BREAKING NEWS

Lëvizjet e fundit në SPAK/ Paralajmëron Spartak Ngjela: Të akuzuarit e mëdhenj ja vetëm do shpronësohen, por do burgosen

Lëvizjet e fundit në SPAK/ Paralajmëron Spartak Ngjela: Të
x

Sport

Sindikata letër Dukës: Ke këshilltarë mediokër, kontratat kolektive një domosdoshmëri

Sindikata letër Dukës: Ke këshilltarë mediokër,

Sindikata e Pavarur e Futbollistëve Shqiptarë, është rikthyer dhe një herë në skenë, me apelin e saj që prej ditës së parë të formimit si njësi juridike, duke kërkuar bërjen e kontratave kolektive për futbollistët në Shqipëri. Duke marrë shkas nga bojkoti i Ligës Profesioniste, Sindikata që drejtohet prej Andi Lilës, i ka dërguar një shkresë presidentit të FSHF-së që sikurse kërkon të drejtat e ligjshme të futbollit dhe të klubeve në Shqipëri, të zbatojë dhe këtë kërkesë të sindikatës për kontratat kolektive. Lila i ka dërguar një letër të hapur presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Dukës. Ish-mbrojtësi i kombëtares shprehet duhet të firmoset kontrata kolektive dhe ia kërkon këtë personalisht presidentit Duka. Mesazhi është në formën e një letre të hapur, ku synohet që presidenti dhe institucioni i FSHF-së të ndërgjegjësohen për situatën e krijuar me futbollistët dhe domosdoshmërinë që ka kontrata kolektive. “I nderuar miku im, Presidenti i FSHF, z.Armando Duka. E lexova me shumë vëmendje letrën tuaj drejtuar Kryeministrit të vendit z.Edi Rama. Prej disa orësh isha në dilemë nëse duhej ta shkruaja këtë letër të hapur, pasi nuk do të dëshiroja që të keqkuptohem nga askush. Për këtë arsye më duhet ta bëj këtë sqarim se: Nuk kam asnjë qëllim të bëj polemikë me ju, më besoni për këtë. Jo unë, por asnjë dashamirës i sportit në tërësi dhe futbollit në veçanti nuk mund t’i heqë asnjë presje letrës që ju i drejtoni Kryeministrit z.Edi Rama. I nderuar z. President, në këtë debat publik, unë personalisht por edhe Sindikata e Futbollistëve Profesionistë Shqiptarë, është shprehur qartë se është në krahun e sportit. Në vazhdim të këtij qëndrimi, sot po ju drejtoj një pyetje të cilën ua drejtova edhe publikisht në një televizion”, thekson ndër të tjera Lila në mesazhin e tij nëpërmjet letrës së hapur.

Kontratat kolektive, një “ekuacion” që mbetet ende pa zgjidhje

Më tej kalon direkt në çështjen kryesore, që ka të bëjë me kontratat. Lila shtron pyetjen direkte për presidentin e FSHF-së, Armand Duka, se kur do të marrë zgjidhje kjo situatë e pazakontë që ka në futbollin shqiptar. “Kur do të nënshkruajmë Kontratën Kolektive mes Sindikatës dhe FSHF? Nëse ju i kërkoni qeverisë të ulet me ju në tryezën e diskutimeve, përse ju shmangeni dhe refuzoni të uleni në diskutime me Sindikatën. Në këtë situatë Sindikata është futbolli dhe FSHF është qeveria! Kontrata kolektive është një domosdoshmëri e futbollit tonë. Kjo kontratë është një nga dokumentet ligjorë që i mungon reformës ligjore në futboll. Është shumë e drejtë që bota e futbollit kërkon të drejtat e saj tek politika, por të njëjtin standard vlerësimi duhet të ketë edhe bota e futbollit brenda saj”, nënvizon më tej Lila në letrën e tij. Ai vijon të tërheqë vëmendjen e kreut të FSHF-së, duke i thënë se si ka mundësi që ai kërkon të drejta nga qeveria kur vetë si drejtues institucioni nuk pranon të plotësojë kushtet e futbollistëve. “Por nuk është “fair” të kërkosh nga të tjerët të bëjnë diçka që ti vetë nuk pranon ta bësh. I nderuar miku im, Presidenti i FSHF Armando Duka. Në vlerësimin tim modest, ju do të kujtoheni si Presidenti i FSHF që e modernizoi këtë institucion dhe që futbollin Shqiptar e futi në rrugën e zhvillimit ekonomik. Si njeri vizionar, ju lutem ta shikoni me qetësi kontratën kolektive dhe të mos bini pre e këshilltarëve mediokër. Nënshkrimi i saj i bën nder jo vetëm botës së futbollit, por edhe juve personalisht. Jam besimplotë se së shpejti do ulemi së bashku për të diskutuar kontratën kolektive. Duke ju uruar punë të mbarë, me respekt, Andi Lila”, përfundon mesazhi i dërguar për kreun e FSHF-së në formën e një letre të hapur. Mbetet të shihet se çfarë vendimi do të marrë federata për kontratat kolektive, por nisur nga rrethanat e krijuara pas bojkotit të garës, kërkesave të paplotësuara ende nga ana e qeverisë për katër kushtet dhe problematikën që e shoqëron futbollin tonë prej shumë vitesh, vështirë se pyetja që ngre Lila do të marrë ndonjë përgjigje shteruese e aq më tepër pozitive e në shërbim të lojtarëve.