Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Shyqyri Rreli: Trajnerët shqiptarë e kanë të pamundur nga ndërhyrjet, Reja zgjedhja e duhur për Përfaqësuesen

Postuar: 21/04/2019 - 07:51

 Ardhja dhe largimi i Kristian Panuçit shënoi një periudhë stanjacioni në përfaqësuesen e futbollit të Shqipërisë, për të mos thënë hapa prapa, dëshmuar me rezultatet e dobëta dhe mosrealizimin e objektivave. Natyrisht, vendimi i kreut të FSHF-së Armand Duka për të larguar Panuçin erdhi në kohën e duhur, ndërsa është emëruar për këtë fazë eliminatore të Euro-2020 një tjetër teknik italian, Edoardo Reja, i cili, ndryshe nga Panuçi, vjen me një eksperiencë të gjatë dhe një teknik i “rrahur” në punët e futbollit dhe trajningut. I kontaktuar nga gazeta “SOT” të japë mendimin e tij prej specialisti mbi këto ndryshime dhe pritshmëritë e skuadrës, trajneri historik i Kombëtares, Shyqyri Rreli, thotë se Reja është zgjedhje e duhur dhe se një trajner shqiptar, sado i aftë të jetë, e ka të pamundur të bëjë sipas mendjes së tij për shkak të ndërhyrjeve që bëhen. Rreli është optimist, por edhe kritik, ai vijon t’i mëshojë idesë së kahershme të tij për një projekt kombëtar në sport, një platformë që prek disa drejtime si infrastrukturën, klubet, ekipet zinxhirë dhe kuadrin e aftë sportiv, për t’i dhënë futbollit shqiptar (në veçanti) një dimension të ri profesionalizmi.

 

Kush është Shyqyri Rreli?

Lindi në Tiranë më: 18.5.1930;

Mbaroi ILKF “Vojo Kushi” (sot Universiteti i Sporteve) më 1964;

Ka punuar pedagog në këtë institucion;

Mban titujt: “Mjeshtër i Sportit”, “Mjeshtër i Merituar i Sportit” dhe “Trajner i Merituar”, “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës.

Si trajner:

Dy herë kampion me Tiranën (ish-17 Nëntori);

Dy herë kampion i Ballkanit me U-21.

Trajner i suksesshëm i Përfaqësueses më 19

 

Duka, me ekskluzivitetin që i jep statuti dhe në bashkëpunim me Komitetin Drejtues, emëroi trajner italianin Edoardo Reja. Në këndvështrimin tuaj, si specialist me eksperiencë të gjatë dhe i lidhur me ngjyrat e ekipit përfaqësues, a ishte Reja zgjedhja e duhur?

U bënë vite që në krye të ekipit përfaqësues merren trajnerë të huaj. Kjo nuk është më risi as tek ne, ndërkohë që bota e ka praktikuar këtë gjë edhe më herët. Pra, dua të them se edhe vende të tjera, federatat e tyre, marrin trajnerë të huaj në krye të ekipeve të tyre kombëtare dhe kjo është krejt normale. Në lidhje me zgjedhjen e Rejës, mendoj se presidenti Duka bëri mirë. Një italian në krye të përfaqësueses nuk është zgjedhje e keqe, përkundrazi, është zgjedhja e duhur, sepse italianët janë më afër me futbollin tonë, e kanë më të lehtë të përshtaten, mund të them se e njohin futbollin tonë. Dikush mund të thotë se Panuçi dështoi, por unë nuk dua t’i kthehem kësaj çështjeje, plus që edhe vetë e kisha mbështetur dhe jam shprehur mirë për të. Por Panuçin e penalizoi mungesa e përvojës, e cila në nivelin e ekipit kombëtar ka peshë të madhe. Zgjedhja e Rejës mendoj se është e duhura, pasi, ndryshe nga Panuçi, ky ka përvojë dhe falë saj duhet besuar se do të bëjë gjërat e duhura. Por, këtu lindin disa pikëpyetje që me kohën do të marrin zgjidhje. A do t’i përshtatet ekipi trajnerit, apo, a do t’i përshtatet trajneri ekipit? Kjo mbetet për t’u parë. Unë nuk e njoh nga afër trajnerin Reja, por kam dëgjuar e mësuar rreth eksperiencës së tij. Dikush mund të mendojë se ka kohën e mjaftueshme për të bërë gjërat e mëdha, por koha ikën shpejt dhe ai duhet të mendojë për sfidat e radhës. Qershori është afër dhe ekipi duhet përgatitur. Ai duhet të njihet me futbollistët, të njohë mentalitetin e ekipit, psikologjinë e futbollit shqiptar dhe të përgatitet për të bërë ndryshimet e duhura dhe rezultative.

Pas shkarkimit të Panuçit u hap një debat i gjerë në media dhe rrjetet sociale, nëse tekniku i ri i përfaqësueses së futbollit duhej të ishte shqiptar apo i huaj. Natyrisht, nuk munguan komentet pro e kundër nga specialistët. Në fund kreu i FSHF-së vendosi për Rejën. Ju vetë keni shkruar artikuj dhe libra për rolin e trajnerit të futbollit shqiptar. Pse është e pamundur për një trajner vendas të drejtojë Kombëtaren?

Kjo është një çështje që ia vlen të diskutohet. Unë jam partizan i asaj që teknikët shqiptarë e bëjnë këtë punë dhe e bëjnë mjaft mirë. Por atyre u duhet t’u dalësh në mbrojtje, sepse trajneri tek ne luftohet shumë. U bëhen shumë ndërhyrje, gjë që nuk ndodh me trajnerët e huaj. Atyre nuk mund t’u ndërhyhet, është thuajse e pamundur. Megjithatë, siç thashë, trajnerët shqiptarë janë të aftë dhe i kanë dhënë provat,. Jo vetëm në kampionat, por edhe në drejtimin e ekipit përfaqësues më parë se të merrnim të huaj, janë bërë lojëra të mira e rezultate të kënaqshme me trajnerët shqiptarë. Plus që tani bëhen kurse dhe ka një plejadë trajnerësh të rinj të apasionuar për këtë punë, madje në krye të skuadrave në kampionat kemi emra të spikatur. Por, është pikërisht kjo ndërhyrje (nga faktorë jo sportivë) që ia pamundëson trajnerit shqiptar të menaxhojë skuadrën, kurse teknikët e huaj s’pranojnë ndërhyrje dhe kjo u jep avantazhe.

Ekipi përfaqësues ka luhatje të shumta në lojë e rezultate. Grupi nuk është se ka shumë kualitet dhe pritshmëritë nuk marrin ngjyra optimizmi. Cili është mendimi juaj për grupin?

Ne shqiptarët e kemi atë..., që duam vend të parë në botë, por kualiteti sot nuk është në lartësinë e kërkuar, kontigjenti është i paktë. Dhe në futboll, kur dëmtohet qoftë një lojtar, vihet në alarm e gjithë skuadra. Sot nuk i ndjek shumë ata që luajnë jashtë, kurse këtu brenda jam më i informuar dhe i njoh pak a shumë. Por, nëse marrim të mirëqenë kontigjentin që kishte Panuçi, do ta kemi të vështirë të realizojmë objektivat madhore. Ka probleme të shumta në mbrojtje, në mesfushë dhe veçanërisht në sulm. U dëmtua sulmuesi kryesor i ekipit, mungonin golat, dhe e gjithë skuadra vuajti në këtë repart. Duhet të ketë ndryshime për mirë, patjetër, dhe është detyrë e trajnerit që të marrë maksimumin nga secili lojtar e nga e gjithë skuadra. Fundja kjo është detyra e një trajneri, që të pozicionojë lojtarët në fushë në varësi të cilësive të tyre dhe t’u marrë atyre maksimumin.

Është një problem jo i vogël në Shqipëri që klubet prodhojnë shumë pak elementë cilësorë. Për të mos shkuar më tej, të themi hapur dhe me fakte që kampionati ynë nuk prodhon kualitet. Edhe lojtarët që dalin nga kampionati shqiptar nuk arrijnë të çajnë në Europë dhe kemi raste plot. Çfarë ka ndodhur që nuk kemi produktivitet?

Tani dolëm në një çështje për të cilën unë kam folur gjatë dhe jam përsëritur. Në fakt, “shkon gjuha ku dhemb dhëmbi”. Pse? Sepse prej kohësh unë kam shtruar nevojën urgjente për të përmirësuar bazën ko do të ndërtohet e ardhmja dhe kjo është një domosdoshmëri për kushtet e futbollit shqiptar. Nëse ne nuk do të ndërtojmë themele të shëndosha, të mos presim asgjë të mirë. Dhe kjo platformë duhet të nisë me infrastrukturën, organizimin e klubeve dhe natyrisht, hartimin e një projekti gjithëpërfshirës, një platformë që do t’i shërbejë të ardhmes. Siç e keni parë edhe ju, klubet interesohen vetëm për ekipin e parë, duan rezultatet e momentit. E mira do të ishte që të kishte përqendrim tek të rinjtë, por kjo mungon thuajse tërësisht. Unë po ju jap një shembull këtu për të përshkruar sesa të efektshme janë platformat afatgjata në futboll. Ajaksi i Amsterdamit, eliminoi në Champions kohët e fundit dy gjigantë, si Reali i Madridit dhe Juventusi. Çfarë organizimi dhe suksesi! U deshën disa vite punë, investim, infrastrukturë, përgatitje, seleksionim dhe në fund vijnë frytet e duhura. Në Shqipëri nuk di, a bën ndonjëri matje të 30-metërshit tek të rinjtë, si stërviten ata, si ecën teknikisht një lojtar i ri dhe si informohet prindi dhe vetë fëmija për cilësitë e tij. A bëhen këto detyra në klubet tona? E pra, janë ca gjëra në dorë të klubit që nëse klubi funksionon si duhet, atëherë hidhen baza të shëndosha për të ardhmen.

Krahasimi në futboll për periudha të ndryshme nuk është domethënës, por, për nostalgji, është koha t’i kthehemi vitit 1984, por edhe 1989, kur ju drejtonit ekipin përfaqësues, i cili ka pasur në përbërje lojtarë të nivelit shumë të lartë teknik dhe që kanë bërë gjëra të bukura si Minga, Kola, Muça, Josa, Demollari, Zmijani e ndonjë tjetër, lojtarë për t’u patur zili, apo jo?

Ka qenë një brez i shkëlqyer, sigurisht, dhe për këtë meritë nuk kam vetëm unë. Dua të jem modest në këto qëndrime sepse nëse ka pasur lojtarë të kualitetit të lartë kjo do të thotë se klubet kanë punuar mirë dhe është meritë e të gjithëve. Është punuar mirë me moshat dhe me ekipet zinxhirë në tërësi, organizimi ka qenë serioz dhe në nivel të lartë. Ka pasur klasa sportive, mjeshtria sportive, pra shkolla futbolli. Klubet kanë nxjerrë elementë shumë cilësorë. Në atë periudhë nuk kishim mundësi të shumta të tjera, por falë përkushtimit dhe pasionit janë realizuar gjëra të mira. Megjithatë, sot futbolli ka evoluar, ka kushte më të mira dhe profesionalizmi është në rritje, por në Shqipëri, duhet bërë më shumë në ato aspekte që prekëm më lart.

Së fundi, çfarë prisni nga trajneri i ri i përfaqësueses?

Uroj shumë që trajneri i ri, Reja, të ketë sukses në krye të ekipit përfaqësues të Shqipërisë. Dua që me eksperiencën e tij të na nderojë me lojëra të mira dhe rezultate pozitive. Federatës dhe presidentit Duka, gjithashtu, i urojmë më të mirën dhe shpresojmë të kenë sukses në këto eliminatore. Kur bashkohen forcat dalin gjëra më të mira dhe le të shpresojmë në suksesin e ekipit përfaqësues. Ndërkohë, do të doja që edhe për ju gazetarët, të kihej parasysh, në formë këshille, që për ekipin do të ishte më korrekt termi “Përfaqësuesja e Shqipërisë” e jo “Kombëtarja”, pasi, siç e dini edhe ju, Kosova ka gjithashtu skuadrën e saj, edhe ajo është një skuadër shqiptare, kështu që korrektesa e do që të përdoret për ekipin tonë termi “Përfaqësuesja e Shqipërisë”.

Intervistoi: Adriatik BALLA

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 18/08/2019 - 08:32

Sporti po kalon ditë të vështira, ku infrastruktura e mangët dhe e dëmtuar, si dhe mungesa e buxhetit të mjaftueshëm për veprimtaritë sportive, po shoqërohen dhe nga një menaxhim i dobët nga instancat, por edhe një li

Postuar: 18/08/2019 - 08:01

Premier League është padyshim kampionati më i bukur dhe më i fortë në botë.

Postuar: 18/08/2019 - 08:00

Ajo që ishte paralajmëruar ndodhi sërish.

Postuar: 17/08/2019 - 17:03

Zyrtare klubi i Bayern Munich arrin marrëveshjen me Barcelonën për sulmuesin brazilian Philippe C

Postuar: 17/08/2019 - 07:31

Trajneri i Realit të Madridit, Zinedin Zidane, ka bërë një hap prapa dhe i “lutet” su

Postuar: 17/08/2019 - 07:28

Merkato e verës po shkon drejt fundit dhe klubet e Superiores po nxitojnë të përmbushin objektiva

Postuar: 17/08/2019 - 07:26

Në sezonin e ri vetëm tri skuadra do të luftojnë për titullin.