajnerit Reja për të vazhduar më tej.

Pjesa e parë

Trajneri Reja pati probleme me formacionin dje, sepse mungesa e Abrashit dhe infektimi me koronavirus i Hysajt, prishën paksa skemën 3-5-2 në përmbajtje, por tkeniku veteran italian befasoi me Dokën dhe Memollën në krahët e mesfushës, ndërsa Laçi u preferua krah Memushajt dhe Gjasulës në qendër, me Uzunin në stol. Shqipëria e nisi ashtu siç duhej ndeshjen, me Cikalleshin që shkarkoi të majtën pas pasimit të Manajt, por mbi tra. Në të 14-tën kërkon të befasojë Manaj thuajse në vijë e 16 metrave, por topi përfundon jashtë, i devijuar nga Cikalleshi. Aksion fantastik i kuqezinjve, pa u mbushur 20 minuta lojë, në krahun e majtë me Memushajn dhe Memollën që kombinuan në perfeksion mes tyre, me mesfushorin kavajas që kroson saktë për Cikalleshin, i cili bën detyrën me kokë, me topin që përfundon në rrjetë, 1-0. Vijon momenti pozitiv i kuqezinjve dhe në minutën e 26-të Manaj fitoi nje 11-metërsh, pas ndërhyrjes së gabuar të portierit. Nga pika e bardhë nuk gabon Cikalleshi, që siglon të dytin personal në këtë sfidë, 2-0. Gabim i pakuptueshëm i Ismajlit në të 35-tën në mbulimin një për një ndaj Skaviç, me sulmuesin bjellorus që e shmang kuqeziun me një lëvizje të zgjuar dhe përballë Berishës shënon pa vështirësi golin e 2-1. Një gol i dhuruar nga kuqezinjtë, në një moment kur duhej ruajtur qetësia. Gjithsesi Shqipëria e mbyll me një tjetër gol pjesën e parë (3-1), i shënuar në njëfarë mënyrë me dhunë nga Rey Manaj, pas krosimit të Laçit. Duhet pranuar që sulmuesi kuqezi pati fat, teksa këmbëngulja e Gjasulës ia nxori topin në pozicion ideal për të shënuar.

Pjesa e dytë

Trajneri Reja vijoi t’i besojë grupit. Prandaj nuk pati asnjë ndryshim në skuadrën tonë me fillimin e pjesës së dytë, me kuqezinjtë që mendojnë më shumë për të administruar epërsinë, për të ardhur me pas te minuta e 65-të, me Balajn që merr vendin e Cikalleshit, ndërsa Selahi zëvendëson Memushajn. Në të 70-ën, Reja aktivizon edhe Uzunin në vend të Manajt, duke i dhënë më shumë freski sulmit. I pafat Qazim Laçi në të 72-tën, gjuajtja e të cilit nga distanca shkoi ngjitur me shtyllën, ndërsa portieri Khatkeviçi mohon golin Bekim Balajt në të 78-ën, pas një këndoreje të kuqezinjve. Rihap ndeshjen Bjellorusia në minutën e 80-të, pas një pakujdesie në qendrën e mbrojtjes. Ebong u gjend papritur përballë Berishës, duke shënuar golin e dytë për miqtë. Drithërima në portën e kuqezinjve në minutën e 84-t, fatmirësisht goditja me kokë e kundërshtarit shkon mbi tra. Shqipëria ia del mes stresit të mos pësojë një tjetër gol, duke festuar në fund ngjitjen në krye të grupit dhe kalimin në Divizionin B të Ligës së Kombeve.