BREAKING NEWS

Bien ndjeshëm rastet e reja/ Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin e COVID, ja çfarë ka ndodhur në 24 orët e fundit

Bien ndjeshëm rastet e reja/ Ministria e Shëndetësisë
x

Sport

Strakosha flet për “The Guardian”: Dueli me Anglinë entuziazmues, shpresoj t’ju marrim pikë

Strakosha flet për “The Guardian”: Dueli me Anglinë

Të dielën në mbrëmje Shqipëria do të luajë përballë Anglisë, ndeshjen e dytë në grupin I kualifikues të eliminatoreve të Botërorit “Katar-2022”. Në këtë sfidë, që është më e vështira në grup, kuqezinjtë do të tentojnë rezultat pozitiv, për më tepër që luhet në stadiumin “Air Albania”, impiantin modern të futbollit shqiptar. Në prag të këtij takimi të rëndësishëm sidomos për përfaqësuesen kuqezi, mediat angleze kanë kontaktuar me lojtarë të Kombëtares Shqiptare të Futbollit, duke marrë mendimin e tyre për ndeshjen dhe pritshmëritë e saj. Kështu, portieri i Kombëtares kuqezi, Thomas Strakosha, ka folur për tabloidin e njohur britanik, “The Guardian”. Ka qenë një intervistë e gjatë për gazetën prestigjioze angleze nga grumbullimi i kuqezinjve duke zbuluar edhe disa nga objektivat dhe ëndrrat e tij për të ardhmen. Theksin portieri i Lacios, i cili e ka humbur vendin e titullarit jo vetëm te bardhekaltrit por edhe në përfaqësuesen kuqezi, e vuri te ndeshja e së dielës mes Shqipërisë dhe Anglisë ndërsa Premier League e cilësoi si kampionatin më të fortë në botë në të cilin dëshiron ta shohë veten në të ardhmen. “Të përballemi me Anglinë është shumë entuziazmuese për ne dhe një moment i madh për të gjithë, pasi mendoj se Anglia ka disa nga talentet më të mëdha në botë dhe se Premier League është kampionati më i fortë në botë. Një fitore? Mendoj se do të ishte e pabesueshme, sidomos tani me situatën e COVID-19. Do të ishte diçka shumë e madhe për tifozët, pasi ka qenë periudhë shumë e vështirë për ta”, tha që në fillim Strakosha. Dihet që 26-vjeçari po kalon një periudhë të vështirë teksa ka humbur konkurrencën me veteranin Pepe Reina dhe gjasat janë që kuqeziu të mos rinovojë me bardhekaltrit ndërkohë që sirenat e largimit janë më prezente se kurrë. Mbetet të shihet se ku do të përfundojë sezonin e ardhshëm “gardiani” i kombëtares shqiptare të futbollit.

Premier League një opsion real për portierin e përfaqësueses

Është thënë edhe në mediat italiane që Strakosha mund të largohet nga Lacio në merkaton e verës dhe se për të ka interesime nga klube gjermane si dhe klube angleze. Së fundmi për Strakoshën ka shfaqur interes Uest Ham, me klubin londinez që kërkon ta transferojë në Premier League. Dhe portieri shqiptar duket mjaft i interesuar ta ndjekë këtë rrugëtim sepse kampionati anglez është mjaft i bukur, rivalizues dhe mund ta rrisë së tepërmi në karrierën e tij. “A më tërheq kampionati anglez? Më pëlqen se si luajnë në Premier League. Ata luajnë aq shpejt, saqë gjatë një ndeshjeje goditet shumë herë porta dhe një portier ka shumë punë për të bërë. Mua më pëlqen të jem gjithmonë aktiv gjatë një ndeshje, pasi kur skuadrat krijojnë shumë raste të jepet mundësia të tregosh vlerat dhe sfida të tilla të rritin adrenalinën. Unë besoj se në Premier League luhet futbolli më i mirë: Ka shpejtësi dhe përmbysje rezultatesh gjatë sfidave. Sheh ndeshje ku rezultati është 3-0 deri në minutën e 88-të e pastaj përfundon 3-3. Ka momente të çmendura në Premier League dhe tifozët janë kaq afër fushës, është e pabesueshme. Do të dëshiroje të luaje 2 ndeshje në ditë për ndjesinë e jashtëzakonshme që të jep. Kur kam qenë atje për të luajtur miqësore kundër skuadrave angleze, atmosfera ishte e pabesueshme. Të gjithë e kanë ëndërr të luajnë në Premier League”, nënvizoi Thomas Strakosha. Në fund, portieri 26-vjeçar, i cili e ndoqi nga stoli fitoren minimale të kuqezinjve në Andorra, foli për ëndrrën “Katar 2022”, të cilën Strakosha shpreson ta bëjë realitet. “Te Shqipëria ka lojtarë që vinë nga vende të ndryshme me stil të ndryshëm futbolli. Nëse do të jemi të zgjuar, mund të vjedhim ide nga njëri-tjetri dhe bëjmë kombinimin perfekt në skuadër. Kemi shumë lojtarë të rinj, por edhe veteranë, ndaj kemi një grup të mirë. E vetmja gjë që duhet të bëjmë tani, është të jemi të pjekur aq sa duhet dhe t’i marrim ndeshjet një e nga një, që të bëjmë realitet ëndrrën tonë për të shkuar në Botëror. Jemi një skuadër e talentuar dhe me punën e mirë që po bën edhe trajneri Reja, mund të arrimë gjëra të mëdha në këto eliminatore, theksoi në fund të fjalës së tij për “The Guardian”, portieri kuqezi.