Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Sokol Kushta: Në Armeni do të vendosin lobingjet, për lojtarët tanë është ora e historisë

Sokol Kushta: Në Armeni do të vendosin lobingjet, për lojtarët tanë është ora e historisë

Postuar: 11/10/2015 - 08:33

Kombëtarja do të luajë sot në mbrëmje ndeshjen më të rëndësishme në historinë e saj të përballjeve ndërkombëtare, nisur dhe nga afërsia absolute që ka me objektivin, domethënë shumë pranë kualifikimit. Vetëm tre pikë larg historisë, por mund të ishte kualifikuar tashmë nëse do ta kishte thyer Serbinë apo Portugalinë.
 
Dy shanse të humbura, ku nga një pikë në secilin takim do të kishin sjellë festë mbrëmjen e 8 tetorit. Megjithatë, është dhe një shans i madh sot, por shumë syresh besojnë se në këtë moment në lojë janë lobingjet. Kështu mendon dhe Sokol Kushta, ish-sulmuesi i njohur i përfaqësueses dhe autori i famshëm i golit të Beogradit më 1987, i pari dhe i vetmi sulmues deri tani që i uli serbët në gjunjë. Ai nuk e fsheh irritimin e tij për atë që ndodhi me Serbinë në “Elbasan Arena”, një humbje krejtësisht e evitueshme ndaj një kundërshtari që sipas tij as nuk dukej i preokupuar për të fituar ndeshjen. Tashmë mbetet një shans tjetër dhe, për Kushtën, nëse futbollistët kuqezi duan madhështinë, atëherë sot është ora që i fut ata në histori.
 
Për ndeshjen e sotme
 
“Nëse lojtarët kuqezi duan madhështi, sot është ora që i fut në histori. Ky shans nuk vjen shpesh në jetë, prandaj nuk duhet ta djegin. Asnjëherë më parë Europiani s’ka qenë më afër. Ky shans nuk duhet djegur”
 
Për Canën
 
“Nuk ka të paprekshëm, duhet ta heqim kultin e individit, secili të mbajë përgjegjësi. Një kapiten di ta mbledhë skuadrën me një fërshëllimë, me një të bërtitur, edhe atëherë kur trajneri nuk kuptohet”
 
Për biletat
 
“ Në xhepin e Ballistit (Ismail Morinës) u gjetën një duzinë me bileta, kurse Sokol Kushta, 20 vjet me kontribut në ekipin kombëtar, e pa ndeshjen nga televizori”
Për serbët
 
“Ata nuk dukeshin të preokupuar për fitore. Luajtën nën 50 % të mundësive të tyre. E kishin konceptuar thjesht si një ndeshje kontrolli, kurse tanët gabuan rëndë, gabime trashanike karakteristike për adoleshentët”
 
Ndeshja e sotme
 
“Ndaj Armenisë do të vendosin lobingjet, të cilat kanë nisur që nga momenti kur humbëm ndaj serbëve. Danezët po lobojnë fort. Sa u takon lojtarëve tanë, kanë rastin të shkruajnë emrin e tyre në histori”
 
Keni qenë kritik ndaj ekipit për ndeshjen e fundit ndaj Serbisë. Ju e kishit parashikuar kualifikimin pikërisht në ndeshjen ndaj serbëve, por për fatin e mirë kemi ende një shans, ndaj Armenisë, ku duhet me patjetër fitorja. A besoni se pas humbjes me serbët gjërat janë vështirësuar dukshëm?
 
Unë kisha planifikuar dy pikë pas barazimit me Danimarkën, i bindur se na çojnë në Europian dhe koha më dha të drejtë. Por lojtarët nuk ia dolën, pra nuk i morën ato dy pikë. Humbën me Portugalinë, humbën edhe me Serbinë. Tani duhet të bëjmë llogaritë me Armeninë. Dypikësh nuk ka, mbetet ose një pikë, ose tri pikë. Me një nuk shkojmë gjëkundi, kurse me tre kualifikohemi.
 
Është çështje emrash, mungojnë ata që bëjnë diferencën. Ja, shumë specialistë mendojnë se kësaj skuadre në këto ndeshje i mungoi Mavraj, me atë kemi fituar. Një pjesë mendojnë dhe Roshin si zgjidhësin e problemeve. Ju si mendoni?
 
Jo, jo, është çështje tjetër kjo. Kulti i individit duhet hequr. Pse? Supozojmë se dikush e la futbollin, e pastaj? Ka ikur Krujf, Maradona etj, por futbolli ka vazhduar, nuk është shuar. Ekipin nuk e bën as Mavraj, as Cana, por e bën grupi. Secili ka peshën e vet, prandaj flitet gjithnjë me termin “skuadra”. Ne nuk u mundëm nga individi, por nga ekipi. Se natyrshëm lind pyetja: Çdo të bënte Mavraj përballë katër sulmuesve njëherësh? Dhe kjo ndodh kur i gjithë ekipi është hedhur në sulm, një lëvizje amatoreske e paparë, jashtë çdo lloj kriteri profesional. 
 
Është dhe tekniku, prandaj ka rëndësi se jep udhëzime....
 
De Biazi ka bërë ekipin, por ne dolëm në “ADN-në” tonë, në “ADN-në” e ekipit kombëtar të Shqipërisë. Kemi një tregues mjaft të keq, pasi shumicën e humbjeve në planin ndërkombëtar i kemi midis minutës 88-92. Kjo është e pafalshme, sikurse nuk kuptuam se kë kishim përballë në këto dy ndeshjet e fundit. Serbia nuk bëri as 50 % të mundësive të saj. Duke parë ndeshjen, po thosha vazhdimisht ishalla dalim barazim. Luajtëm ndaj një kundërshtari që nuk bëri një sparkatë në fushë, por në aspektin sportiv ishin 70 herë më lart. Për mendimin tim, ata erdhën të zhvillonin këtu një ndeshje kontrolli e të iknin më pas në punën e tyre. Mendoj, gjithashtu, se Serbia që pamë në fushë, ishte ekipi më i lehtë që ka ardhur këtu, nuk u shtrëngua fare dhe mendoja se ndoshta do të nisin provokimet, se ata shquhen për provokime, por u sollën mirë. Serbët nuk e donin fitoren, por erdhën të zhvillonin një 90-minutësh të bukur. Ishte pra gabimi ynë total, në çdo drejtim, me në krye kapitenin e skuadrës. Kur nuk kuptohet këshilla e trajnerit, i cili i ka dhënë udhëzimet, duhet që në fushë të flasë kapiteni, prandaj është aty. Me një fërshëllimë, me një të bërtitur e mbledh ekipin. Fatkeqësisht nuk ndodhi. 
 
Mbetet, sidoqoftë, edhe një shans. Luajmë me Armeninë. Mendoni se skuadra do të reflektojë drejt në këtë ndeshje?
 
Sportisti ka një këndvështrim tjetër nga njerëzit e zakonshëm për ndeshjen. Shumë thonë që ndaj Serbisë ne luajtëm në sulm, por unë nga televizori e pashë dhe me qetësi konstatova se, pavarësisht ndryshimeve në formacion, skuadra kishte karakter mbrojtës. Me pak fjalë, trajneri luante për barazim dhe unë do të isha i lumtur për barazim. Nuk ndodhi as kështu. Për të dalë tek ndeshja e fundit, mendoj se do të jetë e karakterit psikologjik, por për mua ekzistojnë lobingjet. Këto ekzistojnë në art, kulturë, politikë etj, madje edhe për çmimin Nobel. Ka lobing edhe në sport dhe në Armeni do të ketë lobing. Madje ka filluar, sepse Danimarka po mban hapur anën e armenëve, duke i inkurajuar të fitojnë ndaj Shqipërisë. Madje ky lloj lobingu është krejt normal, sepse Danimarkës i intereson të jetë në krah të Armenisë. Edhe ne duhet të lobojmë, sepse momentin deçiziv e humbëm. Kjo ndodhi të enjten, kur na mundi Serbia, sepse ai ishte momenti kyç. Nëse do të kishim fituar, do të ishim krenarë për të gjithë jetën, sidomos ata lojtarë që ishin në fushë. Kam bërë shumë gola në karrirën time, madje shumë të rëndësishëm dhe me peshë si ai ndaj Barcelonës, por unë kujtohem më shumë për golin e shënuar në Beograd. Nuk është e rastësishme kjo. Këtyre lojtarëve u duhej të fitonin me serbët, por nuk e bënë. U dha zoti disa mundësi, por nuk i shfrytëzuan. Tani kanë edhe një shans. Një shans, të cilin po e shfrytëzuan si duhet do të mbahen mend. Nuk ka ndodhur kurrë më parë të të dalë Europiani përpara syve, tek duart e tua, dhe të shpërdorosh disa mundësi. Dikush thotë çështje fati, por edhe nuk është. Këta çuna s’do ta harrojnë kurrë në jetë këtë mundësi. Ne këtë herë kemi qenë me fat dhe që nga 1978 kur unë luaja me të rinjtë e Kombëtares s’kemi pasur një shans të tillë e një fat të tillë. Këto raste nuk vijnë shpesh në karrierën e një futbollisti, prandaj duhet të shfrytëzohet ky fat i madh. Nëse duan madhështi, atëherë sot është ora e madhështisë. Një ndeshje të fut në histori dhe këta djem e kanë mundësinë. Por unë dyshoj se loja e vërtetë do të jetë tek lobingjet. Duhet të harrojmë, fjala vjen, ç’ndodhi me biletat e të mendojmë për lobingun.
 
Kjo historia e biletave që shkuan në duar jo tifozësh ishte një tjetër element domethënës. Ka justifikim nga një palë që Kombëtares i mungoi mbështetja e tifozëve të vërtetë. Ç’mendim keni?
 
 Unë nuk kam natyrë ankuesi, megjithëse as vetë nuk kisha biletë. Megjithatë, futbolli ka dashamirës, por pak yje dhe këta yje duhen respektuar. Mua bileta më takon 4-vjeçare, se i kam dhënë Kombëtares. Një Kushta, Demollari, Zmijani etj, e meritojnë këtë. Çfarë i kushton FSHF-së të pajisë me biletë ish-lojtarët e Kombëtares. Unë s’kam marrë asgjë, veç i kam dhënë. Ai (Shulku) duhet të më kontaktonte, por unë prapë se diskutoj, sepse nuk jam qaraman.
 
Ka një defekt ekipi, se nuk finalizon. Me pak fjalë, sado që hedhim sulmues në fushë, ekipit i mungon goli. Ndoshta i mungon një Kushta...
 
Ekipi s’ka lider në këtë repart, por s’ka një lojtar të mirëfilltë të jetë i talentuar dhe kjo është mangësi. Me pak fjalë Kombëtares tonë i mungon talenti që bën diferencë. I mungon një Demollari, i mungon një Kushta. Madje i mungon dhe një Bushi, një Skela, një Tare, që bënin gola. Ekipi ka lojtarë punëtorë, por nuk ka talentin. Ekipit i mungon, gjithashtu, një ose dy lojtarë të dalluar, që të jenë të veçantë. Lojtarët luajnë fort, por s’kanë emër. Kur vinte puna, çoj fjalë, unë e nxirrja në pah veten, këta nuk e nxjerrin dot. Lojtari i golit evidentohet. Mua më pëlqejnë sulmuesit që kemi, por puna është se na duhen golat. Dhe De Biazi nuk ka një futbollist që të “thyen kokën” në këtë drejtim.
 
Me sa kuptoj keni vërejtje dhe për De Biazin. Çfarë nuk shkoi?
 
Sapo mësova formacionin e kuptova që s’mund të bëjë punë. Do më pëlqente Cikalleshi me Memushajn majtas dhe Roshin në të djathtë, pas tyre Kaçe. Ekipi i tij në pjesën e parë ishte shumë mbrojtës. Trajneri këtë kërkoi, pra barazimin, dhe me këtë formacion ishte korrekt.
 
Atëherë?
 
Çështja është tek momenti. Serbia nuk na mundi me presion, por na mundi në një sekondë, me një veprim. Është e pafalshme që në minutën e 92-të ke në mbrojtje vetëm një lojtar. Unë nuk mendoj se ka një trajner në botë, e jo më De Biazi, që nuk thotë rëndësinë e shtyllës së parë, apo të lejojë të boshatiset mbrojtja. Pra jemi amatorë nga kapiteni (Cana) deri tek të tjerët. S’është faj i trajnerit, por amatorizëm i pafalshëm i lojtarëve.
 
Çfarë rezultati parashikon me Armeninë?
 
Janë disa komponentë në valle dhe jo të gjithë lidhen me fushën. Tani del në pah puna e lobingjeve dhe duhet aftësi. Kemi bërë disa gabime në qëndrimet tona. Për shembull, Ronaldo, lojtar i klasit botëror, ishte i vetmi nga grupi që e mbështeti Shqipërinë pas ngjarjeve të Beogradit. Por Ronaldon e shanë në stadium dhe bëmë gabim. Në ndeshjen ndaj Armenisë në stadium u ngrit një flamur turk. E ç’punë kishte flamuri turk në ndeshjen e Elbasanit? Pse ne duhet të bëjmë armiq? Del një budalla e na prish punë, se patriotizëm s’kemi veç ne, por edhe ata. Por, siç thashë, do të jetë çështje lobingu. Nëse shoh një ekip të fortë e më të mirët e tyre në fushë, me siguri që janë kundër nesh e pro Danimarkës.
 
S’fitohen ndeshjet me lobing, futbolli bëhet në fushë...
 
Thua ti, por është dhe Danimarka në valle. I ke parë reagimet e tyre? Se si flasin dhe i kërkojnë Armenisë të luajë futboll të bukur e të fortë kundër nesh? Mos harrojmë, fitorja në KAS na dha më shumë armiq sesa miq. Ndeshja me serbët ishte pothuajse politike dhe u bë mirë që s’pati incidente. Pastaj, për të tjerat, s’prish punë se si u shpërndanë biletat. Ismail Morina u bë çështje kombëtare, iu gjetën një duzinë biletash në xhep, kurse për Sokol Kushtën s’paska asnjë biletë?! Ky vend ka probleme më të mëdha se sa një biletë për Ballistin.
Intervistoi: Adriatik BALLA
 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 13/11/2019 - 22:51

Ish-sulmuesi i Kombëtares, Roland Luçi, ka sjellë edhe njëherë në kujtim ngatërrimin e himnit të Shqipërisë në Francë, teksa nuk është i mendimit se ajo ishte thjesht një gafë.

Postuar: 13/11/2019 - 17:22

Erling Haaland është 19 vjeç dhe ka shënuar 26 gola në 18 ndeshje të sezonit 2019-2020, duke tërh

Postuar: 13/11/2019 - 15:26

Eros Grezda, lojtari i Kombëtares shqiptare, ka reaguar pas konferencës për shtyp të Edi Rejës.

Postuar: 13/11/2019 - 13:03

Trajneri i Kombëtares Edy Reja ka folur sot në prag të ndeshjes me Andorën e cila është e parafun

Postuar: 13/11/2019 - 07:26

Fiorentina është në krizë rezultatesh dhe pavarësisht se loja ka qenë e mirë në shumicën e ndeshj

Postuar: 13/11/2019 - 07:24

Disa prej lojtarëve kryesorë të Kombëtares kuqezi luajnë në kampionatin italian, në Serie A ose n

Postuar: 13/11/2019 - 07:22

Kombëtarja është grumbulluar dhe po vijon përgatitjet për ndeshjet e fundit në grupin H eliminato