BREAKING NEWS

Shpërthim i fuqishëm në një hotel pranë QSUT, dyshohet për tritol

Shpërthim i fuqishëm në një hotel pranë QSUT, dyshohet
x

Sport

Spektakël në “Old Trafford”, derbi i Mançesterit flet për Junajtid

Spektakël në “Old Trafford”, derbi i Mançesterit

“Djajtë e kuq” fituan 2-1 përballë skuadrës së Pep Guardiolës, duke fituar kështu derbin e qytetit me “Sitiziens”, një fitore morali për Solskjaer

Mançester Junajtid mund të mos jetë favorit për titull në Angli, por mbetet skuadër e madhe edhe në ditët e vështira të saj. E tregoi më mirë se kudo tjetër mbrëmë, në përballjen derbi me Mançester Sitin, në fushën e “Qytetarëve”, duke fituar me rezultatin 2-1 dhe duke marrë një trepikësh me vlera për vijimësinë e “djajve të kuq” në këtë sezon dhe duke frenuar e madje duke e nxjerrë jashtë “binarëve” Sitin rival që ka pretendime titulli. Në këtë ndeshje fitoi Junajtid, por doli i fituar dhe Liverpuli, i cili thelloi diferencën me skuadrën e Guardiolës në 14 pikë dhe tani ndjen vetëm shqetësimin e Leicesterit që është 11 pikë larg. Sa i takon ndeshjes, Junajtid e zgjidhi shumë shpejt lojën në favor të tij, pasi mundi të shënojë dy gola të shpejtë në fraksionin e parë të lojës, gola që rezultuan vendimtarë në fatet e ndeshjes. Nuk është hera e parë që skuadra e Sitit e drejtuar nga Guardiola, shfaq probleme këtë edicion, por disfata në derbi mund të ketë pasoja të parikuperueshme në rrugëtimin e “qytetarëve” drejt titullit kampion, gjë që pas kësaj ndeshjeje mund të jetë jashtë loje. Kështu, vetëm tri ditë pasi mposhti Totenhemin, Mançester Junajtid bëri të njëjtën gjë edhe në derbin e qytetit përballë Mançester Sitit, ku triumfoi me rezultatin final 1-2 dhe u rikthye fuqishëm në garë për një vend në zonën Champions. Në sfidën më të rëndësishme të javës në Premier League, “Djajtë e kuq” shënuan dy herë në pjesën e parë me anë të Rashford nga pika e bardhë e penalltisë dhe Martial, duke bërë që në “Etihat Stadium” të pllakosë heshtja. Mançester Siti u përpoq të reagojë, por qarkullimi i dendur dhe i shpejtë i topit, u përkthye shumë rrallë në raste shënimi, ndërsa goli i vetëm erdhi vetëm në minutat e fundit pas një krosimi nga këndi, ku Otamendi shënoi me kokë. Me këtë humbje Mançester Siti “lan duart” me titullin kampion, pasi Liverpul triumfoi sërish sot dhe shkoi në kuotën e 46 pikëve, plot 14 pikë më shumë se “qytetarët” që janë edhe kampionët në fuqi në Premier League. Ndërkohë, një tjetër rezultat surprizë dje në Premier League i takon Hoze Murinjos, që po regjistron suksese në këtë start të tij me Totenhemin. Kështu, pas humbjes në transfertën e mesjavës ndaj Mançester Junajtid, sot triumfoi me rezultatin e thellë 5-0 ndaj Burnlit. Herri Kejn shënoi dy herë në takimin e sotëm, ndërsa Sisoko, Lukas dhe Son Hueng-Min kompletuan goleadën. Duhet theksuar se ecuria e Totenhemit nën udhëheqjen e Murinjos gjatë javëve të fundit në Prmier League ka qenë vërtet mbresëlënëse. Dukej qartë se kjo skuadër kërkonte një karikim, një motivim shtesë dhe “Speciale One” ishte i duhuri në momentin e duhur. Ai e njeh kampionatin anglez dhe njeh gjithashtu temperamentin e garës në këtë kampionat, pra është adapt për ekipe të tilla që e kanë kualitetin por duan një stimul dhe ky stimul Totenhemit po i vjen pikërisht nga trajneri portugez.

Adriatik BALLA