BREAKING NEWS

Ndryshojnë masat anticovid! Zbulohet vendimi më i ri i Komitetit të Ekspertëve: Duke nisur nga nesër do të...

Ndryshojnë masat anticovid! Zbulohet vendimi më i ri i Komitetit
x

Sport

Skënderbeu “djeg” Partizanin në rrugën drejt kreut, ngec edhe Teuta, rikthehet Tirana

Skënderbeu “djeg” Partizanin në rrugën drejt kreut,

Java e 23-të e Kategorisë Superiore dhuroi emocione të forta. Ishte paralajmëruar që kjo xhiro të ketë impakt të madh në objektivat e skuadrave në rrugëtimin drejt titullit, por në fund ka rezultuar aspak e tillë, madje ka pasur surpriza në rezultate dhe ngjeshje t3ë pozicioneve në klasifikim, duke e bërë garën më të hapur se kurrë për titullin. Dy ekipe pretendente si Teuta dhe Partizani kanë zhgënjyer krejtësisht dje. E para u ndal në barazim në Ballsh ndaj Bylisit (1-1), kurse “demat e kuq” të Partizanit zhgënjyen totalisht, pasi humbën në fushën e tyre (ekip pritës në stadiumin e Elbasanit) ndaj Skënderbeut, 0-1, duke mos përfituar nga ndalesa e Teutës dhe duke mos shfrytëzuar rastin për të marrë kreun e Superiores, një zhgënjim që mund të ketë efekte negative psikologjike në ecurinë e skuadrës së kuqe.

Partizani zhgënjen, mundet nga Skënderbeu

Skënderbeu e bën të vogël Partizanin. Në “Elbasan Arena”, të kuqtë e Dajës munden 1-0 nga korçarët që arrijnë fitoren më të bukur të këtij sezoni falë një goli të Jean Viktor, i pari për të në Superiore, që gjunjëzoi kryeqytetasit që në garën për titullin humbasin tashmë një bonus të jashtëzakonshëm. E 3-ta ndeshje pa fitore për Partizanin, që ndaj dy ekipeve të fundtabelës dhe Apolonisë dhe Skënderbeut ka marrë në total, vetëm 1 pikë. Për Migen Memellin kjo ishte fitorja e parë në krye të Skënderbeut, që me këtë sukses u ngjit në vendin e parafundit me 16 pikë, duke lënë pas Apoloninë, ndërkohë që Partizani mbeti në vendin e 4-t edhe pas javës së 23-të me 39 pikë.

Teuta humb shansin e kreut, frenohet nga Bylis

Pak ditë pas fitores minimale 1-0 ndaj Vllaznisë, Teuta humb një mundësi të mirë për t’u ngjitur e vetme në kreun e renditjes, pasi nuk shkoi përtej një barazimi 1-1 në transfertën ndaj Bylisit. Sfida nisi më mirë për Teutën, që zbriti disa herë me bregun në krah, por krosimet e vlonjatit në zonë u larguan nga mbrojtja ballshiote, që nuk u dha mundësi sulmuesve durrsakë të kërcënojnë kuadratin e mbrojtur nga Pano Qirko. Në minutën e 28-të erdhi edhe zhbllokimi i ndeshjes, me Teutën që shënoi golin e avantazhit me Bregun. Pas ekzekutimit të një këndoreje, arbitri akordoi penallti për durrsakët për një kontakt të lehtë mes Nebiut dhe Arapit në zonë, ndërsa sulmuesi vlonjat Bregu u tregua gjakftohtë nga pika e 11-metërshit dhe dërgoi topin në rrjetë. Ballshiotët reaguan mirë dhe në një kundërsulm të shpejtë, Mehmetllari gjeti saktë Anthony Beji në zonë, aty ku ky i fundit gjuajti saktë dhe mposhti portierin Stivi Frashëri, duke rikthyer baraspeshën. Protestojnë ndërkohë lojtarët e Teutës, pasi në rastin e aksionit të golit të vendasve, mesfushori Aleksi mbeti i shtrirë për një përplasje me arbitrin Bastari, megjithatë goli vlen dhe skuadrat shkojnë në dhomat e zhveshjes me rezultatin e barabartë 1-1. Pjesa e dytë nisi me një ritëm të ulët, teksa në minutën e 58-të Teuta i shkoi shumë pranë golit të avantazhit, por Plaku shpërdoroi në zonë. Një krosim i ardhur nga një goditje dënimi, përfundoi në këmbët e sulmuesit veteran, që u koordinua keq dhe dërgoi topin jashtë. Durrsakët vijojnë të shtojnë presionin dhe i shkojnë sërish pranë golit të barazimit. Pas një krosimi nga këndi, topi nuk u grushtua mirë nga portieri Qirko dhe u gjuajt në portë nga durrsakët, por kur ishte mbi vijën fatale, u largua nga mbrojtësi Andi Hadroj, që shmangu kështu golin e miqve. Një tjetër mundësi e mirë për durrsakët, këtë herë në minutat shtesë, kur sulmuesi Silvio Zogaj u lirua mirë në zonë dhe gjuajti menjëherë, por topi u përplas në shtyllë. Shansin e fundit Teuta e pati në minutën e fundit shtesë me një goditje dënimi nga krahu, por mbrojtja vendase largoi dhe më pas ishte arbitri që vërshëlleu fundin e takimit. Përfundoi kështu gjithçka në barazim 1-1, një rezultat që i shkon mjaft përshtat Bylisit, që vijon t’i largohet fundit dhe të konsolidojë pozitat në “Play Out”, ndërsa Teuta humb mundësinë për t’u ngjitur e vetme në krye të renditjes, pozicion që të paktën përkohësisht e ndan me Vllazninë.