BREAKING NEWS

Propozimi i papritur i Silva Binos: Të mbyllim sërish fundjavat!

Propozimi i papritur i Silva Binos: Të mbyllim sërish fundjavat!
x

Sport

Skënderbeu dhe Vllaznia nxjerrin Kukësin dhe Partizanin nga gara për titull

Skënderbeu dhe Vllaznia nxjerrin Kukësin dhe Partizanin nga gara

Kategoria Superiore mbylli dje ndeshjet e javës së 26-të të saj, një xhiro që prodhoi rezultate surprizuese, si në duelet e ditës së direlë, ashtu dhe në duelet e mbrëmshme. Padyshim, humbja e Kukësit dhe Partizanit, pothuajse i ka nxjerrë ata nga gara për titull, sepse Tirana është diferencuar prej tyre respektivisht 9 dhe 15 pikë. Kuptohet, matematika i lejon të shpresojnë, por disfata e djeshme nuk lënë shumë vend për optimizëm, si në kampin e Partizanit, ashtu dhe të Kukësit. Në këtë kuadër, e fituara e madhe e javës së 26-të është padyshim Tirana, e cila, me fitoren 1-0 që korri të dielën kundër Laçit, siguroi një trepikësh që e afron me objektivat madhore të sezonit. Dhe qëndrueshmëria në lojë e në rezultate i japin të drejtë ekipit bardheblu dhe trajnerit Emanuel Egbo. Sa i takon Partizanit, dje humbja 1-0 me Vllazninë kushton, pasi mbetet shumë prapa, në mesin e tabelës, me trajnerin Sormani që pritet të shkarkohet, por edhe me një gjykim skandaloz që e masakroi ekipin e kuq në duelin e djeshëm në “Loro Boriçi”.

Ndeshjet

Partizani luante në Shkodër me Vllazninë, kurse Kukësi hasi në vështirësi serioze dhe për pasojë humbi në Korçë kundër Skënderbeut. E të imagjinosh, që të dyja skuadrat kishin objektiv titullin, ndërsa Partizani u parakalua dje në renditje edhe nga Skënderbeu, që një fazë më herët llogaritej “favorit” për të rënë nga kategoria. Ilir Daja po bën surpriza të mëdha në krye të “ujqërve të dëborës”. Kurse Kukësi po vuan psikologjikisht e ditët e fundit edhe ndryshimet në “timon”. Kështu, ndryshimi në pankinë nuk solli aspak efekt te Kukësi, që në dy ndeshje me Orges Shehin në stol ka marrë vetëm një pikë dhe distance ndaj Tiranës së vendit të parë ka shkuar në plot 9 pikë, që duket se do të jetë e vështirë për t’u përmbysur. Verilindorët u mposhtën me rezultatin 2-1 në Korçë nga Skënderbeu, në një sfidë ku gjithçka u zhvillua që në pjesën e parë. Dejvi Bregu dhe Bruno Dita shënuan fillimisht për vendasit, ndërsa më pas ishte Valon Et’hemi që rihapi takimin. Megjithatë deri në vërshëllimën finale Kukësi nuk arriti të gjejë të paktën një gol, për të shmangur humbjen, ndërsa te verilindorët fitorja mungon prej 8 shkurtit, kur mposhtnin Laçin me shifrat 3-1 dhe më pas në 5 takimet e radhës numërojnë 3 barazime e dy humbje. Zhytet në krizë edhe Partizani, që sot pësoi humbjen e radhës në “Loro Boriçi” me rezultatin minimal 1-0 përballë Vllaznisë vendase, që për të dytën ndeshje radhazi dhuron paraqitje të mira dhe ruan kuadratin të paprekur. Një penallti e akorduar për shkodranët në pjesën e parë dhe e ekzekutuar me saktësi nga kapiteni Gilman Lika, vendosi edhe fatin e takimit, ndërsa deri në fund Partizani provoi të shmangë humbjen, por vendasit u mbrojtën mjaft mirë dhe larguan çdo rrezik. Kur kanë mbetur edhe 10 javë nga fundi i kampionatit, Tirana është shkëputur në vendin e parë me 53 pikë, e ndjekur nga Kukësi me 44 pikë dhe Laçi e Skënderbeu me 41 pikë, ndërsa Vllaznia është ngjitur në kuotën e 35 pikëve.

Shehi: Kukësi është ende në garë për titull

Trajneri i Kukësit, rivalit më të fortë të Tiranës në garën për titull, Orges Shehi, tha pas ndeshjes se verilindorët kishin gabuar vetë në ndeshjen me Skënderbeun. “Kishim topat në zotërim dhe kemi pësuar dy gola në aksionet tona. Ishin gola të evitueshëm. U munduam që të reagonim tentuam por nuk ja dolëm. Sigurisht që është 90-minutëshi më i hidhur. Për atë që prodhuam nuk e merituam humbjen. Kur pamë që portieri doli lojtari më i mirë, atëherë sheh që ne kemi pasur raste. Në çdo klub vendos presidenti, unë nuk mund të komentoj deklaratën e presidentit, respektoj hierarkinë. Për momentin ne duhet që të rikthehemi te fitorja. Skuadra ka kohë që nuk fiton dhe kur s’fiton je në krizë besimi. Më parë lojtarët këto momente i zgjidhnim, tashmë është bërë e vështirë, duke qenë se nuk po gjejmë fitoren. Kukësi është në vallen për titullin, u shpreh Shehi pas ndeshjes.