BREAKING NEWS

Shqipëria nuk gjen qetësi / Plas arma në Elbasan, ekzekutohet një person në makinë

Shqipëria nuk gjen qetësi / Plas arma në Elbasan, ekzekutohet
x

Sport

Sokol Kushta: Kur lashë Partizanin më quajtën të çmendur, por Flamurtarit i dhashë dhe më dha shumë, Vlora mbeti dashuri e pakushtëzuar

Sokol Kushta: Kur lashë Partizanin më quajtën të

Vitet e fundit kujtohet e lëvdohet fitorja 2-1 e Kombëtares në shtator 2004 ndaj Greqisë, në Tiranë, por harrojmë të kujtojmë që në vitin 1991, Shqipëria e mundi Greqinë 0-2 brenda në Athinë, me dy gola të Sokol Kushtës. Shpesh vitet e fundit kujtojmë sukseset e Skënderbeut në nivel klubesh në UEFA, por harrojmë se ishte Flamurtari i Vlorës që më 1986-1987 bëri 4 ndeshje në UEFA me Barcelonën e madhe, madje e ka mundur këtë të fundit 1-0 në Vlorë. Dhe është sërish Sokol Kushta që ka shënuar. Flasim shpesh për ngjarjet e dhunshme në stadiumin e Partizanit të Beogradit në tetor 2014, por pak kujtohen të thonë se në të njëjtin stadium më 1987, një gol që përsëritet një herë në 100 vjet eliminoi serbët dhe kualifikoi Flamurtarin e atë gol e shënoi Kushta, sulmuesi me koeficientin më të mirë deri më sot të realizimit (gola për ndeshje) në ekipin përfaqësues (10 gola në 32 ndeshje). Sot të rinjtë duhet ta dinë, që dashuria e këtij njeriu për futbollin dhe Vlorën e tij, bëri që të ikë nga Partizani, klubin që e ëndërronin të gjithë, e të kthehet në Vlorë tek Flamurtari i tij, për të shkruar faqe të ndritura suksesi e më pas jashtë vendit, nga të parët, ku la me plot respekt gjurmët e tij si golashënues. Në këtë intervistë për gazetën “SOT”, Kushta kujton hapat e parë të tij si futbollist dhe raportet me Partizanin, pa harruar ecurinë e Kombëtares në ndeshjet e fundit.

- Para pak ditësh ju, ish-lojtarë të Flamurtarit, si dhe miqtë tuaj, organizuat një festë për 98-vjetorin e klubit. Ju keni një histori shumë interesante prej rinisë tuaj, angazhimet në Vlorë, kalimin tek Partizani e më pas rikthimi sërish në Vlorë. Çfarë është Flamurtari për ju?

Është e vështirë të thuhet në pak rreshta, sepse unë tek Flamurtari u rrita. Natyrisht, unë kam pasur fatin të jem prej atyre lojtarëve që kanë një karrierë me të cilën mund të mburren, për më tepër kam qenë kapiten i skuadrave ku kam luajtur, përfshi dhe në ekipin kombëtar. E kam filluar në klasën e 8-të si kapiten tek shtëpia e pionierëve e ku dolëm kampion me moshat me aktivitetin e zhvilluar në Durrës. Fillesat e mia kanë qenë vërtet interesante. U ingranova me skuadrën e paratërinjve, me trajner Besnik Elbasanin, pastaj shkova tek shkolla “Skenderbej”, ose Partizani B, siç e quajmë sot. Por atje unë s’u përshtata fare dhe u largova. Isha 15 vjeç e ca dhe më mori trajneri Skënder Elmazi, një teknik me shumë kontribut. Të gjithë emrat e spikatur që kanë dalë nga futbolli i Vlorës që prej 1983 janë meritë e tij. Ishin momente kur një djalosh kërkon të gjejë veten, ritmin dhe pozicionin e tij. Natyrisht, në këto lëvizje dhe në skuadrat e moshave ku isha angazhuar kisha treguar gjëra pozitive nga talenti dhe puna ime.

- Është folur pak për kalimin tuaj tek Partizani. Në atë kohë klubi i kuq ishte ëndrra e çdo futbollisti, si ndodhi që u bëtë pjesë e kësaj skuadre?

Tek Partizani më mori një emër i spikatur i këtij klubi, Gjergji Thaka. Interesant është fakti se si iu bashkova grupit që më pas do të vishnin fanellën e kuqe të Partizanit. Duhej të vije në shkollë, por atje kërkohej mesatare mbi 9 e unë e kisha 8.9. Vinim nga disa aktivitete të rëndësishme ku unë kisha dalë nënkampion, por ata më kishin parë mua, më kishin pëlqyer, dhe më kishin futur në listën e atyre që do të bëheshin me Partizanin. Në fakt, ka një histori interesante: Ju e dini që klubi ishte në varësi të ushtrisë dhe merrte ushtarët më të spikatur në futboll. Në atë kohë doli një urdhër që nuk do të merreshin me zor, por Partizani do të ndiqte një strategji më sportive e jo ushtarake siç bëhej më parë. Në rang Shqipërie u morën 18 vetë, unë isha një prej tyre. Pra ishte një lëvizje e madhe sportive, ishte një seleksionim i kujdesshëm. Unë jam stërvitur me të rinjtë dhe personalisht me Gjergji Thakën.

- Ju e latë Partizanin dhe u kthyet në Vlorë, duke bërë të kundërtën. Me siguri që ju kanë quajtur të çmendur sepse Partizani i asaj kohe ishte ëndrra e çdo futbollisti. Ç’ju shtyu të ktheheshit tek Flamurtari?

Që në fillim ju shtruat pyetjen “çfarë është Flamurtari për ju” dhe unë bëra gjithë këtë prezantim për të kujtuar se nuk mund të rrija larg Vlorës, unë isha gatuar për të qenë me zemër me Flamurtarin. Unë i kam dhënë kësaj skuadre e më ka dhënë shumë. Shiko! Nuk më pëlqen pompoziteti, por është fakt që unë lashë Partizanin, diçka e rrallë për kohën, sepse me zemër isha me Flamurtarin, unë e doja skuadrën e futbollit të Vlorës. Ndoshta shumë të rinj sot nuk e dinë, e ndoshta as nga brezi im, se mua tek Partizani që herët më ofruan shtëpi, shkollën ta zgjidhja, ose “Qemal Stafa”, ose “Petro Nini”, urdhëro e zgjidh. “Çfarë do të bësh në Vlorë”, - më pyesnin, - këtu fiton tituj kampion, bëhesh i madh”. U thashë që do të fitoj titull këtu, por do ta fitoj edhe atje. Unë u bashkova me Partizanin në sezonin 1983-1984 dhe u largova nga atje në vitin 1987. Një nga ndeshjet e bukura ishte ajo që luajtëm me Apoloninë në Fier, unë shënova 3 gola e një tjetër e shënoi Ylli Shehu, fitoi Partizani 4-1. Fituam titullin kampion. Por u ktheva në Vlorë dhe ky është rasti i parë që i dhashë provat e dashurisë time për Flamurtarin. Prova e dytë është kur unë braktisa Qipron dhe iu bashkova sërish Flamurtarit, më 1997, ku shënova 8 gola në fazën e parë, e nuk mora përsipër të shënoja nga penalltitë. Isha 33 për 34 vjeç. Në moshën 35-vjeçare e lashë futbollin. Rasti i tretë ishte kur unë iu ngjita Flamurtarit si drejtues tashmë, në vitin 2000, për të dhënë kontributin tim. Unë mund të rrija në Greqi, kisha fituar mjaftueshëm sa për ta ndërtuar jetën time atje, por jo, zgjodha të investoj në Vlorë, sepse Vlora është qyteti im, është zemra ime. Kam dhënë nga lekët e mia për të mbajtur Flamurtarin në elitë. Në Vlorë investova bashkë me babain tim, bëmë një pallat, jetoj në këtë qytet, paguaj taksat këtu dhe dua vendin tim. Pra, si sportist e si njeri, unë e dua Vlorën dhe e dua jo me llafe por me zemër.

- Pse u kthyet në 97-n në Vlorë?

Po se klubi më bëri ofertë dhe u ktheva. Në atë periudhë skuadra merrte pjesë në Europë, por edhe diferencat në lekë nuk ishin të mëdha. Natyrisht nuk shkojnë gjërat siç i dëshiron ti, pavarësisht dëshirës tënde. Jeta është një sfond... merr e jep, dua të them jeta është një tip vorbulle, me ulje-ngritjet e veta, me bukuritë e saj, por s’mund të detyrosh të tjerët të ndryshojnë...

- Festa që organizuat së fundmi kishte edhe shumë të tjerë jashtë Vlorës...

Po, sigurisht, futbolli krijon miq, ai nuk luhet vetëm, ai bëhet i bukur kur ka miqësi. Shokët bashkohen, ndoshta jo të gjithë e kanë mundësinë e mund të vijnë, por këto grumbullime i bëjnë mirë shpirtit. Na erdhën S.Demollari, A.Kola, por ishte dhe Fakaj, Çipi, Bakalli e shumë të tjerë. Jo gjithmonë mblidhemi të gjithë bashkë, por në momente të caktuara mblidhemi. Promotor këtë herë ishte Gramoz Murataj, promotor i të mirës, na mbledh shpesh. A ka qenë lojtar i Vlorës, u rrit në këtë klub, por pati vështirësitë e tij e shkoi të luante në Berat. Njerëzit jetojnë në vende të ndryshme tani, por del dikush që përpiqet të na mbajë bashkuar.

- Ju keni folur shpesh për golin që i shënuat Partizanit të Beogradit. Realisht, si është pritur në qarqet e kohës goli dhe emocioni i asaj ndeshjeje të paharruar?

Partizani i atyre viteve ishte ekip i madh, jo si tani. Ndeshja mori ngjyra politike dhe në një farë mase kjo ishte e pashmangshme. Në Kosovë jetonin vëllezërit tanë. Sado ta minimizojmë, fakti është që emocioni dhe ndikimi për atë ndeshje ishte shumë i madh. Edhe pse në fushë luhej futboll, ngarkesa emocionale para, gjatë e pas ndeshjes ishte e madhe. Ndeshja e Beogradit kishte karakter tredimensional ku përfshiheshin politika, sporti dhe aspekti shoqëror. Ana shoqërore ishte e rëndësishme, sepse lidhej me popullaritetin që kishim në mjedisin shoqëror. Kishte afrimitet mes njerëzve, solidaritet dhe përgjegjësi. Kohët kanë ndryshuar dhe shumë gjëra të tanishme në atë periudhë mund të ngjanin anormale. Ishte e rëndësishme shoqëria pasi Sokol Kushta që 16 vjeç ka punuar në SMT-në e Vlorës, pastaj 19 vjeç shkoi në Universitet. Megjithatë, Sokol Kushtën nuk e bëri të madh një gol i shënuar në Beograd. Në vitin 1987, si lojtar i Flamurtarit, jam kandiduar për lojtarin më të mirë të vitit në botë. Revista “Bravo” e asaj kohe, më ka radhitur në 11-shen më të mirë për moshën U-23 nga 35 emra të seleksionuar. Këto, por edhe golat, trofetë, sukseset e tjera nuk janë pak për një futbollist. Në Spanjë kanë shkruar për mua, madje më kanë ndjekur. Dhe këtu ka një tjetër histori interesante, pasi unë figuroja lojtar i Partizanit dhe kam luajtur në “Qemal Stafa”, e ata thanë “ne e pamë Kushtën e Partizanit, por duam të shohim tani atë Kushtën tjetër, të Flamurtarit”. Bëra këtë qasje sepse dua ta lidh me marrëdhënien time me Vlorën dhe klubin e Flamurtarit. Ishte dashuri, pasi çdo ditë e javës jetohej me futbollin. Natyrisht koha ishte e tillë që mendimet tona ishin të goditura e të survejuara. Nuk ishte e lehtë të mendoje arratisjen, pasi një lëvizje e tillë pasohej me internimin e familjes. E megjithatë, kemi jetuar kohën tonë, kemi luajtur futboll, ku kemi dhënë shumë dashuri, por edhe kemi marrë shumë dashuri e respekt.

- Ju keni luajtur me Kombëtaren dhe afërmendsh që jeni i lidhur me të. Në ndeshjet e fundit ekipi fitoi me dy kundërshtarë modest dhe ka siguruar 6 pikë, por loja e skuadrës ishte krejt pa lidhje. Trajneri ka marrë kritika, por, sa mund të lidhet kjo paqartësi me trajnerin?

Problemi nuk janë rezultatet sesa mossistemimi i lojës. Ky është problemi i trajnerit e kjo nuk do shkencë për ta kuptuar. Të sistemojë ekipin dhe lojën është pikërisht detyra e trajnerit. Ai nuk diti ta bënte këtë. Me Anglinë ai duhej të luante me lojtarë të ulët e të shpejtë, por ai luajti lart, një strategji krejtësisht e gabuar. Harmonizimi i lojtarëve në skemë është detyrë e trajnerit. Shiko, unë, për nga cilësitë, shkoja më mirë në ekip me Rrakllin sesa me Taren. Në këtë mënyrë, Uzuni shkon më mirë me Manajn. Me Andorrën nuk luajtën fare në krahë, me San Marinon pati probleme të tjera, e me Anglinë probleme të tjera. E pra, është faji i trajnerit. Sot nuk ka gjë më të keqe për trajnerin sesa të kesh një skuadër që nuk ka bosht, grupi nuk ka lider dhe trajneri luan me një varietet të papërshtatshëm për ndeshje të ndryshme.

- Së fundmi, deshëm dy fjalë për vlerësimin tuaj si “Qytetar Nderi” i Vlorës...

Një vlerësim emocionues, sigurisht. Sepse unë nuk jam vetëm Kushta që i shënoi Partizanit të Beogradit apo Barcelonës. Jam Kushta që ka shënuar shumë gola, që ka fituar kupa e kampionate dhe kur të vlerësojnë me “Qytetar Nderi” është jo vetëm e rrallë që jepet për së gjalli, por edhe një vlerësim shumë i madh. Po të shohësh, në Vlorë, këtë medalje e kanë marrë shumë që nuk janë vlonjatë, por unë me rrënjë në këtë vend dhe për kontributin familjar që nis me gjyshin tim Ibrahim Kushta, me babain tim Qeverim Kushta e me mua personalisht për kontributin tim në futboll, natyrisht është me shumë vlerë. Ne kemi ndërtuar në Vlorë jetën tonë dhe Vlora është dashuri e madhe jona. Gjithë jetën time kam menduar e vijoj të mendoj, me aq sa kam mundësi, si t’i jap këtij qyteti e këtij vendi.

Intervistoi: Adriatik BALLA