Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Sokol Kushta: Kombëtarja e Rejës funksionon, kampionati shqiptar kala prej rëre

Postuar: 13/10/2019 - 07:55

Një nga emrat më të shquar të futbollit tonë, Sokol Kushta, vjen këtë fundjavë në gazetën “Sot”, me mendimet e tij për performancën e skuadrës përfaqësuese në ndeshjen ndaj Turqisë, pozitat e ekipit në grupin H, trajnerin Reja dhe pritshmëritë, duke qenë entuziast për atë që ka parë në fushë, për lëvizjet e trajnerit dhe natyrisht shpirtin e grupit, por pa i ndalur kritikat në ato raste kur është e nevojshme, siç janë rastet e humbura të sulmuesit Manaj, apo dhe mosha e trajnerit Reja që nuk është premtuese. Në intervistën e tij për “Sot”, Kushta thotë se ndeshja ndaj Turqisë ka qenë një nga më të mirat e Kombëtares, një nivel përfaqësimi shumë i mirë dhe një funksionim perfekt të të gjitha hallkave dhe humbja ishte tërësisht e pamerituar. Madje Kushta e quan humbjen fat të keq, teksa ndalet në disa detaje që bënë diferencën në aspektin pozitiv, lidhur sidomos dhe me ndërhyrjet e duhura të trajnerit Reja. Nuk mungon në këtë intervistë dhe mendimi i tij për ngjarjet e fundit në kampionat, ku në krye të tabelës janë ngjitur, çuditërisht, skuadrat e mbijetesës, diçka që për Kushtën është surprizuese, por ai beson se kampionati ynë është një “kala rëre”.

 

Kombëtarja luan mirë, por pëson një gol në minutën e fundit që trishtoi jo pak tifozët e shumtë kuqezi. Me syrin e specialistit, si e vlerësoni paraqitjen e skuadrës dhe çfarë mund të presim në vijim?

Kjo ishte një ndeshje e veçantë në shumë pikëpamje, por mund të them se ishte një nga ndeshjet më të mira të Kombëtares që unë kam parë, sidomos në aspektin teknik dhe taktik. Lojë e saktë, dëshirë për të fituar, raste të krijuara, mbrojtje e mirë, lëvizje të sakta të trajnerit etj, të gjitha korrekte.

Thuhet se luajti mirë Kombëtarja jonë, por ka një interpretim tjetër, që ishte Turqia dobët...

Jo, nuk funksionon kështu dhe nuk bëhen llogaritë kështu. Nuk ishin turqit të dobët, por ishim ne të fortë. Unë pashë një skuadër të ndërtuar mirë dhe tani ka vijueshmëri. Por skuadrës tonë në këtë ndeshje i mungoi goli dhe dihet që goli i bën skuadrat më të çliruara në fushë, u jep avantazhe, u jep hapësira. Sepse goli të bën të zgjuar, të jep hapësirë të menaxhosh fitoren. Në momentin që turqit u hodhën në sulm pas minutës së 60-të, thashë: “tani është momenti ynë, mund të përfitonim nga kundërsulmi”. Dhe trajneri e kapi situatën, duke aktivizuar Roshin, një lëvizje korrekte nga Reja. Shikoni! Unë nuk e pëlqej, sepse është plak, por ama si trajner është i zoti. Në fakt, unë e njoh dhe ia di vlerat. Nëse do të ishte 10 vjet më i ri, do të kishte qenë trajneri perfekt për Kombëtaren, një trajner ideal. Siç thashë, e njoh personalisht që nga koha kur drejtonte Lacion, është trajner i mirë. Për t’iu kthyer ndeshjes, besoj se golat që mund të kishim realizuar ne nga rastet që patëm, do t’i nxirrnin turqit pa pikë nga kjo përballje. Por fati, realisht fati, nuk ishte me ne në këtë takim.

Në futboll flitet me rezultate dhe ne humbëm. Por më e keqja është se jemi jashtë objektivit dhe në vend të katërt. Por kemi ende shans për vend të tretë. Si e shihni pozicionin tonë në grupin H?

Ka ende ndeshje deri në fund, por siç thashë, edhe pse të humbur nga ndeshja me Turqinë dhe jashtë objektivave, unë i mëshoj faktit se skuadra ka përmirësime dhe vijueshmëri në lojën e saj. Kjo më gëzon, patjetër, sepse shoh të ardhme. Ndërtimi i ekipit për mua ishte super, fizikisht, teknikisht dhe taktikisht skuadra ishte korrekte. Dikush mund të kritikojë Strakoshën për golin e pësuar, por në lojë ndodhën disa lëvizje nga mesfusha në mbrojtje që vunë prapavijën në vështirësi dhe portieri është pjesë e këtij vargu gabimesh. Në atë moment, mbrojtja ishte e rreshtuar keq dhe për pasojë pësuam gol. Ato minuta janë vendimtare në një lojë futbolli. Lojtarët janë të lodhur dhe minutat e fundit janë delikate jo vetëm për ekipin tonë, por edhe për skuadrat e mëdha elitare europiane. Minutat e fundit janë problematike, kërkojnë kujdes të shtuar, pasi në fundin e ndeshjeve ndodh që ta pësojnë edhe skuadra më të forta se e jona.

Fajtori për humbjen u gjet, ai është... Manaj. Kishte shumë raste për të shënuar, por s’qe e thënë. Ju keni qenë vetë sulmues dhe e dini që raste të tilla në një ndeshje të këtij niveli nuk vijnë shpesh gjatë lojës...

Skuadra luajti mirë dhe në tërësinë e skuadrës edhe Manaj luajti mirë. Por unë si Sokol do të dëshiroja më shumë që ai të luante keq e të shënonte gol, sesa të luajë mirë e të mos shënojë gol. Pse? Sepse nëse do të kishte shënuar në këtë takim do të ishte në piedestal, por mosrealizimi e bën objekt të fortë kritikash. Njerëzit nuk e kujtojnë për lojën e mirë që bëri, por për rastet e humbura, ky është problemi. Unë dua të kujtoj që sulmuesit maten me gola, kjo është taksative. Një sulmues që shënon gola nuk kritikohet, e kundërta po, sado mirë të luajë. Manaj luajti shumë mirë, por humbi shumë raste, i mungoi goli dhe kjo e dëmton shumë. Megjithatë, unë nuk dua të ndalem vetëm tek Manaj, pasi edhe të rinjtë e tjerë po luajnë mirë dhe po përshtaten me grupin. Bare po bën vetveten, të tjerët janë mirë. Nëse në fushë flet si duhet, do të thotë se i ke bërë mirë detyrat dhe ndaj Turqisë ishin mjaft mirë. Madje unë dua të vlerësoj edhe mbrojtjen, e cila këtë herë qëndroi në lartësinë e duhur, ishte e vendosur mirë. Mbrojtësit, në pikëpamjen time, i zgjidhën mirë detyrat. Ne jemi mundur edhe herë tjetër, por humbja e kësaj ndeshjeje të dhëmb, pasi realisht skuadra u paraqit mjaft mirë. Për t’u kthyer dhe një herë tek pozicioni në grup, mendoj se llogaritë i kishim bërë me ndeshjen ndaj Turqisë, por nuk ia dolëm të fitonim. Në këto kushte vëmendje merr grupi, që me Rejën po jep shenja të mira. Tani duhet të fokusohemi tek ndeshjet e radhës, duke i menduar një e nga një.

A jeni i kënaqur nga prurjet e reja të Rejës dhe a ka vend për rinovimin e trajnerit? Ju përmendët moshën e tij...

Për mendimin tim Reja është një nga teknikët më të mirë që ka ardhur në Shqipëri. Mosha e tij s’më pëlqen dhe kjo është ajo që s’më “ngroh”, por si trajner nuk shahet, përkundrazi. Shpresoj që me këtë moshë të ndjekë ekipin, e them këtë pasi programet janë dyvjeçare dhe nga trajneri varet jo vetëm mënyra e të luajturit, por edhe shpirti i grupit. Trajneri ka një peshë të madhe në skuadër. Ky trajner është ndryshe nga ai paraardhës (Panuçi), i cili transmetonte energji negative. Reja është trajner që përçon energji pozitive. Reja është një trajner që luan taktikisht shumë mirë. I ka kapur pikat, lëviz në drejtimin e duhur dhe e përdor grupin si duhet. Ne nuk jemi skuadër që mundim Francën dhe nëse ndodh që ta mundim kjo është rastësi, por kjo skuadër, falë rreshtimit të Rejës mund të mundë skuadrat e nivelit tonë e ato mbimesatare. Dhe unë dua ta përgëzoj për ndërrimet që bëri në ndeshjen me Turqinë, lëvizje perfekte, në kohën e duhur. Panuçi që kishim më parë ishte trajner kapricioz, kurse Reja është i ëmbël në çdo gjë dhe ky është ndryshim i madh. Kombëtarja jonë ka nevojë për një trajner të tillë, sepse bën zgjedhje që kanë qëndrueshmëri, i bën në kohën e duhur dhe nuk është rastësi përmirësimi i cilësisë së lojës i skuadrës tonë.

Po kaloj në një temë tjetër. Desha një mendim tuajin edhe për kampionatin, pasi ka ndodhur një çudi: ekipet që konsideroheshin për mbijetesë, udhëheqin garën. Si mund ta përkufizojmë këtë?

Futbolli ynë ka probleme dhe ne kemi folur për këtë edhe më parë. Kjo historia e skuadrave që varen nga bashkitë është katastrofë më vete. Këtë e ka treguar përvoja e gjatë e këtyre viteve dhe është fakt se menaxhimi i tyre lë për të dëshiruar në çdo drejtim. Tani.., skuadrat e Ballshit dhe të Shkodrës kanë dalë në krye dhe drejtojnë Superioren... Bravo u qoftë! Unë vetë nuk e prisja këtë, kurse ekipet e tjera kanë oshilacione. A do t’i mbajnë këmbët Bylisit e Vllaznisë për të mbajtur kreun? Duket pak e vështirë, por të shohim. Shumë thonë se kampionati shqiptar është si kështjellë, por unë besoj se është një kala prej rëre, që pritet të rrëzohet shumë shpejt. Natyrisht, në këtë fillim sezoni i dhanë pak oksigjen, për ta mbajtur në këmbë, madje ka dhe lëvizje që mund t’i japin një dimension tjetër, pasi parlamenti është afër shqyrtimit të dosjes mbi Ligjin e Sponsorizimeve. Të shohim çdo të ndodhë, sepse edhe Liga Profesioniste është krijuar, por a ka funksionuar? Jo, ka qenë një dështim dhe ky është fakt. Shumë klube të futbollit tonë kanë probleme me pagesat. Ku qëndron problemi? A ka njeri që ta ndreqë këtë situatë? Shoh me probleme edhe skuadrat që kanë staturë të fortë si Partizani. Vjet e nisi ngadalë, por në fund ia doli të fitojë titullin, pasi kishte besim në vetvete, kishte progres në lojë e rezultate. Këtë sezon e nisi me pompozitet, por shoh që ka probleme, ka oshilacione në lojë dhe Lerda është larg mentalitetit shqiptar. Në një kampionat si ky nuk të pret koha të bësh eksperimente. Si mund të lihet në stol një lojtar si Asani? Ai është lojtar cilësor dhe e tregoi këtë sezonin e shkuar. Më thoni, a lihet në stol një lojtar i tillë? Por pikërisht për këtë, mendoj se ambienti aty është interesant. Duhet ta dini se problemet e një skuadre nisin nga dhomat e zhveshjes. S’është kollaj të krijosh frymë grupi dhe Partizani në këtë periudhë po vuan. Sa i takon Tiranës, e nisi vrullshëm, por duket qartë se edhe ajo ka problemet e veta dhe në këto javët e fundit duket se është ulur me këmbë në tokë pas “fluturimit” të javëve të para. Skuadra e vetme që u fut në garë me ide të qartë dhe me objektiv mbijetesën është Ballshi (Bylisi), por me modesti ia ka dalë të jetë në krye.

Diçka e pazakontë për një skuadër që nuk e nisi garën si favorite, megjithëse gara është e gjatë dhe janë luajtur vetëm 7 javë...

Po, e vërtetë, por nuk duhet të harrojmë se lartësia të vret, sepse lartësitë të rrëzojnë. Unë nuk e di se si do ta mbajë Bylisi vendin e parë në renditje. Sidoqoftë, të gëzon fakti që ka rivalitet dhe nëse ruhet ky rivalitet gara do të jetë e bukur, por, me ato që kemi hasur me ekipet, me atë që dëgjojmë rreth buxheteve të tyre etj, na pret një situatë e vështirë. Kur të kalojë Ligji për Sportin do të shohim më mirë se si do të shkojnë punët, për momentin situata është e paqartë dhe jo shpresëdhënëse. Të paktën të jetë kapitalizëm i pastër, jo një funksionim si sot, i tipit komunisto-kapitalist, që ka prodhuar anarshi. Dhe kampionati shqiptar është shoqëruar gjatë këtyre viteve nga paradokse dhe çudira, sepse nuk ka një shtrat ligjor serioz dhe një strategji afatgjatë të funksionimit të klubeve dhe të garës.

Intervistoi: Adriatik BALLA

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 19/11/2019 - 19:20

Është vetëm 18 vjeç, Lorent Tolaj sot ka vendosur një rekord personal duke i dhënë plot 8 gola skuadrës e Zvicrës

Postuar: 19/11/2019 - 17:35

FSHF-ja dhe Edi Reja kanë pasur një takim ditën e sotme ku kanë biseduar në lidhje me kontratën e

Postuar: 19/11/2019 - 12:13

Presidenti i FSHF-së Armand Duka ka zbuluar bisedat që ka pasur me futbollistin Elsaid Hysaj teks

Postuar: 19/11/2019 - 10:22

Argjentina dhe Uruguaji luajtën mbrëmjen e djeshme mes tyre një miqësore në Tel-Aviv, ndërsa pjes

Postuar: 19/11/2019 - 07:25

Merkato e dimrit nis zyrtarisht më 1 janar, por klubet e mëdha europiane i kanë nisur lëvizet e t

Postuar: 19/11/2019 - 07:23

Partizani mban kreun e Superiores dhe është realisht skuadra me më shumë shanse të fitojë titulli

Postuar: 19/11/2019 - 07:20

Stadiumi i ri kombëtar i Tiranës, i cili mori emrin “Air Albania”, priti të dielën në