BREAKING NEWS

Meta akuzoi Kuvendin dhe Komisionin e Ligjeve si ‘falsifikatorë’, reagon Manja dhe i jep ‘shuplakën’ e rëndë Presidentit: Del çdo 2 orë në konferencë! Grushti i shtetit në oborrin e presidencës!

Meta akuzoi Kuvendin dhe Komisionin e Ligjeve si
x

Sport

S’ka mrekulli, Telushi nuk mjafton, Partizani jashtë Kupës së Shqipërisë

S’ka mrekulli, Telushi nuk mjafton, Partizani jashtë Kupës

Partizani dhe Laçi, dy prej skuadrave m,ë të forta të viteve të fundit, janë eliminuar nga Kupa e Shqipërisë. Mrekullia e paralajmëruar nga “demat e kuq” nuk ndodhi, pavarësisht se mesfushori Bruno Telushi me tregolëshin e tij iu afrua ndjeshëm dhe ishte pranë një triumfi të madh. Të kuqtë e dominuan ndeshjen me Besëlidhjen, por mrekullia nuk erdhi. Madje vetë Besëlidhja është mrekullia e kësaj faze të Kupës së Shqipërisë, ku lezhjanët kanë ambicie për të shkuar në finale. Sidoqoftë, Kupa e Shqipërisë i dha verdiktet e saj dje, ku janë mësuar edhe ekipet çerekfinaliste, të ndarë në dy grupe A e B. Padyshim që tetë skuadrat ë do të vijojnë më tej do të tentojnë trofeun, pasi i kanë mundësitë, por kualifikimet bindëse të Kukësit, Tiranës, Skënderbeut dhe Teutës, i bëjnë këto skuadra të jenë favorite për ta fituar Kupën e Shqipërisë.

Ndeshjet

Partizani nuk shkoi më shumë se një fitore 3-1 përballë Besëlidhjes në “Elbasan Arena”, me lezhjanët që kishin fituar 3-0 në ndeshjen e parë. “Të kuqtë” kishin ftuar tifozët të ishin të shumtë në numër, për të provuar përmbysjen, por Hajdari shënoi për lezhjanët që në minutën e 5-të dhe komplikoi gjithçka, pasi për kalimin në çerekfinale tashmë kryeqytetasve u duheshin 5 gola. Bruno Telushi ishte i vetmi që nuk u dorëzua për asnjë moment dhe arriti të shënojë tre herë në portën e lezhjanëve, duke i dhënë fitoren partizanit 3-1, por që nuk u shërbeu “të kuqve” për të kaluar në çerekfinale. Pas eliminimit nga Kupa e Shqipërisë, kampionati mbetet objektivi i vetëm i “demave të kuq”.

Laçi, eliminim i bujshëm nga Bylisi

Provoi përmbysjen edhe Laçi ndaj Bylisit, pasi në Ballsh vendasit kishin fituar 2-0, por ndonëse i shkuan shumë pranë, të besuarit e Cungut nuk ia dolën të bëjnë mrekullinë, ndonëse për një çast i shkuan shumë pranë kualifikimit. Laçi kaloi në avantazh me anë të Bedri Grecës në minutën e 18’ të pjesës së parë, ndërsa në minutën e 51-të, një penallti e akorduar në favor të kurbinasve, u shndërrua në gol nga sulmuesi kryesor Kirian Nuabueze. Megjithatë, situata u përmbys në minutën e 59-të, kur Mozone u ndal me faull në zonë nga një lojtar i Laçit dhe arbitri Eldorjan Hamiti akordoi 11-metërsh për ballshiotët, të cilin e shndërroi në gol Isli Hidi. Rënien e kurbinasve e shfrytëzoi Bylisi, që pak minuta më vonë gjeti edhe golin e barazimit me anë të sulmuesit Guindo. Në minutat shtesë ishte Redon Xhixha që shënoi golin e fitores për Laçin, që gjithsesi kishte vetëm vlera statistikore, pasi kualifikimi shkoi për ballshiotët.

Tirana e Vllaznia vijojnë më tej

Pas fitores në Krujë 1-3, Tirana mori një tjetër sukses sot përballë Kastriotit, të cilin e mposhti në stadiumin “Selman Stërmasi” me rezultatin e thellë 4-0. Ndonëse me shumë lojtarë të rinj në fushë, bardheblutë shënuan nga dy gola për çdo pjesë, me Halilin, Beshirajn, Morinën e Krajën, ndërsa krutanët luajtën për shumë minuta me një lojtar më pak pas kartonit të kuq të marrë nga Taulant Sefgjinaj. Siguroi pa problem kualifikimin edhe Kukësi, që pasi kishte triumfuar 0-1 në Lushnjë përballë myzeqarëve, dje mori një fitore me rezultatin e thellë 3-0. Në këtë ndeshje spikati sulmuesi 22-vjeçar Godberg Kuper, me një dopietë. Avancoi për në çerekfinale edhe Vllaznia, që pas barazimit 2-2 në “Loro Boriçi” ndaj Flamurtarit, arriti të triumfojë me shifrat 0-2 dje në Vlorë, falë një dopietë të shënuar nga sulmuesi brazilian Silvio Junior. Në sfidat e tjera, Teuta mposhti Erzenin me përmbysje me shifrat 3-1, Skënderbeu triumfoi me rezultatin minimal 1-0 ndaj Besës, ndërsa Luftëtari nuk bëri dot asgjë para Apolonisë, pasi nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola në Gjirokastër.