BREAKING NEWS

'Testi i uthullës', mësoi si funksionon taktika që aplikon ushtria amerikane për të zbular personat e infektuar nga COVID-19

'Testi i uthullës', mësoi si funksionon taktika që
x

Sport

Skënderbeu kalon parashikimet, Daja-trajneri që ka në dorë fatet e titullit

Skënderbeu kalon parashikimet, Daja-trajneri që ka në dorë

Trajneri Ilir Daja është kthyer në makth për rivalët e tij në Kategorinë Superiore, pasi me një grup modest në krye të Skënderbeut ia ka dalë të marrë gjatë fazës së tretë shumë fitore e tani është ngjitur në top-4 të renditjes, duke parakaluar Partizanin dhe Teutën dhe duke qenë në një nivel me laçin në garën për një vend në Europa League. Askush nuk e priste një ecuri të tillë të skuadrës korçare, e cila, e dënuar nga UEFA dhe një penalitet i mbetur në fuqi edhe nga Gjykata Sportive e Lozanës, po çudit me rezultatet e saj, madje duke qenë ekipi që mund të vendosë fatet e titullit. Nëse më parë një skuadër e tillë konsiderohej Laçi, për shkak të cilësisë së grupit dhe stafit energjik me në krye Armando Cungun, duket se javët e fundit për këtë ka bindur Skënderbeu i Ilir Dajës dhe për rivalët në kampionat që lakmojnë titullin, si Tirana, Kukësi dhe Partizani, por edhe Laçi e Teuta, të gjithë e kanë të qartë se fatet e titullit kalojnë nga Skënderbeu, i cili është “kockë e fortë”.

Situata e skuadrës

Skënderbeu i Ilir Dajës i ka dhuruar një tjetër kënaqësi Korçës, duke mundur 2-1 Kukësin në kulmin e luftës për titull. Ata vërtet nuk mund të luftojnë për titull, por mund të vendosin fatet e këtij kampionati, thjesht duke bërë më të mirën për veten e tyre. Kjo ishte fitorja e katërt radhazi dhe në klasifikimin virtual të vitit 2020 janë të dytët pas Tiranës. E jashtëzakonshme për një skuadër që verën e kaluar, përtej deklaratave të Takajt apo vetë Dajës në prezantim, mendohej se do të ishte thjesht pjesëmarrëse në një zvarritje ekzistence. Skënderbeu ka treguar se është krejt i kundërt e atij që mund të mendonin skeptikët. Karakter dhe motivim, nuk është e lehtë për një skuadër që, pavarësisht renditjes finale për momentin ka të ndaluar Europën, e madje pret të mësojë fatin e së ardhmes në një sallë gjyqi. Financat pa dyshim nuk janë ato të viteve të shkuara, e po ashtu edhe organika. Nuk mungojnë “yjet”, Bregu, Koliçi e Gripshi, por as të rinjtë e evidentuar dhe vlerësuar, shembulli më perfekt Elezi apo Pëllumbi e Meksi, me Ilir Dajën që thjesht ka bërë edhe një herë më të mirën e mundshme. Në aspektin sportiv janë në zonën europiane dhe madje mund të sulmojnë vendin e dytë, por shifrat, në fund të fundit, janë vetëm konfirmimi i diçkaje më të madhe, edhe në vitin e tyre më të vështirë ata janë sërish Skënderbeu.

Skënderbeu, baza e talenteve nga Lugina e Preshevës

Skënderbeu prej vitesh ka treguar se është një klub i strukturuar dhe i kushton një rëndësi të veçantë evidentimit të talenteve dhe rritjes së tyre, që në të ardhmen të shndërrohen në një burim të mirë të ardhurash, siç ka ndodhur me një sërë futbollistësh në të shkuarën. Edhe pse dënimi i rëndë nga UEFA e ka zbehur disi në pamje të parë seriozitetin e këtij klubi, korçarët vazhdojnë akoma të punojnë për të rritur cilësinë e akademisë së tyre. Ditën e sotme klubi kosovar i Luginës ka njoftuar se do të ketë një marrëveshje me Skënderbeun, ku lojtarët më të talentuar të këtij ekipi do të bëjnë vazhdimisht prova te Skënderbeu për të pasur mundësinë të luajnë në nivele më të larta. Për ta konfirmuar këtë ata i kanë dhuruar edhe një uniformë me emrin e tij presidentit të Skënderbeut, Ardian Takaj. “Kryetari i Klubit futbollistik Lugina, Nagip Jakupi, dhe përfaqësuesi i klubit, Bekim Ymeri, zhvilluan një takim me presidentin e Skënderbeut, Ardjan Takaj, ku biseduan dhe u dakordësuan për një bashkëpunim mes klubit Lugina dhe Skënderbeut, që lojtarët me cilësi më të mirë (talentet) të jenë në prova tek Skënderbeu, një bashkëpunim shume i frytshëm për rinin e Luginës Preshevës. Mbas takimit zyrtar, drejtuesit e klubit i dhuruan një bluzë me numrin 10 të KF Lugina presidentit Ardian Takaj”, shkruhet në njoftimin e klubit shqiptar, KF Lugina.