BREAKING NEWS

Rama spastrime në PS, përzë rreth 25 deputetë, nga Bushati e Angjeli, te Ulqini, Velaj e Shameti, Majko, Xhafaj e Kodheli jashtë zonës së sigurt, ja kush ikën e kush vjen

Rama spastrime në PS, përzë rreth 25 deputetë, nga Bushati e
x

Sport

Super Partizani mposht Kukësin dhe i afrohet Vllaznisë me 4 pikë, të kuqtë shanse reale për titull

Super Partizani mposht Kukësin dhe i afrohet Vllaznisë me 4 pikë,

Partizani është skuadër për titull. Këtë e vërtetoi dhe një herë tjetër dje në duelin më të rëndësishëm të xhiros së 20-të të Kategorisë Superiore dhe një prej dueleve direkte të fazës së tretë, ndaj Kukësit, të cilin e mundi me rezultatin 2-1 dhe siguroi një trepikësh që i mundëson afrimin me kryesuesit shkodranë, Vllazninë. Tani kemi një diferencë që është shkurtuar në vetëm 4 pikë (41-37). Duke pasur parasysh formatin e garës, me katër faza dhe shumë duele direkte përpara, atëherë objektivi titull për Partizanin është në duart e “demave”, që në javët e fundit kanë treguar potencë, spektakël dhe sukses, duke qenë më pretendentë se Vllaznia në rrugëtimin drejt titullit. Skuadra e trajnerit Ilir Daja, shfrytëzoi cilësitë e grupit, elementët përcaktues dhe strategjinë taktike për të dalë tek suksesi dhe fitorja e djeshme ka qenë një sinjal për të gjithë që në fund të sezonit “demat” mund të ngrenë titullin. Në fitoren e djeshme një “10” meriton Çinari, për të cilin klubi luftoi shumë deri në Gjykatën Sportive të Lozanës, një “10” meriton trajneri Daja me lëvizjet e tij dhe një notë “10” meriton grupi dhe drejtuesit, që në mënyrë harmonike kanë sjellë një Partizan të frikshëm, që i merr përpara rivalët në Superiore.

Ndeshja

Për të tretën herë radhazi në këtë sezon të kuqtë mposhtin verilindorët, dy herë me Gegën në stol dhe këtë të diel me Mirel Josën. Barazimi i Vllaznisë në fushën e Skënderbeut ishte një motiv më shumë për skuadrën e Ilir Dajës në këtë përballje me Kukësin. Të kuqtë u shfaqën me ambiciozë që në pjesën e parë, gjatë së cilës të dyja skuadrat ngacmuan portat respektive: Eneo Bitri në minutën e katërt me tentativë me kokë, Dragoshi i Kukësit në të 36-tën si dhe Mala në të 42-tën. Pjesa e dytë nisi me dominimin territorial të të kuqve, që, falë lojtarëve cilësorë që kanë në përbërje, zhbllokuan takimin në minutën e 63-të me një supergol të Erald Çinarit. Meritë e veçantë e Jasir Asanit që punon bukur nga e djathta, kroson në zonë për shkodranin që fluturimthi mposht portierin Xhika. Në minutën e 77-të Agim Ibraimi e ka të pamundur të vazhdojë me tej, lë fushën për Vesel Limajn. Vetëm pa çaste më vonë traversa i vjen në ndihmë Partizanit, pas një siluri të lëshuar nga Demiri nga një distancë e largët. Moment i pazakontë në minutën 88-të. Eraldo Çinari tenton portën, por godet një mbrojtës, i cili mbetet i dëmtuar. Nuk e vlerëson si një rast për “fair play” Valentino Murataj, që sulmon topin dhe shënon në një kohë kur lojtarët e Kukësit ishin ndalur. Një gol teknikisht i rregullt, që nuk mund të anulohej nga gjyqtari, por futbollistët e kuq në rinisjen e topit nga qendra i hapin portën Vesel Limajt, për të mos marrë asgjë të pamerituar në këtë sfidë. Në ato pak minuta të mbetura, Partizani e administroi me qetësi lojën, duke e merituar këtë sukses që ia rrit kuotat në garën për titullin kampion.

Daja: Luajtëm korrekt, e meritonim

Trajneri Ilir Daja nuk e fshehu entuziazmin e tij pas takimit, pasi fitorja e djeshme e afroi me kreun e renditjes, duke e bërë Partizanin pretendent serioz për titullin. Ai e nisi komentin e tij nga ngjarjet në fund të ndeshjes, si pasojë e golave aksidentalë, duke thënë se u respektua “fair play”. “Menduam që lojtarët e Kukësit nuk reaguan, pavarësisht se nuk është faji i Muratajt. Për të respektuar “fair play”-n, vendosëm që Kukësit të shënonte. Duhet të na falënderoni për këtë sjellje “fair play”. Ishte fitore e merituar, e nisëm shumë mirë pjesën e parë. Në pjesën e dytë pothuajse e kemi mbajtur Kukësin në gjysmëfushën e tij. Ndoshta duhet ta kishim çuar 2-0, nëse do të tregoheshim më altruistë. Kukësi ka lojtarë cilësorë dhe me goxha eksperiencë. Përballë kësaj skuadre është gjithmonë e vështirë, sepse e nis gjithmonë me pretendime. Nuk pjesën e parë prishëm diçka në manovër. Gjatë kësaj jave nuk kemi punuar taktikisht, sepse jemi stërvitur në të njëjtin kompleks me Kukësin. Kemi komunikuar vetëm në seanca teorike me lojtarët. U kishim thënë që sot të luanin për veten e tyre, ishte gjithçka në dorën e tyre”, tha Daja pas ndeshjes.