BREAKING NEWS

Trump mbyll përgjithmonë marrëdhëniet me OBSH, mbështeti Kinën dhe u angazhua kundër presidentit amerikan

Trump mbyll përgjithmonë marrëdhëniet me OBSH,
x

Sport

Skënderbeu ndëshkohet edhe nga FIFA, i ndalon merkaton për shkak të borxheve

Skënderbeu ndëshkohet edhe nga FIFA, i ndalon merkaton për shkak

Skënderbeu ka dominuar skenën futbollistike në Shqipëri gjatë dhjetë vjetëve të fundit, duke arritur madje me sukses të marrë pjesë dy herë në fazën e grupeve të Ligës së Europës, gjë që shënon momentin kulminant të futbollit tonë në përfaqësimet ndërkombëtare në rang klubesh. Padyshim që Skënderbeu pati një skuadër mjaft cilësore, me emra të spikatur, një skuadër të cilën e ndiqte një qytet i tërë. Deri në momentin kur klubi u përball me problemet që dolën nga vendimet ndëshkuese të UEFA-s, që e akuzoi Skënderbeun për përfshirje në trukimet e ndeshjeve dhe për pasojë e dënoi atë me 10 vjet pezullim nga aktivitetet ndërkombëtare dhe një gjobë prej 1 mln eurosh, vendim që u la në fuqi edhe nga Këshilli i Arbitrazhit Sportiv në Lozanë. Por nuk është vetëm UEFA, pasi së fundmi klubi korçar raportohet të ketë probleme edhe me FIFA-n dhe shkak bëhen rrogat e papaguara ndaj një ish-lojtari të spikatur të skuadrës bardhekuqe, si sulmuesi kryegolashënues Ali Soue. Po çfarë ka ndodhur? Si mundi Skënderbeu të mos u paraprinte këtyre ngjarjeve, që t’i evitonte ato? Referuar edhe informacionit që jep “Vip Sport”, bëhet fjalë për një gjyq të humbur me ish-lojtarin pikërisht në FIFA. Pra, sikur të mos mjaftonin telashet me UEFA-n, tashmë klubi i Skënderbeut ka të tilla edhe me FIFA-n, ku pak kohë më parë ka humbur një gjyq të rëndësishëm për financat e klubit korçar. Organizata ndërkombëtare ka detyruar korçarët që të paguajnë detyrimet e prapambetura ndaj një ish-futbollisti të tyre, duke i kërcënuar këtë radhë me mbylljen e merkatos për 3 dritare radhazi. Gjyqi në fjalë ishte bërë me kërkesë të sulmuesit nga Gambia, Ali Soue, i cili luajti me korçarët në sezonin 2017-2018, duke u shpallur edhe golashënuesi më i mirë i Superiores me ta. Por pasi mbylli marrëveshjen me klubin në edicionin historik ku ai shkëlqeu edhe duke shënuar dy gola në grupet e Ligës së Europës, futbollisti u largua i pakënaqur pasi nuk ishte paguar sipas kontratës nga Skënderbeu. Lojtari bëri kërkesë në janar 2019 në FIFA për t’u paguar 38144 euro që i detyroheshin korçarët, por në mars e tërhoqi ankesën, duke bërë të qartë se kishte gjetur një akord me klubin që t’i paguhej një shifër prej rreth 23 mijë eurosh në dy këste. Ai nuk mori kurrë të dytën prej 10 mijë eurosh e kësisoj, kërkoi në maj 2019 nga FIFA që të merrej me këtë çështje.

FIFA i kërkoi sqarime, Skënderbeu “heshti”

Sipas informacionit të servirur edhe nga portali sportiv “Vip Sport”, FIFA i kërkoi Skënderbeut që të argumentonte moskryerjen e pagesës sipas akordit, por nuk mori asnjëherë përgjigje e kësisoj çështja kaloi në Komisionin e Zgjidhjes së Konflikteve të saj. Në shkurt 2020, Komisioni i ka dhënë të drejtë Soue, i cili në vend që të përfitojë 10 mijë euro që kishte të prapambetura nga akordi me Skënderbeun, tashmë do të përfitojë rreth 24 mijë euro që i mbeteshin nga detyrimi fillestar kontraktual që kishin korçarët ndaj tij, si dhe një shifër ekstra prej 5 mijë eurosh si rrjedhojë e vonesës. Kjo është një goditje e rëndë për arkat e klubit korçar në një moment të vështirë kur edhe llogaritë e tij janë të bllokuara pikërisht për shkak të mosshlyerjes së detyrimeve ndaj palëve të treta. Këtë radhë, kjo goditje vjen edhe me një paralajmërim të fortë, pasi në vendim parashikohet se në momentin kur Soue do të jepte me shkrim zyrtarisht numrin e llogarisë në të cilën duheshin kaluar paratë, Skënderbeu do të kishte 45 ditë kohë për ta paguar. Përndryshe, hynte automatikisht në fuqi bllokimi i merkatos kombëtare dhe ndërkombëtare deri në tre dritaret e radhës e pas tyre, do të kishte ndëshkime edhe më të rrepta disiplinore. Tani mbetet të mësohet nëse Skënderbeu ka paguar apo jo këtë shumë që i detyrohet sulmuesit e me të cilin nuk mund të bëjë akord të dytë, për të mos rrezikuar një bllokim të merkatos që do të komplikonte edhe më shumë ekzistencën e korçarëve të cilët presin përgjigje nga Gjykata Federale në Zvicër për përjashtimin nga kompeticionet e UEFA-s.