BREAKING NEWS

Jepet vendimi përfundimtar, GJKKO dënon me burg Adriatik Llallën, ja çfarë ndodh nëse nuk paraqitet ish kryeprokurori pasi ka një javë që është larguar jashtë vendit

Jepet vendimi përfundimtar, GJKKO dënon me burg Adriatik Llallën,
x
BREAKING NEWS

'Luftë' për PD-në/ Lulzim Basha i përgjigjet 'dhëmbë për dhëmbë' Sali Berishës pas akuzave të rënda që bëri nga Fieri: Kjo gjë nuk do të ndodhë kurrë!

'Luftë' për PD-në/ Lulzim Basha i përgjigjet
x
BREAKING NEWS

“Po dëgjohen tringëllima prangash”, Frrok Çupi nxjerr prapaskenat e rënda dhe plas paralajmërimin ‘bombë’ për politikanët shqiptarë: Janë kapur në krimin e...

“Po dëgjohen tringëllima prangash”, Frrok Çupi
x
BREAKING NEWS

Ambasada e SHBA thërret deputetët demokratë për dosjet korruptive të Sali Berishës, zbardhen informacionet nga takimet

Ambasada e SHBA thërret deputetët demokratë për dosjet
x
BREAKING NEWS

Artan Hoxha zbardh goditjet e SPAK, priten arrestime ish-ministrash dhe funksionarësh në nivele të larta, në listë edhe Berisha

Artan Hoxha zbardh goditjet e SPAK, priten arrestime ish-ministrash dhe
x

Sport

Sokol Kushta: Kombëtarja tregoi cilësi, Broja i tha Rejës “unë vlej”

Sokol Kushta: Kombëtarja tregoi cilësi, Broja i tha Rejës

Kombëtarja siguroi 6 pikë në 3 takimet e radhës eliminatore të luajtura pak ditë më parë, duke bërë një progres të rëndësishëm sidomos në renditje, pasi tani ndodhet në pozitën e dytë në grupin I, një pozicion që i jep shanse të pretendojë “play-off”-in në kualifikueset e Botërorit “Katar-2022”. Loja e mirë në të tri ndeshjet dhe sidomos fitorja me Hungarinë, kanë sjellë optimizëm, por gjithçka në këto eliminatore do të varet nga dueli i kthimit me Poloninë, por edhe përplasja me Hungarinë në transfertë. Anglia e para e grupit duket për momentin skuadër e pakapshme në kryesim, kështu që rivaliteti për vendin e dytë me shumë gjasë do të jetë me polakët. Duke analizuar ecurinë e Kombëtares në këto ndeshjet e fundit, por edhe lëvizjet e shumta në formacion, ish-sulmuesi i madh i Flamurtarit, Partizanit e Kombëtares, Sokol Kushta, u shpreh se përfaqësuesja ka tani një grup me vlera dhe disa të rinj dhanë shenja pozitive. Në intervistën për gazetën “SOT”, ai veçon Brojën, por edhe shpirtin e grupit.

- Kombëtarja luajti tri ndeshje në shtator në eliminatoret e Botërorit. Janë grumbulluar 6 pikë, por 3 pikë janë me modestët e San Marinos, megjithatë ka progres në renditje. Janë thënë shumë gjëra për këto sfida, lojtarët, skemat, trajnerin etj. Cili është mendimi juaj për paraqiten e ekipit në këtë fazë të eliminatoreve?

Secili ka mendimin e tij dhe është në të drejtën e secilit t’i shprehë këto mendime. Ka nga ata që bëjnë komente pozitive, ka të tjerë që qëndrojnë neutral, por ka dhe ata që bëjnë komente tendencioze. Është po ashtu e vërtetë që çdo trajner ka mendimin e vet për skuadrën. ?farëdo që të flasim ne të tjerët nga jashtë, asnjëri s’mund ta ndryshojë mendimin e trajnerit Reja në pankinën e skuadrës. Nuk mund të ndryshojmë mendimin e tij rreth ekipit sepse ai ka eksperiencë të mjaftueshme për të qenë në këtë detyrë. Ajo që më shqetëson, janë ata që shprehen “më pëlqeu, s’më pëlqeu”. Analizat bëhen duke u bazuar në fakte e tregues sportivë dhe jo emocione. Sa u takon ndeshjeve, pashë që ndaj Polonisë skuadra luajti mirë, por pa kurajo. Natyrisht që mund të luash mirë dhe vlen, por në futboll ai që vlen më shumë është rezultati. Parë në këtë kuadër, nuk vlen “luajtëm mirë” dhe analiza mund të na çojë në kritikë ndaj trajnerit pse lojtarët nuk zbatuan mirë detyrat. Këtu dal në temë dhe them që mbrojtja gaboi dhe gaboi rëndë. Nëse do të isha trajner do të merrja masat. Duke pasur parasysh grupin, do të përpiqesha të bëja zgjedhjet e duhura. Krejt të kundërtën mund të them për duelin me Hungarinë, ku ndihem i kënaqur. Nuk dua të komentoj ndeshjen me San Marinon, që pëlqej ta quaj miqësore. San Marino nuk e mat nivelin tonë, përkundrazi, nivelin tonë e masin Polonia dhe Hungaria. Polonia na mundi, por meritat i ka Levandovski, në të kundërt si skuadër as ata nuk treguan ndonjë gjë të madhe. Duke përmbledhur qëndrimin tim për këto tri ndeshje, mund të them se jam i kënaqur. Pse jam i kënaqur? Sepse shoh që statistikat e ekipit janë të mira, treguesit në tërësi janë të një skuadre cilësore dhe grupi është shprehur në fushë. Të gjitha këto janë pozitive, kurse negative ishte vendosja e mbrojtjes.

- Gara nuk është mbyllur, ka ende shumë pikë në lojë, sidomos ndeshje direkte. Në pikëpamjen tuaj, çfarë pritshmërish ka skuadra dhe sa janë shanset tona për një kualifikim nga “play-off”-i?

Natyrisht, duhet të jemi realist e jo ëndërrimtarë. Kemi ardhur deri në këtë pikë dhe çfarëdo të jetë diferenca në grup këtë do ta tregojnë ndeshjet e mbetura dhe 3 skuadrat që luftojnë për vendin e dytë. Them vendin e dytë sepse Anglia është në vend të parë e shkëputur dhe një nivel mbi të tjerët. Pra përqendrimi ynë është tek Polonia dhe Hungaria, si rivalë direktë. Nëse luajmë kujdesshëm dhe me objektiv të qartë, duke evituar gabimet, atëherë mund t’ia dalim. Madje, mund të shtoj pa frikë që nuk jemi ekip dosido, por ekip me vlera. Duke analizuar me kujdes kundërshtarët, shoh që Polonia është rival kryesor dhe ndeshja me polakët është vendimtare për pozitën e dytë në grup. Ne mund ta kalojmë Poloninë duke bllokuar Levandovskin, sepse ai është rreziku i asaj skuadre. Dhe, nëse ia dalim, do të ishte një arritje historike për përfaqësuesen. Nëse ekipi merr tri pikë me Poloninë, ato rezultojnë përcaktuese për objektivat dhe kjo duhet marrë seriozisht.

- Trajneri Reja ka aktivizuar shumë të rinj në këtë periudhë. Disa e kanë kaluar me sukses provën, sidomos sulmuesi Broja. Cili është qëndrimi juaj?

Mesfusha është një repart që në këto ndeshjet e fundit ka shfaqur stabilitet. Më së pari dua ta nis nga deklaratat që ka dhënë vetë trajneri i përfaqësueses së Hungarisë, i cili, duke justifikuar humbjen e skuadrës së tij është shprehur se Shqipëria ka 8 lojtarë që luajnë në Serie A dhe një në Premier League, domethënë lojtarë të nivelit të lartë. Nuk po e them unë, e tha një trajner që e kemi rival në grup. E nisa me mesfushën pasi ka bërë progres në këto takime. Bajrami, në pikëpamjen time, e ka ngritur nivelin e lojës aty ku duhet. Dua të veçoj edhe Brojën, i cili u tregua agresiv në ndeshjen me Hungarinë, tamam sulmues. Një ekip ka nevojë për këtë agresivitet sportiv. Në ndeshjen e dytë u tregua altruist, ndihmoi shokët më shumë. Duke i veçuar këto dy takime, unë gjykoj se Broja në ndeshjen e parë realizoi një gol me vlerë dhe i tha Rejës “unë vlej”. Bëri një gol nga një pozicion i vështirë. Deri këtu nuk shoh asgjë negative. Siç thashë në ndeshjen tjetër u tregua altruist, por San Marino nuk i mat vlerat e ekipit tonë.

- Ka një çudi, e cila lidhet me Hysajn. Luan në një pozicion që nuk e ka bërë në karrierën e tij me klubet. Është folur shumë për këtë, ndërkohë që Reja gati sa nuk po e çon sulmues. ?’po ndodh vallë me kapitenin e skuadrës?

Kjo është një pikëpyetje të cilës duhet t’i përgjigjet Reja, por unë personalisht mendoj se çdo lojtar jep më të mirën në rolin e vet. Në këtë rast, trajneri e vendos diku në fushë me mendimin se ai aty jep maksimumin, ose është një ide e trajnerit, që e mbivlerëson lojtarin. Tani, është mbivlerësim apo nënvlerësim? Sepse duke e aktivizuar jashtë rolit, prishen dy gjëra. E para “djeg” një tjetër që mund të jetë më adapt për rolin në mesfushë dhe, e dyta, duke bërë këtë zgjedhje trajneri nuk përmirëson as mesfushën e as mbrojtjen. Parë në këtë kuadër, Hysaj në mesfushë është një pikëpyetje e madhe, të bëj liderin, kapitenin, apo mbrojtësin?

- Në analizat e shumë specialistëve, është konstatuar se disa lojtarëve të Kombëtares u ka mbaruar cikli. Të tillë janë Sadiku, Memushaj, por edhe lojtarë që ishin këtë herë në grumbullim si Berisha, Balaj e Abrashi. Ka ca lojtarë të tjerë që refuzuan grumbullimin si Xhaka e ndonjë tjetër. Po ju, ç’mendim keni?

Nuk e di si qëndron e vërteta, s’jap dot mendim. Natyrisht nuk kam koment për lojtarë që kanë vetëm disa minuta por për Xhakën ndryshon puna. Nuk e di pse s’ka ardhur, se paragjykoj dot, por nëse sajohen dëmtime, justifikime etj, këta futbollistë që refuzojnë Kombëtaren nuk duhen ftuar më. Sa i takon moshës, ka dhe momente skadence, vjen një moment që tërhiqesh e u hapet rruga të tjerëve.

- Ka nisur kampionati, dhe duket e habitshme se si njerëzit pranë federatës nxitojnë të deklarojnë se ky kampionat do të ketë 7 apo 10 skuadra pretendente për titull. Përtej euforisë, çfarë prisni nga sezoni i ri?

Ka shumë që thonë do të jetë më i miri, sikurse ka plot dhe prej atyre që kur mbaron gara deklarojnë se ishte kampionati më i mirë. Unë s’prekem nga kjo. Megjithatë, shoh Partizanin një skuadër që ka bërë shumë blerje dhe besoj se do të rivalizojë, ndërsa mbetet të shihen në vazhdimësi ekipe si Teuta, Laçi e Kukësi. Nga ana tjetër, më shqetëson ende fakti që nuk kemi një Ligj Sporti të qartë e të zbatuar. Deri tani klubet kanë qenë të bashkive, por kështu nuk funksionon. Prandaj është më mirë në pronësi të dikujt, ndoshta merr vlerë shprehja “Prona ime, e menaxhoj më mirë”. Kam parasysh këtu edhe rastin e Flamurtarit, në moment të keq, sepse bashkia s’jep lekë. Por administrator Idrizi ka një ide tjetër. Për disa mund të jenë para sa për lëmoshë. Por s’është lëmoshë, është para xhepi. Më mirë në privat, janë dhënë shembujt edhe gjetkë. Jam habitur me progresin e futbollit në Kosovë, sepse atje klubet i kanë biznesmenë të fuqishëm. Një klub ndihet më mirë kur e ka një biznesmen që 20% , ose TVSH-në, pasi të ketë siguruar kontratën me shtetin për këtë, të financojë klubin. Prandaj nevojitet një Ligj Sporti. Në vetëm 5 vjet punë Kosova ka ecur shumë më përpara dhe jam habitur nga progresi i saj. Pra çfarë na mungon ne? Thënë ndryshe, ne nuk është se nuk dimë, por nuk duam. Situata që kemi na tregon se klubet nuk kanë potencë. Në Itali, edhe kur vetë s’kanë kapacitet, thithin biznesmenë të fuqishëm kinezë, arabë, etj. Klubin e merr ai që ka para të investojë. Kënaqesh kur jep bashkia, por nuk funksionon kështu dhe koha e ka treguar këtë. Po FSHF çfarë bën? Ajo duhet të ndërhyjë që të ndihmojë në rregullimin e kësaj çështjeje sepse kjo ka të bëhë me të ardhmen e futbollit në Shqipëri.

Intervistoi: Adriatik BALLA